Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se është duke trajtuar një ankesë lidhur me reagimin e policëve në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut gjatë ditës së djeshme (e hënë).
Sipas njoftimit të IPK-së, ka pretendime se policët kanë ndërmarrë veprime hetimore në QKN pa autorizimin e prokurorit kompetent.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se nga zyrtarët policorë që kanë reaguar dhe kanë hyrë në QKN nuk janë përfillur disa nga procedurat e parapara me Planin Operativ të PK-së të përgatitur për këtë proces zgjedhor”, thuhet në njoftim.
IPK-ja gjithashtu ka thënë se do të ndërmarrë edhe veprime të tjera në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë e Shtetit duke përfshirë edhe konsultat me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Në Mitrovicë të Jugut ka pasur pretendime për parregullsi. Mbrëmë u urdhërua të ndërpritej numërimi për shkak se në disa fletëvotime nuk përputhej numri serik. Në vendngjarje doli edhe kryeprokurori i Mitrovicës.
Nga KQZ-ja kanë thënë se bëhet fjalë për gabim teknik. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim. Pasditen e sotme, u urdhërua që të rifillohej numërimi.
Sipas rezultateve preliminare, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje e fitoi Mitrovicën.