Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e katërt të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore

Haradinaj: Ne e trajtuam energjinë si çështje të sigurisë kombëtare

1 muaj më parë / 20 dhj 2025 22:55
aak

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka promovuar të shtunën punët e qeverisë që e ka udhëhequr vite më parë. Ai ka pyetur qytetarët se sa po u vjen fatura e energjisë elektrike, dhe ka listuar më pas veprimet që, sipas tij, janë ndërmarrë në kohën kur ka udhëhequr ekzekutivin.

“Gjatë asaj qeverisjeje: Çmimet për qytetarët ishin më të përballueshme, sepse energjia prodhohej brenda vendit, jo e varur nga importet e shtrenjta; U vendos drejtim i qartë për siguri energjetike dhe prodhim vendor; U ndal degradimi institucional i sektorit dhe u rikthye serioziteti në menaxhim; KEK-u u trajtua si aset strategjik shtetëror, jo si ndërmarrje për eksperimente politike; Prodhimi vendor nga Kosova A dhe Kosova B mbulonte pjesën dërrmuese të konsumit; Importi i energjisë ishte dukshëm më i ulët krahasuar me vitet e mëvonshme; U licencuan dhe u mbështetën projekte në energji diellore dhe të erës, duke diversifikuar burimet e prodhimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ish-kryeministri që ka udhëhequr qeverinë në dy mandate, por që asnjërin nuk e ka përmbyllur, ka thënë se disa çështje janë thelbësore për të ardhmen.

“U hap rruga për kapacitete të reja prodhuese, si bazë afatgjatë e sigurisë energjetike të Kosovës; Filloi implementimi i projektit për ndërtimin e termocentralit të ri ‘Kosova C’, si nevojë strategjike për stabilitet energjetik; U trajtua seriozisht projekti i gazit amerikan, si alternativë moderne dhe më e pastër për furnizim energjetik”, ka shkruar Haradinaj. “U planifikua ndërtimi i termocentralit të ri me thëngjill, mbi parime të sigurisë dhe pavarësisë energjetike”.

Kryetari i AAK-së ka theksuar se Qeveria Haradinaj II e ka dëshmuar se “energjia nuk negociohet”.

Ai ka dhënë edhe premtime të tjera. Tek ka promovuar programin, me të cilin synon ta fitojë garën elektorale të 28 dhjetorit, janë dhënë zotime për zgjerim të investimeve publike deri në 1.5 miliardë euro në vit. Krahas kësaj, është premtuar rritje ekonomike prej 7 për qind në vit, hapje e mijëra vendeve të punës në sektorin prodhues, si dhe pagë minimale 500 euro, pagë mesatare 1000 euro.

“Asnjë familje pa mbështetje” është zotuar Haradinaj.

Ai ka zhvilluar fushatë edhe në Istog.

Aty ka thënë se takimi ishte mobilizues.

“Për disa orë, u ndanë ide, përvoja dhe pikëpamje që formësojnë qëllimin e përbashkët për një Kosovë më përparimtare. U fol për misionin që na bashkon, për përgjegjësinë që bartin kandidatët tanë dhe për domethënien e përfaqësimit politik në një kohë që kërkon qartësi, seriozitet dhe vizion afatgjatë”, tha Haradinaj. “Me struktura të mobilizuara, me ide të pjekura dhe me njerëz të vendosur, Aleanca do të jetë krah Kosovës”.

Fushatë kanë bërë edhe kandidatët e AAK-së për deputetë.

Besnik Tahiri fokusin e ka vënë te zhvillimi i komunave, për të cilat ka thënë se janë institucionet e shtetit që e ofrojnë shërbimin e parë për qytetarë.

