Zgjedhjet lokale

Ismaili premton siguri në shkollat e Prishtinës, Hajdari ringjalljen e “Rrugës së Zejtarëve” në Drenas

Uran Ismaili

Shkollat, uji i pijshëm, zhvillimi ekonomik e mirëqenia sociale ishin disa nga sektorët për të cilët dhanë premtime e shpalosën programe kandidatët e Partisë Demokratike për kryetar komunash. Uran Ismaili, në garën e tij për kryetar të Prishtinës, ka premtuar angazhimin e 200 oficerëve në shkolla. E, në Drenas, kandidati Petrit Hajdari u zotua për ringjalljen e “Rrugës së Zejtarëve”

Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar siguri në shkolla gjatë takimit që zhvilloi te enjten me përfaqësues të organizatave që merren me arsimin parauniversitar.

Gjatë prezantimit të planit për arsim, Ismaili u zotua se nëse zgjidhet kryetar, do të angazhojë 200 oficerë në shkolla për të rritur sigurinë. Krahas kësaj, tha se do ta shtojë edhe numrin e psikologëve e të asistentëve për fëmijë.

“Për mua është tepër me rëndësi ta ndërtojmë një infrastrukturë që është miqësore, një rrjet që është i mjaftueshëm për lagjet dhe Prishtinën. Një ndikim në kualitet që nënkupton ndikim në mënyrën se si jepet dhe si nxihet mësimi. Një impakt për sigurinë e nxënësve në aspektin mental, në aspektin e sigurisë fizike”, ka theksuar Ismaili.

E në Drenas, kandidati për kryetar të kësaj komune, Petrit Hajdari, është zotuar se do ta ringjallë “Rrugën e Zejtarëve”.

“Zejtarët e Drenasit janë trashëgimtarë të një kulture pune që ka mbajtur gjallë ekonominë dhe dinjitetin e këtij vendi për dekada. ‘Rruga e Zejtarëve’ është respekt për historinë e punës, për duart që kanë ndërtuar, riparuar, krijuar”, ka thënë Hajdari. “Si kryetar, angazhimi im është i qartë: kjo rrugë do të bëhet me standard, me afat dhe me transparencë. Sepse Drenasi nuk ecën përpara duke harruar ata që e kanë mbajtur gjallë me punë të ndershme”.

E, në Suharekë, kandidati i PDK-së, Dardan Berisha, shpërndau një video nga vendi i njohur si “Pusi i Atit”, burim uji që furnizon komunën. Berisha tha se për ta zgjidhur problemin me ujë të pijshëm ka plan edhe hapjen e disa pjesëve të tjera.

“Me shpimin e dy puseve të reja, qyteti i Suharekës do të furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë. Fshatrat Gjinoc, Gelac, Leshan, Nepërbisht, Shirokë dhe zona ekonomike në Shirokë do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë. Me realizimin e këtij projekti, qytetit të Suharekës do t’i shtohen edhe 30 litra ujë në sekondë”, ka thënë ai.

Ndërkaq në Kamenicë, kandidatja Jona Arifi premtoi themelimin e një parku të biznesit.

“Një zonë e dedikuar për ndërmarrësit tanë, për zejtarët, për ata që duan të prodhojnë, të shpikin, të rrisin idetë e tyre. Kjo do të jetë një hapësirë moderne, me kushte të favorshme, ku bashkë do t’i japim jetë ekonomisë lokale”, ka deklaruar Arifi.

Në Kaçanik, kandidati Sabedin Vishi u kërkoi qytetarëve të vendosin për ta vazhduar qeverisjen lokale me PDK-në.

“Kaçaniku ka nevojë për vazhdimësi, për punë të mirë, për projekte të reja, për më shumë transparencë e kujdes, për një komunë që i dëgjon njerëzit dhe i trajton të gjithë me respekt. Duhet të ruajmë çfarë është bërë mirë dhe të përmirësohet çfarë mund të bëhet më mirë”, bëri thirrje Vishi.

E nënkryetari e kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka prezantuar një pjesë të planit të tij të mirëqenies shoqërore. Ai tha se këtë plan e ka të përfshirë në kuadër të shtyllës së gjashtë të programit të tij.

“Në kuadër të kujdesit për më të ndjeshmit dhe përfshirje sociale, ne do të ndërtojmë Shtëpinë e të Moshuarve. Mitrovica do të ketë një institucion modern për kujdesin e të moshuarve, që ofron strehim, shërbime shëndetësore bazike, aktivitete shoqërore dhe kujdes dinjitoz. Do të ofrojmë qendra ditore dhe do të ofrojmë ndihmë sociale për kategoritë në nevojë. Do të hapen dhe mbështeten qendra ditore për fëmijët, për përkujdesje prindërore, për personat me aftësi të kufizuara dhe për të moshuarit që kanë nevojë për shërbime ditore”, ka thënë ai.

Rrahim Tërnava, që kandidon për kryetar të Fushë-Kosovës, tha se ai do ta zgjidhë problemin me mbeturina.

“Me planin tonë për blerjen e kamionëve të rinj dhe një sistem të menaxhimit efikas, do të sigurojmë pastërti në çdo lagje dhe respekt për çdo familje të Fushë-Kosovës. Qyteti ynë do të jetë më i pastër, më i rregulluar dhe më i jetueshëm për të gjithë”, ka theksuar ai.

E në Vushtrri, kryetari Ferit Idrizi, që e synon mandatin e dytë, e ka prerë shiritin e sheshit të ri të qytetit dhe një parkingu nëntokësor. Këtë e quajti ndër projektet më të mëdha të qeverisjes lokale në histori të Vushtrrisë.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 27-të e fushatës