34 persona janë ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për shkak të dyshimeve se kanë manipuluar me rezultatin zgjedhor në dy komunat e Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ditëve të kaluara janë ndaluar e paraburgosur edhe komisionerë e vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren, Malishevë e komuna të tjera
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar 34 persona për 48 orë nën dyshimet për manipulim të rezultatit zgjedhor gjatë numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit.
Të dielën janë intervistuar 43 persona të përfshirë në numërimin e votave në pesë komuna.
“Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka urdhëruar Hetimet Rajonale – Jug dhe Veri të Policisë së Kosovës, që të intervistohen dyzetë e tre (43) kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit të Komunave Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nëpër këto komuna”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie të dielën.
Procesi i rinumërimit që ka filluar më 13 janar dhe përfundoi të premten nxori në pah se gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit të Mitrovicës së Jugut mbi 1200 vota u ishin shtuar kandidatëve e rreth 1100 u ishin hequr.
Më së shumti kishin përfituar kandidatët e PDK-së Arian Tahiri me 102 dhe Xhavit Haliti me 55 vota, dhe dy kandidatët e Vetëvendosjes Afërdita Hajrizi 72 vota dhe Agim Bahtiri 56 vota.
Avokati mbrojtës i njërit prej të dyshuarve, Berat Peci, deklaroi se klienti i tij ka mohuar kategorikisht të gjitha pretendimet e prokurorisë.
“Realisht, qëllimi është sepse dyshohet se kanë vendosur ose shtuar rezultat ose vota në favor të dikujt, por siç e ceku edhe i dyshuari të cilin e mbrojta unë, ai nuk ka pasur as qëllim e as ndonjë dëshirë apo ndonjë formë tjetër që t'i vendosë dikujt vota. Kandidati im ishte nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe nga provat që kishte me vete rezultonte se nga të gjitha kutitë ku kishte marrë pjesë si kryesues, rezultati ishte minimal, dy ose tri vota plus-minus, nën marzhën e gabimit që lejohet nga Komisioni Qendror Zgjedho”, ka thënë avokati Peci.
Në Leposaviq gjatë numërimit të votave në QKN, kandidates së Listës Serbe, Jasmina Saviç, i janë shtuar 36 vota që s’ia kanë dhënë qytetarët.
Në komunën më veriore të vendit u manipuluan afro 250 vota të kandidatëve për deputetë.
Në QKN-në e Zveçanit, gjatë numërimit fillestar kandidatit të LS-së, Srgjan Milosavleviq, i ishin shtuar 53 vota. Shkalla e manipulimit në këtë komunë është rreth 300 vota.
Në Mitrovicë të Veriut gjatë numërimit u devijuan mbi 200 vota për kandidatë.
Më së shumti kishte përfituar kandidatja e LS-së, Liljana Stefanoviq.
Në Zubin-Potok u devijuan afër 50 vota.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor të vitit që shkoi, ndërsa numërimi ka përfunduar më 3 janar.
Por, më 13 janar, KQZ-ja filloi procesin e rinumërimit pasi një mostër prej 2% të votave të verifikuara shpërfaqi manipulime te votat e kandidatëve.
Ditëve të kaluara janë ndaluar e paraburgosur edhe komisionerë e vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren, Malishevë e komuna të tjera.