Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 15-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Kandidati i AAK-së për kryetar të Vitisë zotohet ta rrëzojë hidrocentralin në Binçë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zhvilluar aktivitetin kryesor paraelektoral në Komunën e Vitisë, ku kryetari i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, ka premtuar reforma në arsim, ndërtimin e pistave të çiklizmit dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne.
Haradinaj ka deklaruar se në Viti ka pasur neglizhencë nga pushteti aktual, dhe ka theksuar se me kandidatin e AAK-së për kryetar, Labinot Bislimi, komuna mund të marrë drejtimin e duhur dhe të shndërrohet në shembull të zhvillimit për gjithë vendin.
“Kandidatin tonë për kryetar, Labinot Bislimin, e njoh prej vitesh. Njeri i përkushtuar, i drejtë dhe i dashuruar me qytetin e vet. Ai nuk e ka braktisur kurrë Vitinë, edhe pse është diplomuar në Francë dhe ka sjellë përvojë ndërkombëtare. Labi ka ditur të mbledhë rreth vetes një ekip profesionistësh e të rinjsh plot energji. Ai nuk flet vetëm për ndryshim, por ka plan konkret për ta bërë realitet Vitinë e së ardhmes”, ka thënë Haradinaj.
E, Bislimi është zotuar se nëse merr drejtimin e komunës, do të ndërmarrë hapa për rrënimin e hidrocentralit në Binçë, të cilin e ka cilësuar të paligjshëm.
“Nën qeverisjen tonë, ky abuzim me natyrën do të marrë fund. Hidrocentrali do të rrënohet pa humbur kohë: sa hap e mbyll sytë. Sepse Morava është fryma e Vitisë. Kush prek lumin, na prek ne të gjithëve. Dhe në këtë qytet nuk do të ketë më vend për padrejtësi të tilla. Shumë gjëra do të lëvizin: e mira publike nuk privatizohet”, ka thënë ai.
Aktivitete janë zhvilluar edhe në komuna të tjera.
Në Suharekë, kryetari aktual i komunës Bali Muharremaj, i cili synon edhe një mandat, ka zhvilluar një takim me të rinjtë. Ai ka theksuar se rinia është energjia që, siç tha, “kthen ëndrrën në realitet” dhe se do të mbetet prioritet i qeverisjes së tij edhe në mandatin e ardhshëm.
Ndërkaq, kryetari i Rahovecit, që po ashtu synon mandatin e ri si kandidat i AAK-së, ka marrë pjesë në disa aktivitete, përfshirë edhe ceremoninë e hapjes së një biznesi të ri. Ndërkaq, programin dhe projektet i ka shpalosur edhe në tubimin me banorët e Xërxës, si dhe nën nëndegën e tretë të AAK-së në Rahovec.
“Platforma jonë po përqafohet nga të gjithë qytetarët e Rahovecit”, ka thënë ai.
Prej vitesh AAK-ja e ka humbur pushtetin në Pejë, të cilin synon ta kthejë me kandidatin për kryetar, Ali Berisha. Të shtunën, ai ka dhënë zotime për shumë lehtësira për nxënësit.
“Pse duhet që nxënësit dhe prindërit të paguajnë për çdo shpenzim që ka shkolla? Ku është komuna? Ku është Drejtoria e Arsimit?”, ka pyetur ai. “Më 12 tetor, i japim fund njëherë e mirë kësaj neglizhence dhe arrogance të pushtetit aktual. Më 12 tetor, rikthehemi për Pejën tonë”.
Kritik është treguar edhe për një sektor tjetër.
“Peja dikur krenohej me sport, por sot gjendja e sportit, si me infrastrukturë, përkrahje institucionale e rezultate është më keq se ka qenë ndonjëherë. Me rikthimin tonë, sportistëve tanë dhe klubeve tona ua kthejmë dinjitetin që e meritojnë”, ka thënë Berisha. “Ky është ndryshimi, me qytetarin në qendër të vëmendjes: ujë i pastër, kanalizim funksional dhe shërbim i barabartë për çdo familje”.
Ai ka zhvilluar aktivitet elektoral edhe në Qyshk dhe ka theksuar se është nder i madh që “koncepti politik dhe programi ynë për Pejën po gjen mbështetje të gjerë”.
