Eksportet e Kosovës në tetor kanë shënuar rritje prej 35.3 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ndërsa importet në këtë periudhë janë rritur për 12.5 për qind.
Sipas Agjencisë së statistikave të Kosovës eksporti mbulon importin me 17.8 %.
Sipas këtyre të dhënave eksporti i mallrave në muajin tetor 2026 kishte vlerën 124.2 milionë euro, ndërsa importi 699.3 milionë euro.
“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 8.5 % në muajin tetor 2026, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 575.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 530.0 milionë euro në vitin 2025”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.3 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 20.6 % e përbëjnë produktet minerale; 10.7 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.7 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani e 8.1 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 18.6% e përbëjnë produktet minerale; 12.3 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.0 % e përbëjnë mjetet e transportit e 9.3 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre.
Sipas ASK-së eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 35.3 milionë euro, ose rreth 28.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.8 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania me 9.5 %, Holanda me 2.9 % e Italia me 2.2 %.
Tutje në njoftim thuhet se importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 283.6 milionë euro, ose 40.6% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-0.2 %). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania me 12.8 %, Greqia me 5.7 % e Italia me 4.5 %.
Në njoftim janë paraqitur edhe të dhënat për eksportet dhe Importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s.
“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 65.9 milionë euro, ose 53.1 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 66.4 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (28.7 %), Maqedonia e Veriut (11.4 %), Serbia (6.7 %), Mali i Zi (4.2 %), etj. Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 84.7 milionë euro, ose 12.1 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.3 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5.2 %), Serbia (3.1 %), dhe Shqipëria (2.5 %)”, thuhet në njoftim.
Ndërsa eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 22.9 milionë euro, ose 18,5 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra me 9.0 % dhe Turqia me 2.4 %.
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 330.9 milionë euro, ose 47,3 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina me 15.5 % dhe Turqia me 10.6 %.