Ai ka thënë se, për këtë, në programin e AAK-së janë dhënë 50 zotime programore: Ndërtimi i Zonave Ekonomike nëpër komuna: niveli qendror financon zonat ekonomike; Buxhet për Kontratën Kolektive: Ndarja e buxhetit qëmbulon zbatimin e Kontratës Kolektive; Rregullimi i shtretërve të lumenjve: Për zhvillimin e turizmit, rekreacionit dhe si burim jetese; Programi Nacional për Efiçiencën e Energjisë: Rritja e fondit për këtë qëllim; Program Kombëtar për impiantet për trajtimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave; Muze Historik në çdo komunë: dokumentimi i memories kolektive; Finalizimi i infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare 2030; dhe Investim në transportin publik: Në të gjitha vendbanimet e Kosovës.

Kurti: Vitin e ardhshëm vazhdojmë t’i rrisim pagat e shtesat

1 muaj më parë / 20 dhj 2025 22:53 Nga: Ardona Popova
albin kurti

Në tubimin elektoral në Ferizaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 28 dhjetorit kandidon për mandatin e tretë si kryeministër, ka numëruar projektet që qeveria e tij i ka realizuar deri më tash.

Para mbështetësve të mbledhur në palestrën “Bill Clinton”, Kurti të shtunën ka listuar si të arritur të qeverisjes së tij rritjen e pensioneve për të moshuarit nga 90 në 150 euro teksa është zotuar se gjyshërit që kujdesen për nipat dhe mbesat do të marrin edhe nga 100 euro shtesë.

“Pensioni është rritur nga 90 euro sa e kemi gjetur në 150 euro për moshën mbi 65 vjeç, pra pensioni bazik, e për dy pensionistë kjo i bie një rritje prej 144 euro në atë familje. Kur kësaj ia shtojmë edhe nga 100 euro gjatë këtij mandati 4-vjeçar, pra pensioni i 13-të është marrë pesë herë për katër vjet...Kur punojnë të dy prindërit ata në vijim do të marrin edhe 100 euro shtesë secili mbi pensionin e tyre bazik. Kësisoj gjyshërit nuk janë më të detyruar të shpenzojnë pensionin për t’i gëzuar nipërit e mbesat, sepse tash edhe fëmijët i kanë mjetet e tyre përmes shtesave”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe shtesat për fëmijë.

“Shtesat për fëmijë i kemi gjetur 0 euro që do të thotë nuk i kemi gjetur fare. Ia filluam me 10 euro, pastaj 20 euro, 30 euro, së fundmi 45 euro e në mandatin e ardhshëm për ata që i kanë tre fëmijë shtesat do të jenë nga 90 euro”, është zotuar kandidati i LVV-së për kryeministër.

Kurti i ka përmendur edhe çerdhet për fëmijë të ndërtuara gjatë mandatit të tij qeverisës ndërsa për qeverisjet e mëparshme ka pasur kritika në këtë aspekt.

“I kemi përfunduar 74 çerdhe si projekte, renovim, ndërtim, rindërtim e kështu me radhë. Me ç’rast kjo duhet krahasuar me vetëm 4 çerdhe të atyre për 17 vjet para se të vijmë ne në qeveri. Merreni me mend 74 çerdhe ne për 4 vjet e 9 muaj, vetëm 4 çerdhe ata për 17 vjet”, është shprehur ai.

Kurti ka premtuar gjithashtu se, nëse e merr mandatin e tretë, qeveria e tij do të vazhdojë rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave.

“Në vitin e ardhshëm, jo vetëm që vazhdojmë t’i rrisim pagat me rritjen ekonomike dhe produktivitetin në rritje por njëkohësisht në vitin e ardhshëm me ligjin e ri për buxhetin 2026 do ta kemi edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik”, është zotuar ai.

Kryetari i Vetëvendosjes ka premtuar mbështetje për nënat lehona, të cilave është zotuar se do t’ua sigurojë nga 500 euro për gjashtë muajt e parë pas lindjes së foshnjave.