“Mbështetja nga gjenerali Agim Çeku dhe familja e gjerë Çeku na ofron motiv shtesë për fitoren e konceptit tonë politik dhe rikthimin për Pejën”, ka thënë Berisha.
Kandidatët e AAK-së kanë zhvilluar aktivitet elektoral edhe në një numër komunash të tjera, gjatë të cilit kanë kritikuar kryetarët aktualë dhe kanë dhënë zotime për ndryshime.
Abdixhiku: Muhaxheri, kryetar kampion
Gazmend Muhaxheri, i cili si kandidat i Lidhjes Demokratike (LDK) synon edhe mandatin e katërt të kryetarit të Pejës, ka dhënë një numër zotimesh për projekte kapitale, në tubimin elektoral të së shtunës në palestrën “Karagaçi”, ku mori pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai premtoi ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, një bibliotekë të re, si dhe një parkingu trekatësh në qendër të qytetit, e po ashtu edhe shkolla e çerdhe.
“Ndërtimin e sheshit ‘Ura e Zallit’, ‘Ura e re’, shëtitoren te ‘Ura e Zallit’, katër shkolla të reja, 4 çerdhe të reja, mbylljen e deponisë, impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Leshan dhe Krushevc. Do të ndërtojmë 60 kilometra rrugë asfalti nëpër qytet dhe fshatra, 10 kilometra rrugë në zonën industriale, 80 kilometra rrugë në Bjeshkët e Rugovës. Do të ndajmë subvencion për 40 hektarë mjedra, 300 traktorë, 1.4 milionë euro për sera. Do të ndërtojmë dy ura automobilistike të reja... Do të ndërtojmë hapësira gjelbëruese diku 50 ari buzë Lumëbardhit”, ka thënë Muhaxheri.
Kandidati i LDK-së promovoi edhe projektet e realizuara gjatë tri mandateve të tij, si ndërtimi i sheshit “Skënderbeu”, shtatë ura për këmbësorë, dy ura automobilistike, dhjetë shkolla e projekte të tjera.
E, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Peja ka qenë gjithmonë bastion i Lidhjes Demokratike dhe, sipas tij, do të mbetet pararojë e fitores në zgjedhjet e ardhshme.
Duke e quajtur Muhaxherin “kryetar kampion”, Abdixhiku e vlerësoi punën e tij në tri mandatet e kaluara, duke e cilësuar si model të qeverisjes lokale.
“Një njeri që ka fituar çdo betejë me punë, me dinjitet dhe me vizion. Ky njeri është Gazmend Muhaxheri – kryetari kampion i Pejës. Gazmend Muhaxheri është simbol i punës, i përkushtimit dhe i fjalës së mbajtur. Është njeriu që nuk premtoi kurrë më shumë se ç’bënte, por gjithmonë bëri më shumë se ç’premtonte. Është kryetari që e ka transformuar qytetin tonë nga themeli, që e ka kthyer Pejën në një emër të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve të saj”, ka thënë Abdixhiku.
Ai bëri thirrje për fitore në raundin e parë.
“Fitore dhe asgjë më pak se kaq. Fitore për Gazin që në raund të parë”, ka thënë Abdixhiku. “Peja është qyteti që kurrë nuk është dorëzuar. Është qyteti që kurrë nuk është lëkundur. Është qyteti që gjithmonë ka zgjedhur rrugën e drejtë. Peja ka qenë gjithmonë me LDK-në, Peja ka qenë gjithmonë me Rugovën”.
Gjatë ditës, edhe kandidatë të LDK-së që synojnë pushtetin në komuna të tjera, kanë zhvilluar aktivitet elektoral.
Në Prishtinë kandidati Përparim Rama që synon mandatin e dytë, ka vizituar shoqatën e grave pensioniste “Pojata”. Aty ka premtuar mbështetje për këtë kategori, duke theksuar se vizioni i tij është për një kryeqytet me mundësi për çdo brez.
Në Fushë-Kosovë kandidati Besnik Osmani ka premtuar investime e kushte më të mira sportive.
