Zgjedhjet lokale

Përfundon procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë

Mitrovicë

(Artikull i përditësuar - 14:03) - Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës.

Procesi është zhvilluar gjatë ditës nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe dy hetuesve policorë të caktuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas vendimit për rifillimin e numërimit të ndërprerë të hënën për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.

Nga të gjitha vendvotimeve të procesuara, sipas të dhënave të KQZ-së, rezultati mes kandidatëve është 53,44 për qind për Faton Pecin e Vetëvendosjes dhe 46,56 për qind për Arian Tahirin e PDK-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KOHËN se numri i përgjithshëm i vendvotimeve që janë verifikuar në QKN është 105, ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka filluar një ditë më parë.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se të gjitha dëshmitë dhe faktet që kanë për keqpërdorime të mundshme do t'i adresojnë në PZAP.

"Është jashtëzakonisht shqetësuese që ky trend i përzierjes së fletëvotimeve nga klasa të ndryshme është hasur në disa vendvotime, madje edhe raste ku fletëvotime nga një shkollë janë gjetur në shkolla të tjera. Të gjitha këto dëshmi dhe fakte të mbledhura do t’i adresojmë në PZAP, dhe këtë proces do ta çojmë deri në fund — deri në RIVOTIM", ka shkruar ai në Facebook.

Procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime.

Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime. 

PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik. 

Shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve të tilla, ndërkohë e ka kërkuar shoqëria civile. Eugen Cakolli, është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se fletëvotimet të cilat nuk përputhen me kodin e vendvotimit ku është votuar duhet të shpallen të pavlefshme. 

Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje. 
Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.