Zgjedhjet 2025

Haradinaj: Vota për AAK-në është votë për rrymë më të lirë

AAK

Kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tri ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit e ka rikthyer në qendër të fushatës çështjen e energjisë elektrike. Nëpërmjet një videoadresimi të publikuar në Facebook, ai ka deklaruar se vota për AAK-në do të nënkuptojë prodhim vendor të energjisë, si dhe rrymë më të lirë për qytetarët

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër, Ramush Haradinaj, e ka përsëritur të enjten premtimin për t’i rritur kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike po qe se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit ai e merr pushtetin. 

Në ditën e nëntë të fushatës zgjedhore, Haradinaj nëpërmjet një videoadresimi të publikuar në Facebook ka thënë se gjatë mandatit të tij si kryeministër janë nisur dy projekte për prodhimin e energjisë, njëri me qymyr dhe tjetri me gaz. 

“Ne duhet të prodhojmë energji në Kosovë. I kam pasë filluar dy projekte për prodhim të energjisë në Kosovë: me qymyr edhe gazsjellës. Të dy këto projekte u ndërprenë dhe sot varemi nga tregu dhe çmimet e energjisë varen nga tregtarët. Ju lutem, me numrin 129, pra vota për numrin 129 e kthen prodhimin e energjisë në Kosovë dhe i kthen çmimet e Kosovës, e jo të tregtarëve”, ka thënë Haradinaj në videoadresim.

Ai ka theksuar se këto projekte janë ndërprerë pas largimit të tij nga pushteti, duke ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë. Në këtë video Haradinaj ka shtuar se, ashtu sikurse është formuar ushtria, me mandatin e tij do të rikthehen edhe projektet për prodhimin e energjisë. Ai ka thënë se vota për numrin 129, me të cilin përfaqësohet AAK-ja në këto zgjedhje, nënkupton energji më të lirë për qytetarët. 

“Sa po ju vjen fatura e energjisë sot. Sa po i vjen ekonomisë tonë. Që ta zbresim çmimin e energjisë, votoni 129. E keni në dorën tuaj, ju me votën tuaj e ktheni prodhimin e energjisë në Kosovë. Ashtu si i kemi kryer punët e tjera dikur: pavarësimin energjetik, Trepçën, ushtrinë, do ta kthejmë edhe prodhimin e energjisë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

E në një tjetër videoadresim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, qytetarëve u është bërë thirrje që ta votojnë numrin 129, pasi që vota për AAK-në e nënkupton anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, rikthimin e qytetarëve në vend si dhe paga me dinjitet për të gjithë.

Haradinaj të enjten e ka takuar edhe këngëtarin Afrim Muqiqi, të cilit ia ka ndarë një mirënjohje për “gjithçka që përfaqëson dhe sjell përmes artit të tij”.

Tubimin qendror zgjedhor AAK-ja e ka mbajtur të enjten në Rahovec. Para qytetarëve të mbledhur në shtëpinë e kulturës “Mensur Zyberaj”, Haradinaj ka premtuar përmirësim të kushteve jetësore.

“Sot, në shtëpinë e kulturës ‘Mensur Zyberaj’ në Rahovec mbajtëm një takim, i cili u bë një premtim mes njerëzve që besojnë se jeta në Kosovë mund të përmirësohet. Aty prezantuam vizionin dhe planin tonë, duke u ndalur qartë te secila nga katër shtyllat kryesore mbi të cilat do të ndërtojmë të ardhmen. Rahoveci na tregoi se di të ruajë dinjitetin dhe të ngrihet kur është koha, e ne po u tregojmë se kur e kemi njëri-tjetrin në krah asgjë nuk e ndal më rrugën përpara”, ka shkruar Haradinaj në Facebook pas tubimit në Rahovec.

Në programin “Krah teje” të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës parashihen disa masa në sektorin e energjisë, përfshirë ndërtimi i termocentralit të ri me kapacitet prodhues deri në 500 MW; ndërtimi i rrjetit të gazit; energji efikase, që ofron furnizim të vazhdueshëm, të stabilizuar dhe me çmim të përballueshëm; ulja e TVSH-së së energjisë elektrike në nivelin 6% për përdoruesit familjarë, si dhe reformimi i metodave të përcaktimit të tarifave për njësi.

Në program AAK-ja parasheh edhe rrymë me tarifë të reduktuar për familjet e dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), si dhe të familjeve të varfra dhe me të ardhura të pakta. 

Në këtë thuhet gjithashtu që synim i AAK-së është që Kosova të shndërrohet nga të qenët importuese e energjisë elektrike në eksportuese të saj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e mëhershme parlamentare, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti, ka marrë 9 për qind të votave. Në këto zgjedhje AAK-ja ka qenë në koalicion me NISMËN Socialdemokrate, e cila udhëhiqet nga Fatmir Limaj. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon e vetme.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhje - KQZ - 2025

Dita e nëntë e fushatës