“Jemi në stadiumin ‘Isa Breznica’, këtu në Miradi të Epërme. Do të investojmë 500 mijë euro për një stadium që do t’i ketë rreth 350 ulëse dhe se do të plotësojë kërkesat për sportistët e këtij fshati dhe më gjerë. Edhe këtu, në Miradi të Poshtme do të ndërtojmë stadiumin e ri me një kapacitet 350 ulëse”, ka thënë ai.
Ndërkaq, në Mitrovicë kandidati Gëzim Plakolli ka vizituar klubin e futbollit “Trepça”. Aty ka theksuar se për pesë vjet me radhë ky klub është lënë pa kushte bazike, por premtoi se me LDK-në kjo nuk do të ndodhë më.
Në Prizren kandidati Driton Selmanaj ka premtuar ndërtimin e një stacioni modern multimodal, që do t’i lidhte trenin, autobusin dhe autostradën në një pikë të vetme, për ta lehtësuar qarkullimin brenda dhe jashtë qytetit.
Ndërsa në Ferizaj, Visar Azemi ka premtuar transformimin e tregut të vjetër, ndërtimin e një parku modern për rekreacion, si dhe krijimin e hapësirave multifunksionale për art, kulturë dhe aktivitete të tjera.
Çeku mesazh Ramës: Eja përballu e mos u fsheh pas kandidatëve të tjerë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, të shtunën e ka ftuar për të tretën herë në ballafaqim televiziv, kundërkandidatin Përparim Rama, i cili ka qeverisur me kryeqytetin përgjatë katër vjetëve të fundit.
Ai ka insistuar se debati duhet të jetë veç mes të dyve, dhe jo me kandidatë të tjerë në garë.
“Jam i sigurt që e ke kuptuar fort mirë ftesën time. Është mirë të mos fshihesh pas kandidatëve të tjerë. Unë të ftova për debat ku jemi vetëm ne të dy, si dhe moderatori. Ke qeverisur katër vjet me Prishtinën, më ke akuzuar për bllokadë. Ky është momenti i së vërtetës. Le të ballafaqohemi, le t’i shpalosim platformat tona. Këtë ia kemi për borxh qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Çeku. “Caktoje ditën, zgjidhe studion, aty do të jem”.
Ai ka zhvilluar aktivitete elektorale edhe në disa lokacione të Prishtinës. Ministri në detyrë i Kulturës ka takuar edhe artistë, të cilëve u ka premtuar fond për rregullimin e atelieve private.
“Do të krijojmë edhe një këshill të pavarur të artit e kulturës, që do të vendosë për grantet dhe investimet, duke garantuar transparencë e meritokraci. Përveç kësaj, do të ndajmë fonde për inovacion dhe krijimtari, ndërsa hapësirat e braktisura do t’i shndërrojmë në qendra kreative ku arti merr jetë dhe i jep frymë të re qytetit”, janë zotimet e Çekut për komunitetin artistik.
E, projekte urbanizmi që nuk i kanë kryer në mandatin e parë, kanë planifikuar t’i realizojnë në të dytin kryetari i Kamenicës Kadri Rahimaj e ai i Shtimes, Qemajl Aliu, të cilët synojnë edhe nga një mandat si kandidatë të Vetëvendosjes.
Në Kamenicë, Rahimaj u deklarua se zotimi i parë i tij është investimi në transportin publik për lidhjen e fshatrave me qytetin.
“Zotimi ynë i parë për mandatin tonë të dytë është transporti publik. Transporti publik i cili është më se i nevojshëm për ndërlidhjen e secilit vendbanim me qytetin dhe anasjelltas. Kamenica do të lulëzojë në mandatin tonë të dytë”, ka thënë ai.
E në Shtime, Aliu ka dhënë një numër zotimesh – nga investimi në sheshin dhe pedonalen e qytetit, e deri te ndërtimi i Ballkonit panoramë te “Kodra e Rinisë”.
“Revitalizimi i të gjitha rrugëve dhe trotuareve. Përfundimi i ndërtimit dhe rregullimit të shtratit të lumit Shtimjanja në tri segmentet. Ballkoni panoramë të ‘Kodra e Rinisë’. Shteg i ecjes përgjatë shtratit të lumit Shtimjanja që lidh rrugën ‘Hysiqi’ dhe me rrugën e tranzitit. Formalizimi dhe legalizimi i pronave në Qestë të Reçakut dhe te lagjja e pishave. Finalizmi i kanalizimit/kolektorit të ujërave të zeza dhe impiantit. Qendra të komunitetit në fshatra dhe lagje të qytetit bashkë-investim publiko-privat”, janë premtimet që për urbanizimin në Shtime dha Aliu.
