Zgjedhjet 2025

Vjedhja e votave - në Podujevë nisin hetimet e në Malishevë ndalohet edhe një kryesues

QNR Votat zgjedhjet

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në komunën e Podujevës. E në Malishevë, është ndaluar edhe një kryesues po për këtë vepër. Më herët në këtë komunë ishin ndaluar edhe 15 kryesues

Hetimi lidhur me dyshimet për manipulim me vota të kandidatëve për deputetë, po vazhdon të zgjerohet.

Të hënën, në një komunë kanë nisur hetimet e në një tjetër kanë vazhduar, duke u ndaluar edhe një komisioner.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, autorizimi është dhënë për Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që lidhen me cenimin e të drejtave të votimit.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë këtij procesi ekzistojnë dyshime për parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në Podujevë.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me natyrën e mospërputhjeve apo numrin e personave që mund të jenë përfshirë në këtë fazë të hetimeve.

Ndërkaq, një kryesues në Malishevë është intervistuar të hënën dhe është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për falsifikim të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ndalimi i tij është në kuadër të aksionit të ndërmarrë më 28 janar, kur ishin intervistuar 15 kryesues dhe 43 komisionerë. Atë ditë, u dërguan në ndalim 15 kryesues, të cilëve më pas iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

Kryeprokurori në Gjakovë, Enis Gashi, ka deklaruar më 28 janar, se cak i hetimeve janë 18 kryesues dhe 50 komisionerë zgjedhorë. Autoritetet kishin paralajmëruar se edhe personat e tjerë që nuk u intervistuan atë ditë, do të intervistohen në ditët në vijim.

"Në Malishevë janë 75 vendvotime, 9.057 vota janë të shtuara, 7.996 të hequra. Pra, gjithsej në total kemi 17.053 vota", pati thënë kryeprokurori Gashi pas aksionit në fund të janarit.

Hetimet lidhen me procesin zgjedhor për Kuvendin e Kosovës dhe vijnë në një kohë kur autoritetet kanë paralajmëruar rritje të vëmendjes ndaj çdo dyshimi për manipulim të votave apo shkelje të integritetit të procesit zgjedhor.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen.