Dy kryetarët aktualë të komunave nga radhët e LDK-së u zotuan për investime milionëshe në projekte që synojnë t’i realizojnë po qe se e sigurojnë edhe një mandat. Në Junik, Ruzhdi Shehu premtoi gjysmë milioni euro për shtrirjen e rrjetit elektrik deri në bjeshkë të Gjeravicës, e në Pejë Gazmend Muhaxheri parashikoi rreth 7.5 milionë euro investime - për bibliotekë moderne, zonë me panele solare e parking. E, në Vushtrri kandidati Xhafer Tahiri u zotua që nga buxheti komunal të ndajë 500 mijë euro për punësim të grave
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, që e synon edhe një mandat, u zotua për investim në vlerë gjysmë milioni euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike në bjeshkët e kësaj komune. Investimet ai i vlerësoi parakusht për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë nëpërmjet shfrytëzimit të potencialit të bjeshkëve të Gjeravicës.
“Energjia dhe drita janë bazë për zhvillimin dhe sigurinë. Prandaj ne do të realizojmë një projekt madhor, ndërtimin e rrjetit të energjisë eklektike në bjeshkët e Junikut, nga Gjocaj deri në gropën e Erenikut, në vlerë prej gjysmë milioni euro. Ky investim do të krijojë kushte më të mira për turizëm, bujqësi dhe jetesë, duke mbështetur banorët dhe vizitorët që e duanë këtë pasuri natyrore. Po ashtu do të vazhdojmë ndërtimin e rrjetit të ndriçimit publik smart në të gjitha lagjet e komunës”, ka thënë Shehu.
Në Pejë kryetari Gazmend Muhaxheri tha se “Peja 0.4” është vizioni i tij për mandatin e katërt. Ai premtoi investim prej 1.8 milionë eurosh për ndërtimin e bibliotekës së qytetit e 1.2 milionë euro të tjerë i zotoi për zonën 2-hektarëshe me panele solare.
Muhaxheri premtoi të ndërtojë edhe Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare në vlerë prej 1.5 milionë eurosh e një parking prej 3 milionë eurosh.
“Peja 4.0 është vizioni im për mandatin e katërt - i ndërtuar mbi përvojën institucionale, bashkëpunimin me qytetarët dhe partneritetin me të gjitha palët zhvillimore. Me përvojën që kemi fituar së bashku jemi gati ta çojmë Pejën në një nivel edhe më të lartë”, u shpreh Muhaxheri.
Kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka premtuar se fokus i qeverisjes së tij, nëse fiton mandatin, do të jetë zhvillimi ekonomik. Ai është zotuar për funksionalizimin e parkut industrial.
“Fokusi kryesor i programit tonë është ekonomia, sepse ne si LDK edhe si parti e djathtë besojmë shumë që bizneset, ndërmarrësia janë shpirti i gjithçkaje për këtë shoqëri. Këto vitet e fundit problem ka qenë komuna, jo qeveria. Sepse Komuna e Prizrenit nuk ka aplikuar për marrjen e licencës, për licencimin e parkut industrial, që është një obligim ligjor. Ka me qenë çështje muajsh momenti kur ne arrijmë me i fitu zgjedhjet, me e funksionalizu atë park”, ka deklaruar Selmanaj.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e bëri përurimin e shtigjeve të reja prej 3 kilometrash që lidhen me ato ekzistueset në Gërmi, teksa premtoi që qasje në to do t’i sigurohet edhe Gollakut, brenda dy vjetëve të ardhshëm.
“Sot i kemi përuruar 3.2 km shtigje të reja që lidhen me shtigjet ekzistuese të Gërmisë. Në dy vitet e ardhshme i gjithë Gollaku do të jetë i ndërlidhur me shtigje, për të gjithë vrapuesit dhe adhuruesit e natyrës”, tha Rama.
Kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka premtuar investime të reja për qytetarët e Livoçit të Poshtëm dhe Blinajës.
Në një takim me banorët e këtyre zonave, ai është zotuar për ndërtimin e rrugëve të reja, ndriçim publik dhe investime tjera që, sipas tij, do të përmirësojnë jetesën.
“Në një atmosferë të jashtëzakonshme u takuam me qytetarët e Rrugës së Ferizajt, Livoçit të Poshtëm dhe Blinajës, njerëz punëtorë, të sinqertë dhe të vendosur që e duan ndryshimin e madh të 12 tetorit me zemër e me bindje. Në çdo fytyrë shihej shpresa për një qeverisje të re që dëgjon, që punon dhe që i mban premtimet. Folëm hapur për projektet që do të nisin shumë shpejt, për rrugë të reja, ndriçim publik, investime në lagje, përmirësim të jetesës dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë”, u shpreh Ismajli.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka premtuar se nëse merr edhe një mandat tjetër, prioritet i qeverisjes së tij do të jetë fuqizimi i grave. Në një takim që ka mbajtur me gratë ndërmarrëse, Ahmeti tha se kur gratë janë të fuqishme financiarisht, sipas tij, ka një shoqëri më të qëndrueshme.
“Sot kisha kënaqësinë të zhvilloja një bashkëbisedim me gratë ndërmarrëse nga Lipjani, të cilat me përkushtim dhe guxim po zhvillojnë bizneset e tyre të vogla në qytetin tonë. Fuqizimi i grave është ndër objektivat tona kryesore, kemi ofruar programe me grante, sepse kur gratë janë të fuqishme financiarisht, kemi një shoqëri më të qëndrueshme, më të drejtë dhe më të begatë”, ka thënë Ahmeti.
Fuqizimin e grave e ka listuar si prioritet edhe kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Ai ka premtuar se nëse fiton mandatin e ardhshëm, do të ndajë 500 mijë euro nga buxheti komunal për punësimin e grave. Gjatë vizitës që u bëri bizneseve në Vushtrri, ai u zotua për mbështetje të bizneseve që udhëhiqen nga gratë.
