Zgjedhjet 2025

Abdixhiku premton investime kapitale në vlerë 5 miliardë euro

lumir abdixhiku

Fushatën elektorale të shtunën, LDK-ja e ka koncentruar në rajonin e Dukagjinit. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka dalë para mbështetësve në Pejë, Deçan e Junik. Ai ka përsëritur zotimet elektorale të listuara në program dhe ka thënë se, qeveria e drejtuar nga LDK-ja do të shpenzojë për një mandat 5 miliardë euro në projekte kapitale. Ai ka premtuar përfundim të shpejtë edhe të projekteve, sikur është magjistralja Prishtinë-Pejë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat për kryeministër, ka premtuar të shtunën se nëse ai e drejton qeverinë, në projekte kapitale do të investohen 5 miliardë euro në katër vjet të mandatit qeverisës.

E ka përsëritur këtë në komunat e rajonit të Dukagjinit të cilat i ka vizituar.

Fillimisht turin e takimeve e ka nisur në Junik.

Abdixhiku ka premtuar edhe rritje ekonomike prej 5 për qind në secilin.

“Investimet kapitale e sidomos ato që vijnë në Junik, në infrastrukturë, në shkolla, në spitale, në qendra të reja mjekësore do të thotë më shumë para për komunitetin, më shumë para për sektorin privat, më shumë para për sektorin për të rinjtë e këtij vendi”, ka thënë Abdixhiku.

Në komunën që LDK-ja e rifitoi këtë vit, Abdixhiku e nisi fjalimin me kritika ndaj qeverisë aktuale, për të cilën tha se e ka mbajtur vendin në një “mjegull” për pesë vjet.

“E kemi vendin në mjegull, e pa dritë, jemi tash e 5 vjet. Në vendin e njëjtë, në rrethin e njëjtë, pa asnjë përparim përpara”, ka thënë ai. “Kjo është gjendje e papranueshme për Republikën e Kosovës prandaj timonin kombëtar do ta marrë Lidhja Demokratike e Kosovës”.

Ai qytetarëve të Junikut u premtoi edhe investime në zhvillimin e turizmit.

E, kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu tha se LDK-ja ofron zhvillim ekonomik dhe institucione funksionale.

“LDK ofron stabilitet, dialog, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe institucione funksionale që i shërbejnë qytetarëve. Në një kohë të polarizimit të thellë shoqëror, Kosova ka nevojë për një kryeministër që bashkon, që dëgjon dhe që merr vendime të bazuara në interesin publik”, ka thënë Shehu.

Përveç Junikut, LDK-ja pati aktivitete elektorale edhe në Deçan e Pejë.

Deçani është komuna e vetme nga tri sosh që i vizitoi, e ku nuk e ka fituar garën lokale LDK-ja.

Aty, Abdixhiku përmendi mjegullën si simbolikë.

“Rruga për në Deçan sot ishte e mbuluar me mjegull. Nga Prishtina, në Klinë, në Pejë e deri këtu; mjegull në çdo kthesë. Në mjegull njeriu nuk ndalet. Ecën më me kujdes. Kërkon dritë e drejtim. Ashtu është sot edhe Kosova. Jo pa njerëz, jo pa vullnet, por pa qartësi të mjaftueshme”, ka thënë Abdixhiku, i cili në Deçan foli “për nevojën e kthjelltësisë”.

E, në Pejë Abdixhiku ka thënë se fjala politike në këtë qytet ka pasur gjithmonë peshë.

“Këtu angazhimi ka qenë gjithmonë bindje, jo interes. Këtu LDK-ja nuk ka qenë thjesht parti, por kulturë politike dhe përgjegjësi ndaj vendit”, ka thënë ai, në komunën që qeveriset nga LDK-ja. “Sonte pejonët u ringritën edhe një herë, dhe me këtë na dhanë forcën e domosdoshme”.

Abdixhiku ka premtuar se Dukagjini do të ketë prioritet të veçantë në programin qeverisës të LDK-së, veçanërisht në lidhjen infrastrukturore, mbështetjen e bujqësisë dhe përpunimit, bizneset familjare si dhe zhvillimin e sistemeve të ujitjes. Ai ka theksuar se përfundimi i magjistraleve mbetet prioritet kombëtar, duke veçuar përfundimin e magjistrales Klinë-Gjakovë, si dhe magjistralet Prishtinë-Pejë, Pejë-Gjakovë, Mitrovicë dhe Podujevë.

“Do ta lidhim Dukagjinin siç e meriton. Do t’i përfundojmë magjistralet për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë. Infrastrukturë e zhvilluar do të thotë ekonomi më e fortë dhe jetë më e mirë për qytetarët”, u shpreh Abdixhiku.

Në përmbyllje, ai theksoi se zhvillimi nuk mund të realizohet pa shtet funksional, respektim të Kushtetutës, institucione që punojnë dhe partneritet të fortë me aleatët ndërkombëtarë.

Në të tria komunat, Abdixhiku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë, dhe ka kërkuar mobilizim me qëllimin për ta maksimizuar votën në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e katërt e fushatës