Shkollat nëpër Gjermani dhe Danimarkë, kanë pranuar kërcënime për bomba të hënën përmes emaileve, ka bërë të ditur policia.
Veprimi shënon vazhdimin e një vale të kërcënimeve të ngjashme nëpër vende të ndryshme të Evropës.
“Deri më tani, nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se shkollat me të cilat kemi kontaktuar po përballen me ndonjë kërcënim konkret”, ka deklaruar policia në qytetin Freiburg, në jugperëndim të Gjermanisë, duke shtuar se në mbarë vendin janë prekur 450 shkolla.
Policia e Berlinit ka dhënë këshilla të ngjashme, ndërsa policia në landin e Turingisë ka deklaruar veçmas se u kishte kërkuar shkollave të vazhdonin aktivitetin normal, pasi qëllimi i dukshëm i autorëve ishte të përhapnin frikë, pa ndërmarrë ndonjë veprim.
Policia daneze ka thënë ndërkaq se po hetonte kërcënimet për bomba të drejtuara ndaj disa shkollave në të gjithë Danimarkën, duke theksuar gjithashtu se aktualisht nuk kishte arsye për shqetësim.
Një seri alarmesh të rreme dhe sulmesh kibernetike kanë goditur së fundmi shkolla, supermarkete, banka gjaku, sisteme të trafikut ajror dhe transmetues televizivë në të gjithë Evropën, duke penguar jetën e përditshme.
Javën e kaluar, më shumë se 10 shkolla në Spanjë janë evakuuar pasi kishin marrë kërcënime për bomba përmes postës elektronike.
Edhe në Itali, shkollat janë evakuuar në fillim të këtij muaji, pasi mijëra prej tyre morën kërcënime për bomba përmes emailit.