Në Gjakovë, kandidati i LVV-së për kryetar të kësaj komune, Ardian Gola ka dhënë zotimin për krijimin e rrjetit të trotineteve dhe biçikletave elektrike. Në programin e tij Gola ka paraparë që të hartojë politika për lehtësimin e qarkullimit brenda zonës urbane, duke marrë parasysh parametrat e BE-së, aspektin tradicional dhe politikat për energji të pastër. Ai parasheh të krijojë 16 pika strategjike në qytet dhe në hyrje-daljet kryesore. Për përdorimin e tyre është planifikuar të ketë abonim dhe tarifa speciale për studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe përdoruesit e rregullt. Gjithashtu është zotuar për ofrimin e shërbimeve në ndërtesa.
“Duhet të ndërmarrim një iniciativë për ofrimin e shërbimit të ndërtesave, me ashensorë, me fasadim të jashtëm eficient, me mirëmbajtje të vazhdueshme”, ka thënë Gola.
Në Vushtrri, kandidati për kryetar Sylejman Meholli, gjatë një vizite në fshatin Maxhunaj, ka premtuar furnizim me ujë të pijes, çerdhe publike, shërbim stomatologjik e laboratorik, mbështetje për bujqit dhe fermerët, infrastrukturë moderne, fusha sportive e park, si dhe kënd të lodrave për fëmijë.
Edhe në disa komuna të tjera, kanë zhvilluar aktivitetin parazgjedhor kandidatët e LVV-së.
Ismaili: Nëse s’i përmbush 90% të premtimeve, s’garoj më për Prishtinën
Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryeqytetin, Uran Ismaili, është zotuar se nëse në mandatin e parë si kryetar nuk i përmbush 90 për qind të zotimeve të tij, nuk do të garojë më për kryetar Prishtine.
Ismaili ka dhënë këtë premtim, pas shpalosjes së disa prej planeve të tij për lagjen e Matiqanit, ku ka thënë se në katër vjet qeverisje, synon ndërtimin e çerdhes së re, renovimin e shkollës, ndërtimin e dy parqeve me lodra, furnizim të rregullt me ujë e rehabilitim të rrugëve dhe ndriçim të tyre. Gjithashtu është zotuar për krijimin e lehtësirave për të moshuarit.
“Me instalimin e 400 ashensorëve të rinj dhe fasadimin e ndërtesave, do të krijojmë kushte që të moshuarit të kenë jetë aktive komunitare dhe të jetojnë me dinjitet”, ka thënë ai.
E në Vushtrri, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar votë për kryetarin aktual e pretendentin edhe për një mandat, Ferit Idrizin. Ai ka kërkuar që kandidati i PDK-së të fitojë pa balotazh, pasi ka thënë se Idrizi e realizon gjithmonë atë që e premton.
“Unë jam i sigurt që mbështetja juaj sonte, dhe mbështetja që po e merr në fshatra të ndryshme, në lokalitete të ndryshme, qytetin e Vushtrrisë, duhet të jetë e mjaftueshme që ta kryejë punën me të parën, më 12 tetor dhe të mos ketë balotazh”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq Idrizi ka premtuar investime në fshatin Lumadh, aty ku mbajti takimin me banorë i shoqëruar nga Krasniqi.
“Do të vazhdojmë me investime, që Lumin e madh, vërtet këtë vend që na mbështet kaq fuqishëm, në mandatin tim ta bëjmë edhe me çerdhe për t’i edukuar fëmijët qysh nga fëmijëria e hershme”, ka premtuar ai.
Në Drenas, kandidati Petrit Hajdari ka takuar të rinjtë, para të cilëve ka kritikuar qeverisjen e deritashme të udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, i cili ka qenë në PDK, por në prag të zgjedhjeve formoi iniciativë të pavarur. Sipas Hajdarit, keqqeverisja ka ndikuar që të rinjtë ta projektojnë veten jashtë Drenasit.
