Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, që kërkonte të ketë përsëritje të votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më 14 nëntor vendosi që të mos ketë rivotim pas ankesës së PDK-së për fletëvotime të përziera ndërmjet klasave dhe problemeve me shfaqjen e numrit serik në fletëvotime. PZAP-ja e pati cilësuar të pabazë ankesën duke thënë se ankuesi nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar parregullsitë.
Pas kësaj, PDK-ja u ankua në instancën më të lartë. Të enjten, Supremja ka njoftuar se e ka refuzuar ankesën e PDK-së duke e pranuar si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin e PZAP-së.
“Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi”, thuhet në njoftim të Supremes.
Në balotazh, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje e pati mposhtur Arian Tahirin e PDK-së.