Nga një muaj paraburgim ua ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në komunën e Graçanicës.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen për veprën penale “cenim i vullnetit të lirë të votuesve”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë arsyetimin e Gjykatës për paraburgim, thuhet se nëse të pandehurit me inicialet M. D., B. P., Lj. K., M. D., N. R., B. L. dhe S. M., lihen në liri, ekziston rreziku që të përsërisin veprën penale.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
“Po ashtu, duke marrë parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”.
Sipas Prokurorisë, personat e dyshuar kanë pozita udhëheqëse në strukturat ilegale serbe në Graçanicë, ndërsa njëri prej tyre është asambleist në këtë komunë.
Prokuroria njoftoi se veprimet hetimore janë ndërmarrë pas raportimeve në media dhe deklarimeve të ministrit në detyrë për Komunitetet dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me kërcënimin e votuesve në komunën e Graçanicës, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
KOHA e ka siguruar një dokument që është deponuar në prokurori, që tregon për largim nga puna nga institucionet ilegale serbe, në të cilin thuhet se punonjësi mbajti qëndrim kundër shtetit të Serbisë.
“Bëri paraqitje publike duke e shprehur qëndrimin e tij, në kundërshtim me interesat e popullit serb në Kosovë që jeton në sistem institucional dhe e njeh republikën e Serbisë, nxiti urrejtje në rrjete sociale, që ndalohet me ligj – e gjitha për arritjen e qëllimeve politike, në atë mënyrë që e dëmton reputacionin e punëdhënësit”, thuhet në këtë dokument.
Për arrestimin e 7 serbëve të dyshuar, të mërkurën u mbajt një protestë në këtë qytet, e reagime pati edhe nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar.
Po të mërkurën, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se serbët në Kosovë po përballen me trysni dhe kërcënime të papara deri më tash për t’u orientuar politikisht drejt Listës Serbe, subjekt politik që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Edhe në raportet e misioneve ndërkombëtare për zgjedhjet në Kosovë, vërejtjet më të mëdha janë dhënë për komunat me shumicë serbe, ku është evidentuar mungesë e pluralizimit politik dhe kërcënim e shantazhim i qytetarëve për të votuar një subjekt të caktuar.