Gjashtë kandidatë kanë aplikuar për pozitën e drejtorit të Policisë së Kosovës në konkursin i cili ka qenë i hapur nga data 5 deri më 19 nëntor.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kandidatët që kanë aplikuar për këtë pozitë janë: Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi
“Më 5 nëntor 2026, Ministria e Punëve të Brendshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka shpallur konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Sipas njoftimit publik, afati për aplikim ka qenë i hapur deri më 19 nëntor 2026. Brenda këtij afati kanë aplikuar gjithsej gjashtë (6) kandidatë: Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi. Komisioni për Emërime të Larta në Polici (KELP) do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 13/2012 – MPB për Themelimin, Përbërjen dhe Procedurat e Komisionit për Emërime të Larta në Polici”, ka thënë Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për KOHËN.
Ish-drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ushtrues detyrë në këtë pozitë është caktuar Fehmi Hoti.