Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pyetur qytetarët se sa po u vjen fatura e energjisë elektrike, dhe ka listuar më pas veprimet që, sipas tij, janë ndërmarrë në kohën kur ka udhëhequr ekzekutivin. Ai ka thënë se çmimet për qytetarët ishin më të përballueshme, ishte vendosur drejtim i qartë për siguri energjetike dhe prodhim vendor, ishte ndalur degradimi institucional i sektorit dhe ishte rikthye serioziteti në menaxhim
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka promovuar të shtunën punët e qeverisë që e ka udhëhequr vite më parë. Ai ka pyetur qytetarët se sa po u vjen fatura e energjisë elektrike, dhe ka listuar më pas veprimet që, sipas tij, janë ndërmarrë në kohën kur ka udhëhequr ekzekutivin.
“Gjatë asaj qeverisjeje: Çmimet për qytetarët ishin më të përballueshme, sepse energjia prodhohej brenda vendit, jo e varur nga importet e shtrenjta; U vendos drejtim i qartë për siguri energjetike dhe prodhim vendor; U ndal degradimi institucional i sektorit dhe u rikthye serioziteti në menaxhim; KEK-u u trajtua si aset strategjik shtetëror, jo si ndërmarrje për eksperimente politike; Prodhimi vendor nga Kosova A dhe Kosova B mbulonte pjesën dërrmuese të konsumit; Importi i energjisë ishte dukshëm më i ulët krahasuar me vitet e mëvonshme; U licencuan dhe u mbështetën projekte në energji diellore dhe të erës, duke diversifikuar burimet e prodhimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ish-kryeministri që ka udhëhequr qeverinë në dy mandate, por që asnjërin nuk e ka përmbyllur, ka thënë se disa çështje janë thelbësore për të ardhmen.
“U hap rruga për kapacitete të reja prodhuese, si bazë afatgjatë e sigurisë energjetike të Kosovës; Filloi implementimi i projektit për ndërtimin e termocentralit të ri ‘Kosova C’, si nevojë strategjike për stabilitet energjetik; U trajtua seriozisht projekti i gazit amerikan, si alternativë moderne dhe më e pastër për furnizim energjetik”, ka shkruar Haradinaj. “U planifikua ndërtimi i termocentralit të ri me thëngjill, mbi parime të sigurisë dhe pavarësisë energjetike”.
Kryetari i AAK-së ka theksuar se Qeveria Haradinaj II e ka dëshmuar se “energjia nuk negociohet”.
Ai ka dhënë edhe premtime të tjera. Tek ka promovuar programin, me të cilin synon ta fitojë garën elektorale të 28 dhjetorit, janë dhënë zotime për zgjerim të investimeve publike deri në 1.5 miliardë euro në vit. Krahas kësaj, është premtuar rritje ekonomike prej 7 për qind në vit, hapje e mijëra vendeve të punës në sektorin prodhues, si dhe pagë minimale 500 euro, pagë mesatare 1000 euro.
“Asnjë familje pa mbështetje” është zotuar Haradinaj.
Ai ka zhvilluar fushatë edhe në Istog.
Aty ka thënë se takimi ishte mobilizues.
“Për disa orë, u ndanë ide, përvoja dhe pikëpamje që formësojnë qëllimin e përbashkët për një Kosovë më përparimtare. U fol për misionin që na bashkon, për përgjegjësinë që bartin kandidatët tanë dhe për domethënien e përfaqësimit politik në një kohë që kërkon qartësi, seriozitet dhe vizion afatgjatë”, tha Haradinaj. “Me struktura të mobilizuara, me ide të pjekura dhe me njerëz të vendosur, Aleanca do të jetë krah Kosovës”.
Fushatë kanë bërë edhe kandidatët e AAK-së për deputetë.
Besnik Tahiri fokusin e ka vënë te zhvillimi i komunave, për të cilat ka thënë se janë institucionet e shtetit që e ofrojnë shërbimin e parë për qytetarë.
Ai ka thënë se, për këtë, në programin e AAK-së janë dhënë 50 zotime programore: Ndërtimi i Zonave Ekonomike nëpër komuna: niveli qendror financon zonat ekonomike; Buxhet për Kontratën Kolektive: Ndarja e buxhetit qëmbulon zbatimin e Kontratës Kolektive; Rregullimi i shtretërve të lumenjve: Për zhvillimin e turizmit, rekreacionit dhe si burim jetese; Programi Nacional për Efiçiencën e Energjisë: Rritja e fondit për këtë qëllim; Program Kombëtar për impiantet për trajtimin e ujërave të zeza dhe mbeturinave; Muze Historik në çdo komunë: dokumentimi i memories kolektive; Finalizimi i infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare 2030; dhe Investim në transportin publik: Në të gjitha vendbanimet e Kosovës.