Shtatë raste të dyshuara për vepra penale të lidhura me procesin zgjedhor janë duke u hetuar nga organet e rendit për zgjedhjet parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën.
Rastet e paraqitura në raportin e Policisë për 24 orët e kaluara, përfshijnë dyshimet për veprat penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, “Asgjësim i dokumenteve të votimit”, “Cenim i fshehtësisë së votimit”, “Pengim i procesit të votimit” e “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Në Pejë është hapur një rast lidhur me dyshimin për veprën “Falsifikim i rezultateve të votimit”.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë në një vendvotim është gjetur një fletëvotim me vulë ndryshe nga të tjerat.
“Është raportuar se në qendrën e votimit një fletëvotim kishte pasur vulën ndryshe nga fletëvotimet tjera të KQZ-së. Lidhur me rastin është informuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e veprës penale, fletëvotimi është sekuestruar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 25 orësh të Policisë.
Në Prizren një burrë ka grisur fletëvotimin në qendrën e votimit. Rasti është cilësuar si “Asgjësim i dokumenteve të votimit”.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në qendrën e votimit ka grisur fletëvotimin. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.
Ndërkohë në Shtime një burrë ka grisur fletëvotimin e tij dhe të një gruaje.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar derisa kishte qenë duke votuar në qendrën e votimit kishte grisur fletëvotimin e tij dhe të një femre kosovare. I dyshuari është intervistuar, në konsultim me prokurorin lënda procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.
Në Suharekë një burrë e ka fotografuar votën.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar gjatë votimit ka fotografuar votën dhe ka postuar në rrjete sociale. I dyshuari është paraqitur në stacion policor, është intervistuar dhe pastaj është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin Policor.
Një burrë në Gjilan është arrestuar e pastaj është liruar në procedurë të rregullt pasi që ka ekspozuar fletëvotimin para se ta vendoste në kuti.
“Lidhur me veprat e lartcekura është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se në qendrën e votimit pasi e kishte plotësuar fletën e votimit e kishte ekspozuar atë para se ta vendoste në kutinë e votimit. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Në Ranillug është arrestuar kryetarja e komunës për shkak të dyshimit se ka ushtruar ndikim te votuesit e subjekteve tjera.
Ajo pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë në Drenas është raportuar një rast i cenimit të fshehtësisë së votimit.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur. Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.