Kandidatët për kryetar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vazhduar takimet me qytetarë dhe biznese në kërkim të votave për një mandat të ri qeverisës në nëntë komuna ku ata garojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve. Kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka ftuar simpatizantët e LDK-së që të mos i votojnë bllokuesit. E kandidati për Junik, Ruzhdi Shehu ka paditur kundërkandidatin e tij për shpifje dhe e ka akuzuar atë për tentim për vjedhje votash
Kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në garën e balotazhit për kryetar të nëntë komunave krahas takimeve me qytetarë e biznese, kanë drejtuar kritika dhe akuza ndaj kundërkandidatëve të tyre.
Kandidati i LDK-së, për kryetar të Komunës njëherësh kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama në tubimin përmbyllës ka shpalosur akuzuar partinë në pushtet për bllokim.
“Ju kam fol edhe për bllokada sepse ato nuk janë fjalë, por mure që mundohemi me i shty edhe me i rrëzu për juve. Por ju e dini që unë nuk ndalem, sepse dashnia për qytetin nuk ndalet. Kur e do vendin punon për të edhe kur të pengojnë... Mos ja jep votën bllokadës. Mos ja jep votën smirës, dembelisë e përçarjes. Jepja punës, jepja vizionit”, ka thënë ai.
E lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku të premten vizitoi Dragashin në mbështetje të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Bexhet Xheladini.
“Në Dragash, isha veçanërisht i interesuar të vizitoj një projekt të jashtëzakonshëm kapital që më kishte rënë në sy në çdo vizitë këtu, e që kryetari ynë e kishte nisur dhe përfunduar pa ndihmën e askujt: fabrikën e ujit. Me kapacitet prej 5 milionë litrash në 24 orë, plot 15 fshatra dhe vetë qyteti i Dragashit, për herë të parë në gjithë historinë e tyre, kanë ujë të pijshëm. Kur 25 mijë banorëve u zgjidhet problemi kryesor me një projekt të tillë, e kupton se sa fisnike di të jetë jeta në politikë”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe
Rama premton unazën e kryeqytetit, Shehu siguron mbështetjen e PDK-së në Junik
Garë më e ashpër është duke u zhvilluar për kryetar të Komunës së Junikut. Kryetari aktual që vije nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu ka paditur kundërkandidatin e tij, Agron Kuçin nga AAK-ja për shpifje dhe fyerje. Krahas kësaj e ka akuzuar edhe për tentim të blerjes së votave.
“Orëve të fundit kemi pranuar disa informacione nga qytetarët e Junikut, ku thuhet se eksponentët e AAK-së janë duke hyrë në shtëpitë e tyre dhe po tentojnë blerjen e votës. Për fat të mirë, në mandatin tonë të parë kemi instaluar kamerat e sigurisë në Junik dhe aktualisht e gjithë Komuna e Junikut monitorohet 24/7 nga këto kamera të sigurisë. Përndryshe e falënderojmë publikisht Policinë e Kosovës për angazhimin edhe përkushtimin e tyre sidomos gjatë ditëve dhe orëve të fundit. Absolutisht secili rast është duke u raportuar dhe duke u trajtuar nga organet kompetente”, ka deklaruar Shehu.
Bashkëpartiaku i Shehut, Xhafer Gashi që po garon edhe për një mandat qeverisës në Obiliq, përmes një videomesazhi ka premtuar vazhdim të subvencioneve për bujqit.
“Siç e kemi bërë edhe në katër vitet e fundit, do të vazhdojmë të subvencionojmë ndërtimin e serrave, ndërtimin e minifermave për fermerët, pajisjet e ndryshme për bujqit tanë... Do të vazhdojmë të subvencionojmë sepse është e domosdoshme që bujqit tanë të kenë lehtësira, do të subvencionojmë me sera, me pajisje të ndryshme, pastaj do të subvencionojmë edhe qumështin për fermerët tanë”, ka thënë Gashi.
Edhe
Partia më e vjetër në Kosovë asesi të gjejë stabilitet
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, i cili po kandidon edhe për një mandat qeverisës, ka prezantuar punët në rregullimin e rrugës në fshatin Loxhë, dhe vendosjen e rrethojave mbrojtëse në shëtitoren përgjatë Lumbardhit.
LDK-ja është në garë për balotazh edhe në Gjilan, Fushë-Kosovë, Viti dhe Suharekë.