Para ferizajasve, ai ka bërë zotim që gjatë qeverisjes së ardhshme do të ketë vazhdim të mbështetjes në bujqësi, në ekonomi si dhe në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Sa i përket ushtrisë, e kemi gjetur me më pak së 2 mijë e 300 ushtarë, tashmë i ka më shumë se 5.000 ushtarë dhe njëkohësisht e kemi hequr tavanin për 5.000 ushtarë. Mund të bëhen edhe më shumë. Mosha e ushtarëve ka qenë 23-vjeçe, e kemi ngritur në 25. I kemi rreth 300 gra e vajza në ushtri, jemi të interesuar që të bëhen 1.000 gra e vajza në Ushtrinë e Kosovës. Por gjithashtu katërfish kemi pasur në trajnimet jashtë vendit trefishim të buxhetit dhe më shumë se 100-fishim të shpenzimeve për armatim dhe municion... Ne nuk e konsiderojmë që për ushtrinë tonë të blejmë tanke, neve nuk ka duhen tanket, por a e dini çka, nuk i duhen as Serbisë më, sepse me sistemin tonë antitank i bëhen të padobishme e të papërdorshme”, ka thënë Kurti.

E para tubimit në sallën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kurti ka bërë premtime edhe në Obiliq. Në këtë komunë, ai ka premtuar ndërtimin e një Qendre të re të Mjekësisë Familjare (QKMF), e cila ka thënë se do të ofrojë shërbime shëndetësore cilësore dhe lehtë të qasshme për të gjithë qytetarët.

Abdixhiku premton investime kapitale në vlerë 5 miliardë euro

1 muaj më parë / 20 dhj 2025 22:47 Nga: Ardona Popova
lumir abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat për kryeministër, ka premtuar të shtunën se nëse ai e drejton qeverinë, në projekte kapitale do të investohen 5 miliardë euro në katër vjet të mandatit qeverisës.

E ka përsëritur këtë në komunat e rajonit të Dukagjinit të cilat i ka vizituar.

Fillimisht turin e takimeve e ka nisur në Junik.

Abdixhiku ka premtuar edhe rritje ekonomike prej 5 për qind në secilin.

“Investimet kapitale e sidomos ato që vijnë në Junik, në infrastrukturë, në shkolla, në spitale, në qendra të reja mjekësore do të thotë më shumë para për komunitetin, më shumë para për sektorin privat, më shumë para për sektorin për të rinjtë e këtij vendi”, ka thënë Abdixhiku.

Në komunën që LDK-ja e rifitoi këtë vit, Abdixhiku e nisi fjalimin me kritika ndaj qeverisë aktuale, për të cilën tha se e ka mbajtur vendin në një “mjegull” për pesë vjet.

“E kemi vendin në mjegull, e pa dritë, jemi tash e 5 vjet. Në vendin e njëjtë, në rrethin e njëjtë, pa asnjë përparim përpara”, ka thënë ai. “Kjo është gjendje e papranueshme për Republikën e Kosovës prandaj timonin kombëtar do ta marrë Lidhja Demokratike e Kosovës”.

Ai qytetarëve të Junikut u premtoi edhe investime në zhvillimin e turizmit.

E, kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu tha se LDK-ja ofron zhvillim ekonomik dhe institucione funksionale.

“LDK ofron stabilitet, dialog, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe institucione funksionale që i shërbejnë qytetarëve. Në një kohë të polarizimit të thellë shoqëror, Kosova ka nevojë për një kryeministër që bashkon, që dëgjon dhe që merr vendime të bazuara në interesin publik”, ka thënë Shehu.

Përveç Junikut, LDK-ja pati aktivitete elektorale edhe në Deçan e Pejë.

Deçani është komuna e vetme nga tri sosh që i vizitoi, e ku nuk e ka fituar garën lokale LDK-ja.

Aty, Abdixhiku përmendi mjegullën si simbolikë.

