Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrest shtëpiak për anëtarin e KQZ-së në Prizren, dyshohet se fshehu gjashtë fletëvotime

zgjedhjet

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masë të arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Asgjësimi i materialeve të votimit”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri nuk mund të largohet nga vendbanimi pa lejen e gjykatës dhe i ndalohet të kontaktojë me persona që nuk jetojnë me të. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjykata ka bërë të ditur se A.D. dyshohet se më 7 qershor, në cilësinë e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij gjatë procesit zgjedhor në qendrën e votimit në shkollën “Sharri” në Jabllanicë të Prizrenit.

Sipas dyshimeve të ngritura, ai ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, duke i shqyer ato nga blloku i fletëvotimeve, me qëllim që të pengojë zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke e vlerësuar atë si masë të panevojshme në këtë fazë të procedurës. 

Sipas vlerësimit të saj, arresti shtëpiak është i mjaftueshëm për të siguruar praninë e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të hetimeve.

“Nëse i pandehuri e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.