“Jo domosdo në mërgim, ku do të ishte e kuptueshme. Por në qytete tjera të Kosovës që s’kanë më shumë potencial se Drenasi. Kjo ka qenë kryekëput pasojë e qeverisjes. Mendojmë ndryshe dhe veprojmë ndryshe”, ka thënë Hajdari. “I riu dhe e reja në Drenasin e së ardhmes, atë që do ta ndërtojmë bashkë, do të ëndërrojë, do të punojë e do ta ndërtojë të ardhmen e vet në Drenas. Këtu nuk ka kompromis. Kjo është urgjencë, sepse të rinjtë janë aset që nuk guxojmë ta humbasim”.
E në Ferizaj, kryetari Agim Aliu, që synon mandatin e tretë, ka premtuar se në platformën qeverisëse për ekonominë dhe bizneset, do të zhvillojë tri zona ekonomike në Babush, Gurëz e Mirash. Me këtë plan tha se do të mbështesë gratë sipërmarrëse dhe bizneset fillestare me orientim drejt zonave ekonomike, duke ofruar programe aftësish që i kërkon tregu dhe lidhje me rrjetet e eksportit.
“Skemë e dedikuar e granteve për bizneset në pronësi të grave, për pajisje pune, linja të vogla prodhimi, paketim, brendim dhe zgjerim aktiviteti”, ka premtuar Aliu.
Ndërkaq, kandidati për Mitrovicën, Arian Tahiri, ka premtuar se do të ndërtohet ura e re mbi lumin Sitnica dhe do të rregullohet e gjithë infrastruktura përcjellëse përgjatë lumit.
“Ura e re, shtigjet për ecje dhe vrapim, gjelbërimi, ndriçimi, ulëset dhe këndet e lojërave që do të rregullohen përgjatë brigjeve të lumit Sitnicë, do ta shndërrojnë këtë zonë në një hapësirë moderne dhe atraktive të Mitrovicës”, ka premtuar Tahiri.
Ndërkaq, Shaban Shabani, kandidat i PDK-së në Dragash ka thënë se trajtimi i ujërave të zeza do të jetë prioritet kryesor i tij.
“Tri impiante moderne për ujërat e zeza do të ndërtohen për të gjitha fshatrat dhe qytetin e Dragashit. Ky projekt është jetik për përmirësimin e shëndetit publik”, ka premtuar ai.
Ndërsa Bekim Azizi, kandidat për Vitinë, gjatë një vizite në Debelldeh premtoi se ky fshat do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë turistik dhe në një pikë të rëndësishme të turizmit në mandatin e ardhshëm, të cilin synon ta drejtojë ai.
Abdixhiku në Pejë: Fitore qysh në raund të parë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se synojnë fitore në zgjedhjet lokale në Pejë qysh në raund të parë.
Në tubimin në Karagaçi të Pejës, ai e ka quajtur Gazmend Muhaxherin “kryetar kampion”. Pejën e ka cilësuar bastion të LDK-së.
“Nuk ka sallë tjetër në Kosovë që jep dridhje si kjo sallë. Nuk ka vend tjetër në Kosovë që e përshkruan më mirë besimin, qëndrueshmërinë dhe forcën e një populli si kjo sallë. Këtu, gjithherë forca e qytetarëve është kthyer në fitore, këtu çdo brohoritje është kushtrim për Kosovën. Prandaj edhe sot, nga Karagaçi e nga Peja, kushtrojmë fort, kushtrojmë qartë, kushtrojmë zëshëm: Fitore dhe asgjë më pak se kaq. Fitore për Gazin që në raund të parë! Peja është qyteti që kurrë nuk është dorëzuar. Është qyteti që kurrë nuk është lëkundur. Është qyteti që gjithmonë ka zgjedhur rrugën e drejtë. Peja ka qenë gjithmonë me LDK-në, Peja ka qenë gjithmonë me Rugovën, Peja ka qenë gjithmonë me demokracinë, me lirinë, me shtetin. Dhe kështu do të jetë edhe sot, edhe nesër, edhe gjithmonë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Duke e quajtur Muhaxherin “kryetar kampion”, Abdixhiku vlerësoi punën e tij në tri mandatet e kaluara, duke e cilësuar si model të qeverisjes lokale dhe simbol të përkushtimit e rezultateve konkrete
Ai ka thënë se LDK-ja garon me një ekip profesionistësh që ofrojnë qeverisje të ndershme dhe vizion të qartë.
