Zgjedhjet lokale

Ismaili: Nëse s’i përmbush 90% të premtimeve, s’garoj më për Prishtinën

Uran Ismaili

Uran Ismaili, që garon për herë të dytë për kryetar të Prishtinës, ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet dhe nuk i përmbush 90 për qind të premtimeve, nuk do të garojë më. Ai është zotuar për investime në infrastrukturë nëpër lagjet e kryeqytetit. Zotime janë dhënë edhe në komuna të tjera, në disa nga të cilat PDK-ja synon ta mbajë pushtetin lokal e në të tjera ta fitojë

Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryeqytetin, Uran Ismaili, është zotuar se nëse në mandatin e parë si kryetar nuk i përmbush 90 për qind të zotimeve të tij, nuk do të garojë më për kryetar Prishtine.

Ismaili ka dhënë këtë premtim, pas shpalosjes së disa prej planeve të tij për lagjen e Matiqanit, ku ka thënë se në katër vjet qeverisje, synon ndërtimin e çerdhes së re, renovimin e shkollës, ndërtimin e dy parqeve me lodra, furnizim të rregullt me ujë e rehabilitim të rrugëve dhe ndriçim të tyre. Gjithashtu është zotuar për krijimin e lehtësirave për të moshuarit.

“Me instalimin e 400 ashensorëve të rinj dhe fasadimin e ndërtesave, do të krijojmë kushte që të moshuarit të kenë jetë aktive komunitare dhe të jetojnë me dinjitet”, ka thënë ai.

E në Vushtrri, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar votë për kryetarin aktual e pretendentin edhe për një mandat, Ferit Idrizin. Ai ka kërkuar që kandidati i PDK-së të fitojë pa balotazh, pasi ka thënë se Idrizi e realizon gjithmonë atë që e premton.

“Unë jam i sigurt që mbështetja juaj sonte, dhe mbështetja që po e merr në fshatra të ndryshme, në lokalitete të ndryshme, qytetin e Vushtrrisë, duhet të jetë e mjaftueshme që ta kryejë punën me të parën, më 12 tetor dhe të mos ketë balotazh”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq Idrizi ka premtuar investime në fshatin Lumadh, aty ku mbajti takimin me banorë i shoqëruar nga Krasniqi.

“Do të vazhdojmë me investime, që Lumin e madh, vërtet këtë vend që na mbështet kaq fuqishëm, në mandatin tim ta bëjmë edhe me çerdhe për t’i edukuar fëmijët qysh nga fëmijëria e hershme”, ka premtuar ai.

Në Drenas, kandidati Petrit Hajdari ka takuar të rinjtë, para të cilëve ka kritikuar qeverisjen e deritashme të udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, i cili ka qenë në PDK, por në prag të zgjedhjeve formoi iniciativë të pavarur. Sipas Hajdarit, keqqeverisja ka ndikuar që të rinjtë ta projektojnë veten jashtë Drenasit.

“Jo domosdo në mërgim, ku do të ishte e kuptueshme. Por në qytete tjera të Kosovës që s’kanë më shumë potencial se Drenasi. Kjo ka qenë kryekëput pasojë e qeverisjes. Mendojmë ndryshe dhe veprojmë ndryshe”, ka thënë Hajdari. “I riu dhe e reja në Drenasin e së ardhmes, atë që do ta ndërtojmë bashkë, do të ëndërrojë, do të punojë e do ta ndërtojë të ardhmen e vet në Drenas. Këtu nuk ka kompromis. Kjo është urgjencë, sepse të rinjtë janë aset që nuk guxojmë ta humbasim”.

E në Ferizaj, kryetari Agim Aliu, që synon mandatin e tretë, ka premtuar se në platformën qeverisëse për ekonominë dhe bizneset, do të zhvillojë tri zona ekonomike në Babush, Gurëz e Mirash. Me këtë plan tha se do të mbështesë gratë sipërmarrëse dhe bizneset fillestare me orientim drejt zonave ekonomike, duke ofruar programe aftësish që i kërkon tregu dhe lidhje me rrjetet e eksportit.

“Skemë e dedikuar e granteve për bizneset në pronësi të grave, për pajisje pune, linja të vogla prodhimi, paketim, brendim dhe zgjerim aktiviteti”, ka premtuar Aliu.

Ndërkaq, kandidati për Mitrovicën, Arian Tahiri, ka premtuar se do të ndërtohet ura e re mbi lumin Sitnica dhe do të rregullohet e gjithë infrastruktura përcjellëse përgjatë lumit.

“Ura e re, shtigjet për ecje dhe vrapim, gjelbërimi, ndriçimi, ulëset dhe këndet e lojërave që do të rregullohen përgjatë brigjeve të lumit Sitnicë, do ta shndërrojnë këtë zonë në një hapësirë moderne dhe atraktive të Mitrovicës”, ka premtuar Tahiri.

Ndërkaq, Shaban Shabani, kandidat i PDK-së në Dragash ka thënë se trajtimi i ujërave të zeza do të jetë prioritet kryesor i tij.

“Tri impiante moderne për ujërat e zeza do të ndërtohen për të gjitha fshatrat dhe qytetin e Dragashit. Ky projekt është jetik për përmirësimin e shëndetit publik”, ka premtuar ai.

Ndërsa Bekim Azizi, kandidat për Vitinë, gjatë një vizite në Debelldeh premtoi se ky fshat do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë turistik dhe në një pikë të rëndësishme të turizmit në mandatin e ardhshëm, të cilin synon ta drejtojë ai.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 15-të e fushatës