Të paktën 65 komisionerë nga komuna e Vitisë janë duke u intervistuar në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të votave gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, ka mësuar KOHA.
Intervistimet po zhvillohen në kuadër të hetimeve për parregullsi të mundshme në procesin zgjedhor, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në administrimin dhe numërimin e votave.
Burime brenda institucioneve të rendit bëjnë të ditur se hetimet janë ende në fazë fillestare dhe për momentin ende nuk dihet nëse ka persona të arrestuar.
KOHA ka provuar të kontaktojë kryeprokurorin e Gjilan, Arben Kadriu, por nuk është përgjigjur.
Të ejten e javës së kaluar, drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan kanë konfirmuar për KOHËN se janë dorëzuar gjetje në prokurori në lidhje me rastin.
"Po Prokuroria e Shtetit e ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhje të informatave rreth manipulimeve eventuale me vota, policia pasi ka bërë verifikimin, të gjitha të gjeturat i ka dorëzuar në prokurori dhe jemi në pritje të udhëzimeve nga ana e prokurorisë", kanë thënë nga Policia.
Deri më tani ka komisionerë të arrestuar dhe të ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me vota.
Edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në Podujevë, Pejë e Obiliq.