Tramvaji ishte pjesë e Planit Zhvillimor të Prishtinës që nga 2012-a
Premtimi i kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama, se që nga viti i ardhshëm në kryeqytet do të funksionojë një linjë tramvaji ka nxitur reagime të shumta. Megjithatë, ky projekt do të duhej të ishte realizuar që nga viti 2012.
Sipas Planit Zhvillimor Urban të Prishtinës 2012–2022, tramvaji ishte parashikuar si një mjet për të lehtësuar trafikun brenda qytetit.
Kjo do të thotë se premtimin e Ramës se në vitin 2026 do të ketë tramvaj në kryeqytet do të duhej ta kishin përfunduar kryetarët që ishin në tre mandatet e fundit, përfshirë edhe Ramën, i cili është aktualisht në krye të kryeqytetit.
Për më tepër, tramvaji është gjithashtu pjesë e Planit të Mobilitetit të Qytetit.
Sipas ilustrimit në video të Ramës, linja e tramvajit elektrik vitin e ardhshëm do të fillojë nga stacioni i trenit në Fushë-Kosovë, për të vazhduar në zonën industriale, te rrethi në hyrje të Prishtinës, më pas në rrugën “Bill Clinton” e te Mensa e Studentëve, për të vazhduar pranë shkollës “Ismail Qemali” me pikë të fundit rrethin te “Maxi24”.
Ismaili takon pensionistët: 400 ashensorë të rinj në objektet banesore
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, është takuar të shtunën me një grup pensionistësh në lagjen “Ulpiana”, ku ka prezantuar zotimet për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë.
Ismaili ka thënë se një Prishtinë funksionale është ajo ku edhe gjyshi e gjyshja mund të dalin lirshëm nga banesa dhe të jenë pjesë aktive e jetës komunitare.
Ai u zotua për ndërtimin e 400 ashensorëve në objektet banesore që nuk i posedojnë, si dhe krijimin e hapësirave komunitare ku të moshuarit të kenë mundësi për aktivitete dhe socializim, duke mos mbetur të izoluar brenda mureve të shtëpive të tyre.
Një prej problemeve që Ismaili ngriti gjatë këtij takimi ishte edhe mungesa e ndriçimit publik dhe prania e qenve endacakë, “që shpesh bëhen arsye pse të moshuarit ndihen të pasigurt për të lëvizur në mbrëmje”. Ai tha se këto do të trajtohen me prioritet, për të siguruar që qyteti të jetë i qasshëm dhe i sigurt për të gjitha moshat.
Çeku-Ramës: Debat ballë për ballë, pa kandidatë të tjerë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, i ka kërkuar kryetarit aktual Përparim Rama që të pranojë një debat vetëm mes tyre të dyve, pa praninë e kandidatëve të tjerë.
Fillimisht, Rama ishte shprehur i gatshëm për debat, madje kishte propozuar datën 6 tetor si “ditën ideale”. Pas kësaj, Çeku i bëri thirrje atij që të caktojë datën dhe studion e debatit televiziv.
Megjithatë, në një reagim të publikuar të shtunën në Facebook, Çeku theksoi se Rama nuk duhet të fshihet pas kandidatëve të tjerë. Ai tha se, duke qenë se është akuzuar për bllokadë, debati ballë për ballë do të ishte “momenti i së vërtetës”, por pa kandidatë të tjerë.
“Kryetar Rama, jam i sigurt që e ke kuptuar fort mirë ftesën time. Është mirë të mos fshihesh pas kandidatëve të tjerë. Unë të ftova për debat ku jemi vetëm ne të dy dhe moderatori. Ke qeverisur katër vjet në Prishtinë, më ke akuzuar për bllokadë. Ky është momenti i së vërtetës. Le të ballafaqohemi, le t’i shpalosim platformat tona. Këtë ia kemi për borxh qytetarëve të Prishtinës. Të lutem edhe një herë: caktoje ditën, zgjidhe studion – aty do të jem”, ka thënë Çeku.
VIDEO:


