Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim në Mitrovicë, pasi në Qendrën Komunale të Numërimit u shfaqën fletëvotime me kode serike që nuk përputheshin me kutitë. Prokuroria të hënën në mbrëmje ndërpreu procesin e numërimit, ndërsa të martën kompania që ka shtypur fletëvotimet ka thënë se bëhet fjalë për gabime teknike. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se bëhet fjalë për “kombinim të dështimit të PDK-së dhe të hibridëve”
Çka ndodhi në Mitrovicë?
Të hënën mbrëma u ndërpre numërimi në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut. Në qendrën e numërimit atje, shkoi policia e prokuroria nën dyshimin për manipulim me vota.
Pavarësisht se procesi i numërimit raportohej se filloi sërish, Prokuroria Themelore e Mitrovicës më vonë doli me njoftim zyrtar se përkohësisht numërimi i votave për kryetar komune në Mitrovicën e Jugut do të ndërpritet, në mënyrë që të hiqen të gjitha dyshimet.
Për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi sqarim zyrtar nga kompania sllovene e cila ka shtypur fletëvotimet. E kjo kompani të martën ka thënë se bëhet fjalë për gabim teknik.
“Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së për përgjigjen e kompanisë CETIS.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu ka thënë se për këtë përgjigje të kompanisë në fjalë është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit. Përveç në Mitrovicë të Jugut, një gabim i njëjtë teknik është evidentuar edhe në Gjakovë.
Ndërkohë, Qendra Komunale e Numërimit në Mitrovicë të Jugut është e mbyllur dhe po sigurohet nga Policia e Kosovës.
Policia, konkretisht Njësia Speciale e Kosovës, u desh të ndërhynte edhe të hënën për të larguar qytetarët të cilët u mblodhën para QKN-së në Mitrovicë të Jugut pas raportimeve për manipulim të votave se kishte mos-përputhje të numrit serik.
Paraprakisht, Jahir Sumiqi, kryesuesi i PDK-së në QKN, Mitrovicë e Jugut, tha se prokurori i rastit Njazi Rexha kërkoi vazhdimin e numërimit, por PDK-ja dhe partnerët e koalicionit të saj e bojkotuan procesin.
Sipas Sumiqit, më shumë se 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë apo nga vendvotimi në vendvotim. Ai ka thënë se këto fletëvotime në shumicën e rasteve i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.
PDK-ja edhe gjatë së martës ka deklaruar së në Mitrovicë ka pasur manipulim të votave. Madje përmes një konference për media, po kërkon edhe rivotim në këtë komunë.
“Të gjitha këto dyshime shtohen, kur ne e shohim që Mitrovica është e vetmja komunë në Kosovë, ku dalja në votime në balotazh është me madhe sesa në raundin e parë. Ju e dini, në vitin 2011, Mitrovica ka shkuar në rivotim për shkak të dështimit të baterive, si rrjedhojë e dështimit të KQZ-së për të garantuar proces zgjedhor të rregullt. Këtë herë, dështimi i KQZ-së është më i madh, më serioz dhe absolutisht më ndikues në lëndim të procesit”, ka thënë deputeti Përparim Gruda.
Kjo nuk mbeti pa reagimin e krahut tjetër. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkroi në Facebook se situata në Mitrovicë iu kthye në bumerang PDK-së e cila sipas Haxhiut vazhdimisht ka hedhur akuza ndaj Albin Kurtit.
“Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të. Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor. Dhe kur dështimi është kaq flagrant, natyrshëm kombinimi i dështimit të PDK-së dhe disa hibridëve del sërish në skenë”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Reagim ndaj akuzave të PDK-së se janë vjedhur votat në Mitrovicë të Jugut, pati edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ai shkroi në Facebook që para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, në zona që njiheshin si bastione të PDK-së, dalja në vendvotime ishte 120%.
“Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së. Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, shkroi Murati.
Në balotazhin e 9 nëntorit në Mitrovicën e Jugut, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje doli sërish i pari me 53.47% apo 17 mijë e 837 vota, ndërsa Arian Tahiri, nga PDK-ja mori 46,53% apo 15 mijë e 522 vota.