Zgjedhjet 2025

Haradinaj: Kosova ka nevojë për rrymë të sigurt, të qëndrueshme dhe të përballueshme

Ramush Haradinaj AAK

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se problemi i energjisë elektrike në Kosovë nuk mund të zgjidhet me improvizime apo arsyetime të përditshme, por kërkon plane strategjike, investime afatgjata dhe vendime të guximshme shtetërore.

Sipas Haradinajt, periudha e ndërprerjeve të shpeshta, faturave të paparashikueshme dhe pasigurisë energjetike duhet të marrë fund përfundimisht.

“Energjia nuk është luks. Ajo është themel për zhvillimin ekonomik, funksionimin e bizneseve, arsimin dhe për një jetë dinjitoze të çdo familjeje në Kosovë”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka shtuar se qytetarët nuk duhet të jetojnë më me pasiguri të përditshme, duke u shqetësuar nëse do të kenë energji elektrike apo sa do të jetë fatura mujore, por me stabilitet dhe siguri energjetike.

Në fund, ai ka ftuar qytetarët që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të mbështesin vizionin e tij për një Kosovë me energji të sigurt, të qëndrueshme dhe të përballueshme.

Ditëve të fundit, Rahoveci, Malisheva, një pjesë e Prizrenit, Lipjanit e Gjilanit janë përballur me reduktime të shumta.

KEDS-i dhe KOSTT-i kanë bërë thirrje të vazhdueshme për kursim.