“Rruga për në Deçan sot ishte e mbuluar me mjegull. Nga Prishtina, në Klinë, në Pejë e deri këtu; mjegull në çdo kthesë. Në mjegull njeriu nuk ndalet. Ecën më me kujdes. Kërkon dritë e drejtim. Ashtu është sot edhe Kosova. Jo pa njerëz, jo pa vullnet, por pa qartësi të mjaftueshme”, ka thënë Abdixhiku, i cili në Deçan foli “për nevojën e kthjelltësisë”.

E, në Pejë Abdixhiku ka thënë se fjala politike në këtë qytet ka pasur gjithmonë peshë.

“Këtu angazhimi ka qenë gjithmonë bindje, jo interes. Këtu LDK-ja nuk ka qenë thjesht parti, por kulturë politike dhe përgjegjësi ndaj vendit”, ka thënë ai, në komunën që qeveriset nga LDK-ja. “Sonte pejonët u ringritën edhe një herë, dhe me këtë na dhanë forcën e domosdoshme”.

Abdixhiku ka premtuar se Dukagjini do të ketë prioritet të veçantë në programin qeverisës të LDK-së, veçanërisht në lidhjen infrastrukturore, mbështetjen e bujqësisë dhe përpunimit, bizneset familjare si dhe zhvillimin e sistemeve të ujitjes. Ai ka theksuar se përfundimi i magjistraleve mbetet prioritet kombëtar, duke veçuar përfundimin e magjistrales Klinë-Gjakovë, si dhe magjistralet Prishtinë-Pejë, Pejë-Gjakovë, Mitrovicë dhe Podujevë.

“Do ta lidhim Dukagjinin siç e meriton. Do t’i përfundojmë magjistralet për Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Podujevë. Infrastrukturë e zhvilluar do të thotë ekonomi më e fortë dhe jetë më e mirë për qytetarët”, u shpreh Abdixhiku.

Në përmbyllje, ai theksoi se zhvillimi nuk mund të realizohet pa shtet funksional, respektim të Kushtetutës, institucione që punojnë dhe partneritet të fortë me aleatët ndërkombëtarë.

Në të tria komunat, Abdixhiku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë, dhe ka kërkuar mobilizim me qëllimin për ta maksimizuar votën në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Hamza premton rritje prej 50 për qind të pensioneve

1 muaj më parë / 20 dhj 2025 22:25
bedri hamza

Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, i është kthyer kampanjës që e ka karakterizuar atë të cilën e pati zhvilluar kryetari i parë i kësaj partie, Hashim Thaçi.

Të shtunën, ai e ka zhvilluar fushatën dorë me dorë me qytetarë në Ferizaj dhe Gjakovë dhe atyre u ka shpërndarë edhe kopje të programit, në të cilin janë të listuara premtimet kryesore në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në sheshin qendror të Ferizajt, i shoqëruar edhe nga kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ai ka bashkëbiseduar me qytetarë.

Një nga ta ia ka lavdëruar njerëzit që e rrethojnë.

“Ekipin e ke shumë të mirë”, i ka thënë një qytetar.

“Shumë”, i është përgjigjur Hamza.

Në mesin e qytetarëve me të cilët ka shtrënguar duart është edhe një mërgimtar.

“Nuk është mërgata siç propagandon ajo partia tjetër”, i ka thënë Hamzës ai.

E Hamza i është përgjigjur: “Mërgimtarët janë familjarë tanë. Jeni në shtëpinë e juaj, në vendin tuaj, në mes familjarëve tuaj. Bash për kë të doni votoni”.

Hamza, që është edhe kandidat për kryeministër, është zotuar për rritje deri në 50 për qind të pensioneve dhe të ndihmave sociale. Përmes një video-adresimi, ai premtoi se do t’i rrisë të gjitha pensionet për 50 për qind, për të gjitha kategoritë.

