Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula, ka bërë thirrje që qytetarët të mos shqyejnë fletëvotimet, duke paralajmëruar se një veprim i tillë përbën vepër penale të dënueshme me burgim nga një deri në tre vjet.
Në një prononcim për KTV-në, Pula ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve janë evidentuar dy deri në tri raste kur votues të caktuar kanë shqyer fletëvotimet e tyre, fenomen që sipas saj po shfaqet si dukuri gjatë procesit zgjedhor.
“Gjatë ditës së sotme ka filluar të bëhet dukuri një gjë, kemi dy apo tri raste ku persona të caktuar kanë shqyer fletëvotimet, shpesh ndodh që kjo të bëhet edhe pa e ditur pasojën e shkatërrimit të fletëvotimit dhe dua të bëj apel që edhe këto orët e fundit që kanë mbetur dhe ata që kanë dalë të votojnë, të mos asgjësojnë dokumentin e fletëvotimit ngase kjo është vepër penale dhe dënimi nuk është hiç më pak se një deri në tri vjet. Unë e kuptoj se njerëzit mund të jenë të revoltuar dhe nga mosdija që është vepër penale e shqyejnë, prandaj mirë do të ishte të jenë të vëmendshëm dhe mos ta bëjnë një veprim të tillë”, ka thënë ajo.
Ajo bëri të ditur se organet e drejtësisë kanë trajtuar gjatë ditës edhe raste të tjera që lidhen me procesin zgjedhor.
Sipas saj, dy persona janë ndaluar për asgjësim të dokumenteve të votimit, ndërsa një person tjetër është proceduar në procedurë të rregullt. Një rast tjetër vazhdon të jetë në shqyrtim dhe ende nuk është marrë epilog përfundimtar.
“Kemi evidentuar disa raste, dy persona i kemi në mbajtje për asgjësim të dokumenteve të votimit, një person e kemi në procedurë të rregullt dhe një rast tjetër që është duke u trajtuar akoma nuk e kemi epilogun përmbyllës të asaj lënde... Akoma nuk kanë përfunduar intervistimet në Prokurorinë Themelore në Pejë, pas përfundimit të intervistimeve nga personat ankues dhe ata që mund te jenë objekt i trajtimit, duhet që në fund të marrim epilog nëse ka pasur ndonjë element të veprës penale që mund të vazhdojnë më pas hetimet, apo vetëm ka mundur të jetë vetëm informacion, por jo vepër penale”, ka theksuar ajo.
VV-ja bie, por fiton bindshëm, opozita rritet
-
Ndalimet e qytetarëve që shqyen fletëvotimet vlerësohen të ngutshme
-
Dy persona dërgohen në mbajtje për shqyerje të fletëvotimit
-
Votues nga diaspora mund të jenë subjekt i ndjekjes penale për publikim vote
-
Hetimit për manipulim të votave s’do t’u shpëtojnë as kandidatët për deputetë
-
Hetimet për manipulim me vota - sot në “60 Minuta” me Laura Pulën, koordinatore nacionale për zgjedhje