Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve me inicialet I.M., dhe M.M., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa ndaj K.S. për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
I.M. dhe M.M. akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit I.M., dhe M.M., në bashkëkryerje, nga një periudhë e pavërtetuar e deri më 2 prill 2026, kanë kultivuar bimën “Cannabis Sativa” në një shtëpi me qira, në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve.
I pandehuri. I.M., thuhet se ka financuar këtë veprimtari, duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M., është marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike.
“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, më 2 prill 2026, në këtë shtëpi është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit, ku janë sekuestruar pajisje të shumta për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pajisje matëse, pompa, materiale dhe shënime me udhëzime për kultivimin e “Cannabis Sativa”, si dhe gjithsej 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike. Nga ky numër, 450 vazo janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborrin e saj. Gjatë kontrollit janë sekuestruar mostra të bimëve, të cilat sipas ekspertizës kanë rezultuar se përmbajnë kanabis”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjithashtu, më 2 prill 2026, në një deponi në Prizren, janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se i pandehuri M.M., kishte tentuar t'i asgjësonte.
Përveç kultivimit të bimëve narkotike, I.M., dhe M.M., akuzohen edhe për posedim të paautorizuar të armëve. “Gjatë kontrolleve, në shtëpinë e I.M., janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në shtëpinë e M.M., një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, K.S., akuzohet se, më 31 mars dhe 1 prill 2026, ka ndihmuar M.M., në asgjësimin e bimëve narkotike, duke bartur me automjetin e tij, thasët e mbushur me bimë “Cannabis Sativa” nga shtëpia drejt deponisë në Prizren, me qëllim të asgjësimit të tyre.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.