Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Ndalimet e qytetarëve që shqyen fletëvotimet vlerësohen të ngutshme

vota

Për shqyerje të fletëvotimit, Prokurori i Shtetit, mund t’i çojë qytetarët edhe në ndalim 48 orësh. Derisa një gjë e tillë ndodhi të dielën në disa raste, avokati Arbër Jashari vlerëson se kjo nuk duhet të ndodhë me lehtësi meqë për t’u kryer vepra penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit” do të duhej të kishte cenim të rezultatit apo procesit zgjedhor

Dy persona, një në Drenas e një në Prishtinë, që kanë shqyer fletëvotimet janë ndaluar në ditën e zgjedhjeve e më pas janë liruar.  

Prokuroria Themelore në Prishtinë për njërin rast ka dyshime për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, tek ka thënë se i dyshuari nuk i është bindur fillimisht udhëzimit për t’ia bërë gishtin me marker me ngjyrë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“I pandehuri dyshohet se në ditën e zgjedhjeve gjatë pjesëmarrjes në procesin e votimit, pasi kishte pranuar fletëvotimin, ka refuzuar t’i nënshtrohet procedurës së ngjyrosjes së gishtit, e cila është pjesë e detyrueshme e procedurës së votimit. Për shkak të mosrespektimit të kësaj procedure, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kanë lejuar të vazhdojë drejt kutisë së votimit. Sipas dyshimeve fillestare, në prani të zyrtarëve të KQZ-së, i njëjti ka shqyer fletëvotimin që i ishte dhënë për votim. Dhe me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, sipas  nenit 217, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Edhe një tjetër i dyshuar në Drenas siç ka sqaruar Prokuroria e Prishtinës, fillimisht është ndaluar e më pas është liruar. 

“Lidhur me rastin në Drenas, ju njoftojmë se i dyshuari është ndaluar 48 orë, për shkak se dyshohet për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, sipas nenit 217 paragrafi.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Megjithatë personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit në këtë drejtim po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Raste të dyshimeve për asgjësim ka pasur edhe në rajonin e Prizrenit. Në Mushtisht dhe Nëpërbisht të Suharekës votuesit kanë shqyer fletëvotimet meqë nuk u është lejuar të asistojnë familjarë të moshuar gjatë votimit. E për një rast tjetër, një person sipas Prokurorisë në Prizren, është në ndalim 48-orësh dhe është kërkuar paraburgimin për të. 

Asgjësimi i dokumenteve të votimit është vepër penale e dënueshme prej 1 deri në tre vjet burgim. 
Por avokati Arbër Jashari, ka thënë se dërgimi i qytetarëve në ndalim 48 orësh nuk duhet të ndodhë me lehtësi. 

“Këto vendime që personat të shkojnë menjëherë në mbajtje për 48 orë unë i shoh si të ngutshme dhe të paarsyeshme. Është e vërtetë që Kodi Penal i Republikës së Kosovës e ka paraparë veprën ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’, mirëpo esenca për të cilën flet ligji dhe e mira e mbrojtur në këtë rast është kur personi i pengon të tjerët – ose nëse dikush e ka kryer procesin e votimit, ato dokumente t’i asgjësojë në mënyrë që ato të mos llogariten”, ka thënë Jashari. 

Sipas tij, në një rast hipotetik ku qytetari shpreh pakënaqësinë me politikën që e çoi përsëri vendin në zgjedhje, ata nuk duhet të ndëshkohen.

“Unë mendoj që esenca e inkriminimit të kësaj vepre penale nga ligjvënësi ka qenë ruajtja e integritetit zgjedhor dhe ka qenë të mundësohet në proces, i drejtë, korrekt dhe të ruhet integriteti zgjedhor. Nga rasti konkret, nga ajo që unë e kam parë, veprimet e personave të caktuar nuk kanë qenë me qëllim që t’i pengojnë të tjerët ose me qëllim që ta fshehin apo ta asgjësojnë një votë të dhënë nga një subjekt politik.  Por ata e kanë marrë votën e tyre dhe e kanë asgjësuar në shenjë proteste, njësoj si plot të tjerë që ja kanë vënë një X të madh votës”, ka thënë ai. 

Zgjedhjet e 7 qershorit janë të pestat që nga fillimit i vitit 2025 nëse llogariten edhe dy raundet e zgjedhjet lokale.