Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë nuk duhet të kalojnë me arsyetimin “gabim teknik” në fletëvotime.
Të hënën pasdite është ndaluar procesi i numërimin në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë për shkak të dyshimeve se kishte fletëvotimeve me numra serik që nuk përputheshin me qendrat e vendvotimeve.
Sipas Bajramit, kushdo që ka prekur votat, kushdo që ka guxuar të prekë vullnetin e qytetarëve, e ka vendin në burg.
“I bëj thirrje urgjente KQZ-së, Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve tjera ligjzbatuese të veprojnë dhe të qartësojnë gjithçka që ka ndodhur në Mitrovicë. Nuk duhet dhe nuk guxon të kalojë si diçka normale një gabim i ashtuquajtur “teknik” në fletëvotime. Askush nuk duhet të frikësohet nga zbardhja e së vërtetës. Procesi elektoral është lënduar dhe duhet sa më shpejt të ketë përgjigje dhe përgjegjësi”, ka shkruar ajo.
Rreth njëzet e dy orë pas ndërprerjes, në Mitrovicën e Jugut, ka vazhduar të martën pasdite procesi i verifikimit të votave që dy kandidatët për kryetar të kësaj komune, Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje, morën në rundin e dytë të votimit, më 9 nëntor.
Nga ky proces në mbrëmjen e së hënës janë tërhequr komisionerët e PDK-së e të LDK-së, shkaku i dyshimeve për keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor, pasi kanë hasur në fletëvotime numri i të cilave nuk ka përkuar me atë të vendvotimeve ku është votuar. Kutitë nga 105 vendvotime më pas u mbyllën me urdhër të prokurorisë.
Situata ka ndryshuar pasditen e së martës, kur për dyshimet e ngritura ka reaguar edhe kompania e cila i ka shtypur fletëvotimet. Në njoftimin e saj, thuhet se nga hetimi që kanë bërë kanë vërejtur se problemi ka ndodhur te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.
“Pavarësisht zbatimit të masave gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe kontrollove të rrepta bazuar në standardet më të lartë të cilësisë dhe sigurisë, ne marrim përgjegjësi të plotë për këtë gabim, i cili në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte. Fletët e votimit përfshijnë disa elementë sigurie që nuk mund të replikohen, prandaj besojmë se falsifikimi nuk mund të ketë qenë i mundur”, thuhet në njoftimin e kompanisë CETIS.
Pas sqarimit nga kompania, rifillimin e procesit të numërimit e ka urdhëruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik. Shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve të tilla, ndërkohë e ka kërkuar shoqëria civile.
Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.