“Mbi të gjitha: Asnjë pension në Kosovë nuk do të jetë më i ulët se 250 euro. Kjo do të vlejë për pensionistët e moshës, pensionistët kontributdhënës, pensionet e kategorive të luftës, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet invalidore dhe të gjitha kategoritë e tjera, pa përjashtim. Ashtu si do t’i rris për 50 për qind të gjitha ndihmat sociale”, ka thënë Hamza.

E në takim me përfaqësues të sektorit privat dhe me punëtorë në qytetin e Gjakovës, kryetari i PDK-së premtoi mbështetje për këtë sektor, të cilin e kategorizoi si kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai para tyre është zotuar për ndryshimin e Ligjit për tatimin në pronë për objektet afariste, për të cilin ka thënë se është miratuar gjatë qeverisjes aktuale.

“Nëse unë jam kryeministër, nuk do të rritet tatimi në pronë”, ka thënë ai. “Ja kam me e ndërru atë ligj se përnjëmend, të rritet tatimi në pronë për më shumë se 200 për qind është tepër shumë, është e papërballueshme”.

Në Gjakovë, kandidati i PDK-së për kryeministër është zotuar edhe për heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike, me qëllim të uljes së faturave për qytetarë e biznese.

“Si kryeministër, do të jem partner i sektorit privat: mbështetje, grante dhe politika që krijojnë vende pune dhe rrisin paga. Do ta ndryshojmë Ligjin për Tatimin në Pronë dhe do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për fatura më të ulëta dhe më shumë zhvillim”, ka thënë ai.

Hamza zhvilloi takime elektorale edhe në Klinë e Pejë. Edhe në këto komuna prezantoi premtimet kryesore, të fokusuara në rritje të pagave.

Fushatë bënë edhe kandidatët për deputetë.

Enver Hoxhaj ka takuar pensionistë, për të cilët ka thënë se do të marrin kujdesin e merituar nëse PDK-ja fiton garën elektorale.

“Pensionistët janë ata të cilët ndërtuan një Kosovë me punë, sakrificë dhe dinjitet. Ata mbajtën familjet, ekonominë dhe shtetin, dhe idealin e Republikës në kohë më të vështira. Tani është radha që shteti të kujdeset për ju”, ka thënë Hoxhaj. “Nën udhëheqje të Partisë Demokratike të Kosovës, qeveria e ardhshme do t’i rrisë të gjitha pensionet mbi 50 për qind. Në qeverisjen tonë, dinjiteti i pensionistëve është i paprekshëm. Ky është obligimi ynë, ky është premtimi ynë”.

Ndërkaq, në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Hamza ka paralajmëruar vizita nëpër qytete të Kosovës, me synimin që të ketë takime të drejtpërdrejta me qytetarë dhe me përfaqësues biznesesh, si dhe për ta shpalosur programin e tij për punë, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.

Haradinaj: Gjatë qeverisjes sime u dëshmua se energjia nuk negociohet

1 muaj më parë / 20 dhj 2025 18:37
Ramush Haradinaj

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij ka dëshmuar se “energjia nuk negociohet”.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se gjatë qeverisjes së tij energjia elektrike ishte trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare.

“Gjatë asaj qeverisjeje: -Çmimet për qytetarët ishin më të përballueshme, sepse energjia prodhohej brenda vendit, jo e varur nga importet e shtrenjta -U vendos drejtim i qartë për siguri energjetike dhe prodhim vendor -U ndal degradimi institucional i sektorit dhe u rikthye serioziteti në menaxhim -KEK-u u trajtua si aset strategjik shtetëror, jo si ndërmarrje për eksperimente politike- -Prodhimi vendor nga Kosova A dhe Kosova B mbulonte pjesën dërrmuese të konsumit -Importi i energjisë ishte dukshëm më i ulët krahasuar me vitet e mëvonshme -U licencuan dhe u mbështetën projekte në energji diellore dhe të erës, duke diversifikuar burimet e prodhimit”, ka thënë ai teksa ka shtuar se janë marrë edhe veprime për të ardhmen: “-U hap rruga për kapacitete të reja prodhuese, si bazë afatgjatë e sigurisë energjetike të Kosovës -Filloi implementimi i projektit për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova C”, si nevojë strategjike për stabilitet energjetik -U trajtua seriozisht projekti i gazit amerikan, si alternativë moderne dhe më e pastër për furnizim energjetik -U planifikua ndërtimi i termocentralit të ri me thëngjill, mbi parime të sigurisë dhe pavarësisë energjetike”.

