Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryetari i Prishtinës me mesazh për kryetarin e LDK-së dhe kandidaten e kësaj partie për presidente

Perparim RAma-Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Përparim Rama ka kërkuar bashkim të Lidhjes Demokratike në luftën kundër asaj që e ka quajtur autokraci – akuzë kjo që shpesh është bërë ndaj Albin Kurtit edhe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. E ka bërë këtë, në kohën kur edhe Abdixhiku e edhe Osmani, kanë dhënë sinjale pro një koalicioni me Vetëvendosjen, të cilën e drejton Kurti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar që Lidhja Demokratike (LDK) të bëhet bashkë, për ta luftuar, atë që e ka quajtur autokraci dhe ta mbrojtur demokracinë.

Pas një ngjarjeje të organizuar nga Komuna e Prishtinës në nder të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Rama u pyet për raportin me tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai tha se fokusi duhet të zhvendoset tek e ardhmja e shtetit, e jo tek emrat e përveçëm.

“LDK-ja ka qenë bashkë, duhet të jetë bashkë dhe të vazhdojë bashkë. Kjo është ajo që duhet të ndodhë. Nuk është këtu për një person, nuk është për mua as për dikë tjetër, është për të ardhmen e vendit tonë, është për ta mbrojtur demokracinë në këtë vend, ta luftojë autokracinë. Këto janë temat”, ka thënë Rama.

Abdixhiku, por edhe Vjosa Osmani, gjatë fushatës vazhdimisht e kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti për qasje autoritare.

Mirëpo në deklarimet pas 7 qershorit, të dy janë shprehur të gatshëm për një marrëveshje me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

Ndërkaq, Rama nuk është marrë në mbrojtje nga asnjëri prej tyre, pas një lufte akuzash me eksponentë të Vetëvendosjes. Ai, ndonëse nuk është formalisht anëtar i LDK-së, por ka fituar garën në kryeqytet si kandidat i kësaj partie, ka treguar afërsi me kryetar degësh që ia kanë kërkuar dorëheqjen Abdixhikut, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ndonëse Osmani ishte e nominuara e LDK-së për presidente gjatë fushatës, ajo në deklarime publike ka thënë që nuk do të lejojë që emri i saj të bëhet pengesë për krijimin e institucioneve.

Javën e kaluar, tri degë të LDK-së kërkuan dorëheqjen e kryetarit Abdixhiku për shkak të humbjes në zgjedhje.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, deklaroi se unitetin në LDK do e garantonte kandidatura e tij ose e Abdixhikut për president. Por më vonë, Haziri sqaroi që e nominuara e partisë për presidente mbetet Osmani.

KOHA ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryetari i LDK-së, Abidxhiku, por edhe nga zyrtarë të tjerë të partisë nëse është tërhequr Osmani nga kandidatura për presidente, por edhe a është tërhequr LDK-ja nga kërkesa për këtë post, por gjatë të enjtes nuk ia ka dalë.

Para zgjedhjeve, Abdixhiku refuzoi dy oferta të Kurtit për të zgjedhur presidentin. E para ishte që LDK-ja të votojë presidentin e Vetëvendosjes, e në këmbim të marrë postin e kryekuvendarit; e dyta që LDK-ja të përfshihej në bashkëqeverisje me një zëvendëskryeministër dhe katër Ministri në këmbim të votës për kreun e shtetit, po ashtu nga LVV-ja.