LAJMET E MBRËMJES

KQZ thotë se gabime me numrat serikë të fletëvotimeve ka në shumë komuna

Një komision i veçantë i formuar të mërkurën nga KQZ-ja do të merret me vlerësimin e fletëvotimeve në të cilat u hasën dallime në numrat serikë të tyre. Për gabimet në to një raport tjetër është dorëzuar edhe nga kompania, por që në mbledhje nuk u dhanë shumë hollësi për përmbajtjen e tij. Në Mitrovicë ku u ngritën dyshime për rregullsinë e procesit, ka përfunduar verifikimi i votave të balotazhit - Faton Peci i LVV-së ka marrë 17,834 vota apo 3 vota më pak se në rezultatet preliminare, kurse Arian Tahiri i PDK-së 15,541 vota apo 19 vota më pak

Gabimet në numrat serikë të fletëvotimeve nuk janë bërë vetëm në komunën e Mitrovicës së Jugut e të Gjakovës por edhe në ato që janë shpërndarë nëpër komuna të tjera, ka konfirmuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, duke iu referuar një raporti të ri nga kompania që ka printuar fletëvotimet, ka thënë se informacione kanë marrë për të gjitha fletëvotimet, por se të njëjtat duhet konfirmuar nga hapja e kutive. 

“Në atë raport i saktësojnë gabimet në të gjitha dengjet e fletëvotimeve të printuara ku rezulton që në këto dengje janë votat e fundit, afër dy votat e fundit që kanë pasur numra të vendvotimeve të ndryshme, të ndonjë qendër tjetër apo edhe disa prej tyre të zbrazëta... Kanë dhënë numrin e saktë që kanë vlerësuar se kanë ndodhur gabimet, por që të gjitha ne dihet t’i konfirmojmë dhe verifikojmë nga kutitë e votimit”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e KQZ-së, me gjithë kundërshtimin e anëtarëve të PDK-së, është formuar një komision prej Sekretariatit, që do të merret me vlerësimin e fletëvotimeve të zgjedhjeve të raundit të dytë. 

“Me qëllim që të realizohet një vlerësim i detajuar për fletëvotime të përdorura dhe numrin e përgjithshëm të fletëvotimeve në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë, si dhe në komunat e tjera sipas mostrimit të bazuar në metodologjinë, është e nevojshme vendimmarrja për formimin e komisionit i cili do të bëjë hapjen e kutive”, tha Besnik Buzhala, ushtrues i detyrës së kryesuesit të Sekretariatit të KQZ-së.

Votën kundër këtij komisioni, paraprakisht e arsyetuan anëtarët e PDK-së në KQZ. Arianit Elshani tha se nga kompania që ka printuar fletëvotimet nuk kanë pranuar ndonjë raport zyrtar. Ai kontestoi krijimin e komisionit për vlerësim. 

“Si përfaqësues i PDK-së në KQZ, duke marrë në konsideratë disa palë zgjedhje, e di se në asnjë rast, kurdo që keni pasur ankesë në PZAP nuk janë iniciuar krijimet e komisioneve të analizave apo hetimore përgatitëse prej KQZ-së pa një kërkesë nga PZAP-ja. Këto analiza dhe raporte që e përfshijnë, konsideroj që janë një hap prej kompetencave që ka KQZ-ja”, ka deklaruar ai.

Anëtari tjetër i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, tha se nuk janë kundër verifikimit, por kundër hetimit, meqë sipas tij, për këtë kompetente janë PZAP-ja dhe Gjykata Supreme. 

“Ne parimisht nuk jemi kundër çdo verifikimi, thjesht verifikimet zakonisht janë bërë pas procesit zgjedhor. Do të duhej të hetoheshin nga vetë Prokuroria apo ndonjë komision i bërë nga PZAP. Këtë çështje mendoj që janë këto dy organe që do të duhej të krijojnë komisionin për ta hetuar sepse është shumë e ndjeshme”, tha ai.

Sipas Gashit, vendosja e numrave serikë në fletëvotime e në vendvotime bëhet me qëllim të ndaljes së “trenit bullgar”. 

Por, ndryshe e vlerësuan situatën anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ. 

Alban Krasniqi tha se raporti i ri i kompanisë që ka printuar fletëvotimet ka konfirmuar se dallime në numrat serikë të fletëvotimeve me ato të vendvotimeve ka pasur edhe në komunat e tjera. 

“Nga ju u tha dhe është mirë që kjo të shndërrohet në një komunikim publik që kemi fletëvotime që janë shtypur me gabime njëjtë si në rastin në Mitrovicë e Gjakovë. Kjo është mirë që të bëhet sa më parë publike, mirëpo jemi në një gjendje të një ankesë që është bërë dhe duhet të dinë edhe institucionet e tjera, këto gabime teknike që janë bërë të jenë transparente... që të mos ketë asnjë keqkuptim, se nuk ka asgjë më tepër sesa këto që janë thënë edhe nga KQZ-ja dhe nga kompania”, tha ai.

Sipas Krasniqit, trendi i gabimeve në fletëvotime, si ato që janë hasur në Mitrovicë e Gjakovë, mund të jetë më i madh.

Që të verifikohet nëse ka pasur trend të njëjtë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se do të merren mostra, gjatë procesit të verifikimit të fletëvotimeve. 

“Për komunat e tjera do të merren mostra se a ka qenë një trend i njëjtë. Është paraqitur rasti për Gjakovë nga këshillat e vendvotimeve ditën e votimit, ndërsa për Mitrovicë në mbrëmje dhe ka vazhduar edhe ditën e nesërme. Për komunat e tjera duhet të shikojmë mostrat. Raporti nuk është për PZAP-n]ë por për ne, së dyti është për Prokurorinë për shkak se kjo çështje në mbrëmjen e së mërkurës është hapur në prokurori, raporti duhet të jetë i detajuar për ne, për prokurorinë por edhe PZAP-në”, tha Radoniqi.

Rekomandimi i Sekretariatit mori përkrahjen e 8 nga 11 anëtarët e KQZ-së. Përveç dy anëtarëve të PDK-së që votuan kundër, për formimin e tij abstenoi Muharrem Nitaj i AAK-së.

Ndërkaq, të mërkurën, përfundoi procesi i verifikimit të votave që dy kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i LVV-së, morën në balotazhin që u zhvillua të dielën. Procesi në Qendrën Komunale të Numërimit të këtë komunë u ndërpre mbrëmjen e së hënës, rreth 9 orë nga nisja e tij, deri pasditen e së martës, pas dyshimeve për keqpërdorim të votave, shkaku i mospërputhjes së numrave serikë të disa fletëvotimeve me atë të vendvotimit ku është votuar.

Nga të dhënat prej verifikimit të QKN-së, Peci ka marrë 17,834 vota, kurse Tahiri 15,541 vota. Që të dy kanë pësuar ndryshime në vota krahasuar me rezultatet preliminare, të shpallura nga KQZ-ja të dielën.

Peci i LVV-së, sipas rezultateve preliminare, ka marrë 3 vota më pak se ato të verifikuara, kurse Tahiri i PDK-së 19 vota më pak se ato të verifikuara.