Njëkohësisht, nëse bëhet kryeministër pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Haradinaj ka premtuar të zgjerojë investimet publike deri në 1.5 miliardë euro në vit, të rrisë Bruto produktin e brendshëm mbi 7 për qind, të hapë mijëra vende pune në sektorë prodhues, të bëjë pagën minimale 500 euro e atë mesatare 1000 euro dhe se asnjë familje të mos mbetet pa mbështetje.

Haradinaj ka qenë kryeministër në dy raste. Së fundmi, për të cilën edhe ka shkruar, ishte në periudhën 2017-2020.

Hamza: Më 28 dhjetor votoni për një shtet që punon

1 muaj më parë / 20 dhj 2025 13:44
bb

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka qëndruar në Gjilan e nga atje u ka kërkuar qytetarëve që ta votojnë. 

Ai ka kërkuar votën për PDK-në në zgjedhjet e 28 dhjetorit tek ka theksuar se kjo parti iu shërben vetëm qytetarëve. 

“Nga Gjilani, sepse Kosova do të ecë përpara me të gjithë qytetarët e saj. Më 28 dhjetor, arroganca e pushtetit përballet me votën tuaj. Votoni numrin 130. Votoni për një shtet që punon dhe iu shërben vetëm qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook. 
 

Abdixhiku prezanton 10 zotimet e LDK-së për Kosovën

1 muaj më parë / 20 dhj 2025 11:27
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar publikisht 10 zotimet kryesore të LDK-së për Kosovën, duke i cilësuar ato si zotime të qarta, me plane konkrete dhe me përgjegjësi ndaj çdo qytetari. 

Në postimin e tij në Facebook, Abdixhiku ka bërë thirrje për qytetarët që të zgjedhin “shpresën për familjet, të rinjtë dhe të ardhmen e vendit”.

Programi i prezantuar parasheh rritje të pagave për sektorë kyç, përfshirë pagë 1000 euro për mësuesit dhe 900 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit, si dhe një reformë të drejtë të sistemit të pagave për rreth 80 mijë punëtorë publikë përmes koeficientit 150. 

Në program tutje janë premtuar edhe pensione prej 300 eurosh, duke e cilësuar pleqërinë si fazë që meriton respekt dhe dinjitet.

Sipas programit, çdo i porsalindur do të përfitojë 2,400 euro për 12 muaj, ndërsa të diplomuarit do të kenë 6 muaj pagesë dhe punësim të garantuar pas diplomimit. 

Investimet në arsim dhe fëmijë përfshijnë mësim tërëditor, ndërtimin e 80 çerdheve dhe një fond prej 1 miliard eurosh investim në fëmijë, si dhe trajnime ICT për 40 mijë të rinj.

Një tjetër pikë kyç të programit të LDK-së sipas Abdixhikut lidhet me aspektin e zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, për çka zotërohet për përfundimin e rrugëve strategjike kombëtare, përfshirë unazën e kryeqytetit, autostradën e Gjilanit dhe magjistralet kryesore të disa qyteteve. 

Programi përfshin gjithashtu projekte të mëdha kapitale si centrali me gaz, spitali i ri, stadiumi kombëtar dhe zhvillimi i Brezovicës, me synim sigurinë energjetike, shëndetësi moderne dhe zhvillim turistik kombëtar.