Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Një nga personat që u dërguan në arrest shtëpiak më parë ishte kandidat për deputet

vota

Foto: Driton Paçarada

Gjykatat në Pejë e Prizren kanë caktuar masën e arrestit shtëpiak për tre persona të dyshuar për vepra që lidhen me procesin zgjedhor. Dy prej tyre dyshohen për dhënie ryshfeti në lidhje me votimin në Gorazhdec, ndërsa i treti për asgjësim të dokumenteve të votimit. Gjykata në Prizren ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për një anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të Koalicionit Vakat, që më parë ishte edhe kandidat për deputet

Dy serbëve të dyshuar për ryshfet lidhur me votimin në Gorazhdec të Pejës e një boshnjaku të dyshuar për asgjësim dokumenteve të votimit në Jabllanicë të Prizrenit, të martën u është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga gjykata, duke i refuzuar kërkesat e prokurorisë në Pejë e Prizren për paraburgim të tyre.

Njëri nga ta është komisioneri i qendrës së votimit në Jabllanicë, Adnan Demiri, siç e ka konfirmuar edhe kryetari i subjektit politik “Vakat”, Rasim Demiri. 

Adnan Demiri në të kaluarën pati kandiduar për deputet e asamblist në Prizren e është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë. 

Komisioneri nga radhët e Vakatit dyshohet se ka shkëputur 6 fletëvotime nga blloku duke i skajuar brenda klasës ku po zhvillohej votimi. 

Në aktvendimin për caktimin e arrestit shtëpiak thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari  Demiri e ka kryer veprën penale, meqë sipas dëshmisë së një dëshmitari, ai  u përpoq ta heshtte çështjen e fletëvotimeve.

Edhe Arrest shtëpiak për anëtarin e KQZ-së në Prizren, dyshohet se fshehu gjashtë fletëvotime Kronikë 1 muaj më parë Arrest shtëpiak për anëtarin e KQZ-së në Prizren, dyshohet se fshehu gjashtë fletëvotime

“Po ashtu edhe nga deklarata e dëshmitarit A.A. në deklaratën e tij të dhënë në polici më 07.06.2026 në mes tjerash ka deklaruar se kur kanë shkuar te zyrtari policor që ta informojë për problemin që ka rrjedhur, pasi që kanë munguar gjashtë fletëvotime, i është afruar Adnan Demiri, e ka kapur për dore dhe i ka thënë që të bisedojnë në dhomën e veçantë, ka thënë se do ta rregullojnë tërë situatën ku do të nënshkruajnë për disa persona kinse që kanë votuar dhe kështu do t’i barazojnë mangësitë në fletëvotime”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar se krahas dëshmitarëve, i pandehuri mund ta prishë hetimin edhe duke ndikuar në të pandehurit e tjerë. 

“...sepse ekziston mundësia reale që i pandehuri të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo t’i falsifikojë provat e veprave penale, pasi që kanë filluar hetimet dhe nga ana e prokurorit nuk janë dëgjuar të pandehurit, do të merren në pyetje dëshmitarët lidhur me sqarimin e mënyrës dhe rrethanave në të cilat është kryer vepra penale e për çka rrjedhimisht po të lihet në liri i pandehuri ka gjasa reale që të ndikojë te dëshmitarët, tek i bashkëpandehuri, që të njëjtit t’i ndryshojnë deklaratat e tyre, prandaj caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i bazuar”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Arrest shtëpiak u është caktuar edhe dy serbëve nga Gorazhdeci, Millosh Dimitrijeviq e Ranko Zdravkoviq të dyshuar për ryshfet lidhur me zgjedhjet. 

“Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë themelore ne Peje për caktimin e masës se paraburgimit ndaj të pandehurve  M.D.  dhe R.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtët, duke vepruar si bashkëkryes, kishin për të kryer vepër penale, dhënia, ose marrja e ryshfetit, në lidhje me votimin, nga neni 212 par.1, lidhur me nenin 31 dhe 77, të KPRK-së, dhe ndaj të njëjtëve gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji duke filluar nga 07.06.2026 e deri më 07.07.2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Edhe Kërkohet paraburgim ndaj një komisioneri, dyshohet se në Jabllanicë fshehu 6 fletëvotime të paplotësuara Zgjedhjet 2026 1 muaj më parë Kërkohet paraburgim ndaj një komisioneri, dyshohet se në Jabllanicë fshehu 6 fletëvotime të paplotësuara

KOHA merr vesh se ata dyshohen se kanë kryer këto vepra penale në favor të rezultatit të Listës Serbe. 

KOHA ka bërë përpjekje për t’i kontaktuar avokatët e të dyshuarve, por ata nuk ishin të qasshëm gjatë ditës së martë.