Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, u është rikthyer premtimeve për ndërtimin e centralit me gaz për prodhim të energjisë elektrike. Në tubimin e mbajtur në Klinë, ai ka thënë se prodhimi i energjisë është njëra nga dy punët e mëdha që do t’i kryejë nëse vjen në krye të Qeverisë. Synim tjetër i Haradinajt është edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO
Prodhimi i energjisë dhe anëtarësimi në NATO janë dy punët e mëdha që kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se do t’i realizojë me të marrë mandatin.
Në tubimin e mbajtur me mbështetës të kësaj partie në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Haradinaj i është rikthyer projektit për ndërtimin e centralit të gazit, për të cilin thotë se kishte punuar sa ishte në krye të Qeverisë në 2018-n.
“Centralin me gaz që prodhon energji do ta bëjmë në Ferizaj, anash Ferizajt. Mund të fillojmë në të njëjtën kohë që të punojmë për ta sjellë gazsjellësin, tubat dhe ta bëjmë në kohë rekorde. Po të duam përnjëmend, për vitin tjetër mos me qenë kështu si jemi sot”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe projektin për ndërtimin e termocentralit nga qymyri, për të cilin kontrata ishte nënshkruar në kohën e tij si kryeministër, por që më pas me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes, ai projekt është anuluar pas tërheqjes së investitorit.
“Kur kam dalë nga Qeveria herën e fundit, i kam lënë dy projekte të kontraktuara për të prodhuar energji. Një termocentral me qymyr 450 megavat, me çmim të lirë më së shtrenjti 80 euro megavati. Për t’ju treguar juve se nuk është shtrenjtë e keni ble deri në 1 mijë euro. E sot i ke plot në Kosovë që janë në terr, ose që punon një fazë e nuk munden me u nxehë”, ka theksuar Haradinaj.
Në fjalimin e tij përmendi edhe vizitat që i bënte në KEK sa ishte kryeministër në kohën kur kishte ndërprerje të rrymës.
“Me dhjetëra herë, natën kur nuk ka pasur rrymë unë kam shkuar në KEK. Kqyreni çfarë marrëdhënie kemi pasur, të tensionuar me menaxhment, dhe kemi thënë ose e gjejmë zgjidhjen për të pasur rrymë e për të mos rritur çmimin e rrymës, ose po shkojmë krejt unë nga Qeveria e ju prej këtu”, ka theksuar Haradinaj.
E një punë tjetër që, sipas tij, do të kryhet nëse ai vihet në krye të Qeverisë është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
“Puna e dytë që dua ta kryej në Kosovë është anëtarësimi në NATO. E di rrugën e anëtarësimit në NATO. E di edhe adresën, ku anëtarësohesh”, ka pohuar Haradinaj, duke përmendur takimet me udhëheqës të kësaj force.
Ai ka thënë se me ketë ia “lehtësojnë” punën Serbisë që ta njoh Kosovën, pasi, siç ka thënë, “nuk ka kah ia mban”.
Haradinaj nuk ka lënë anash as premtimet e tjera. Përmendi rritjen e pagave, shtesave për fëmijë e pensioneve.
Sipas tij, asnjë pagë nuk do të jetë më e vogël se 1 mijë e 100 euro.
“Kemi menduar për prindërit tonë. Mos harroni, nuk janë pensionistë, janë prindërit tanë. Nëna dhe babi ynë, ata që së pari na kanë lindë ne, e pastaj e kanë bërë këtë vend. Duhet ta japin provimin, duke i dhënë pension të njerëzishëm”, ka thënë ai.
E për Klinën premtoi rregullimin e kanalizimeve, e ndërtimin e shtratit të lumit.
“Votoni se edhe ju e keni në dorë se çfarë do të ndodhë me vendin tonë. Vota juaj i jep drejtim vendit. Unë nuk po e kërkoj votën sa për të marrë pak pushtet. Po kërkojë votën për t’i kryer këto dy punë të mëdha për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, gjysma e rrugës është bërë në kohën sa ka qenë në pushtet si për punën e rrymës ashtu edhe për anëtarësimin e NATO-s, por do t’u kthehet sërish atyre punëve.
E duke mos dashur që të përmendë emra për punën e tregtarëve për energji, ka thënë se importin nga ky vend e ka ndalur duke vendosur taksën 100 për qind ndaj Serbisë.
“Po thonë, jo Ramushi kështu. Ai që i ka vendosur taksë Serbisë, e ka pavarësuar sistemin energjetik, i ka futur në funksion interkoneksionin me Shqipërinë, ai që e ka bërë ushtrinë, ai që e ka bërë Trepçën”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, Haradinaj i ka uruar edhe besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjeve.
AAK në këto zgjedhje garon e vetme. Në zgjedhjet e 9 shkurtit AAK në koalicion me Nismën Socialdemokrate mori 7 për qind të votave, duke siguruar 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.