Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në LDK thonë se Abdixhiku s’u konsultua për emrin e Sejdiut, nesër mblidhet Kryesia e partisë

Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk e ka diskutuar me strukturat e partisë emrin e Bekim Sejdiut për president, të cilin e bëri të ditur sot vetë ai në një konferencë për media pas takimit të zhvilluar në hapësirat e Kuvendit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur për KOHËN në kushte anonimiteti një nga deputetët e LDK-së.

Një tjetër burim brenda partisë i ka thënë KOHËS se të martën në orën 14:00 do të mblidhet Kryesia e LDK-së e më pas do të ketë mbledhje edhe me Grupin Parlamentar. Rendi i ditës nuk është bërë i ditur. Por, në takim pritet që Abdixhiku ta kërkojë garancinë e deputetëve për votimin e Sejdiut për president.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka shprehur bindjen se LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje, pasi sipas tij, shteti është më i rëndësishëm se interesi partiak.

“LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak. Këtë e kemi besuar gjithmonë. Këtë po e dëshmojmë edhe sot. Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me President dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë - rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgjë në kthim për veten. Sepse e do shtetin më shumë se sa veten”, ka shkruar ai.

Emri i Sejdiut u prezantua të hënën pas takimit të zhvilluar nga Kurti dhe Abdixhiku në orën 12:00. 

Sejdiu ka pranuar propozimin për të kandiduar për president, duke thënë se është vënë në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ai ka theksuar se ndonëse ambicia e tij ka qenë kryesisht e orientuar drejt fushave akademike dhe profesionale, ka vendosur ta pranojë propozimin duke pasur parasysh përgjegjësinë që bart posti i presidentit dhe rrethanat aktuale politike në vend.

Edhe Përplasja për marrëveshjen me Kurtin thellon ndasitë në LDK Arbëri Përplasja për marrëveshjen me Kurtin thellon ndasitë në LDK

Të dielën në një intervistë për Kosovapress, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se i takon Abdixhikut të sigurojë zbatimin e marrëveshjes nga Grupi Parlamentar i kësaj partie.

Rrustemi ka thënë se LVV-ja nuk mund të flasë për sjelljen individuale të deputetëve të LDK-së, por përgjegjësia për menaxhimin e tyre i takon Abdixhikut.