Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Puna e prioriteteve

Në një ambient të udhëhequr nga një parti, me një lider superkarizmatik, por jo shef i mirë qeverie, me një grumbull njerëzish që nuk dëshmojnë aftësi profesionale për të udhëhequr dikastere me qëllimin e përmirësimit të kushteve të jetesës; me kundërshtarë, partitë deri dje opozitare me udhëheqës superantikarizmatikë dhe me absolutisht asnjë ide më ndryshe përtej imitimit të asaj që dikush e tha i pari – nuk ke se si të mos mërzitesh për të tashmen, e edhe të ardhmen.

Gati gjysma e vitit, e ne ende e tjerrim temën e njëjtë – zgjedhjet.

Fushata nisi pardje – dhe hiç befasuese që vazhdoi njësoj sikurse herën e shkuar para gjashtë muajve – na këputën premtime për rritje rrogash, pensionesh, ulje tatimesh e nuk e di çka tjetër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E gjitha po më duket si një ëndërr e keqe që e kam shikuar tashmë. E gjitha po tingëllon si gramafon i prishur, kakofoni e bajatshme dhe zbehje përherë më e thellë të shpresës se do të kemi mësuar diçka së paku për këta 30 vjetët e fundit.

Në një ambient të udhëhequr nga një parti, me një lider superkarizmatik, por jo shef i mirë qeverie, me një grumbull njerëzish që nuk dëshmojnë aftësi profesionale për të udhëhequr dikastere me qëllimin e përmirësimit të kushteve të jetesës; me kundërshtarë, partitë deri dje opozitare me udhëheqës superantikarizmatikë dhe me absolutisht asnjë ide më ndryshe përtej imitimit të asaj që dikush e tha i pari – nuk ke se si të mos mërzitesh për të tashmen, e edhe të ardhmen.

* * *

Para dy javësh doli raporti i “World Atlas” i hartuar në bazë të të dhënave Fondit

Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit, Kosova ishte shteti i dytë më i varfër i Evropës, qaty ngjit me Moldavinë.

Në kushte normale, kjo do të duhej të ishte shenjë alarmi.

Në rastin e Kosovës, e sidomos të interpretuesit kryesor të Kushtetutës, Muratit, një rezultat i këtillë është lajm i mirë, sepse s’jemi më të fundit, por të parafundit.

Dhe me gjasë, për këtë lajm, do të duhej ndezur fishekzjarrë, se “kemi arritur shumë, po rangohemi përherë e më mirë”, apo kështu diçka është formulimi i ministrit në detyrë.

Shumë po ma kujton kohën kur para dhjetë vjetësh a më shumë botoheshin raportet e progresit, dhe sa herë që dilnin të këqija, me vërejtje shumë konkrete për gjërat që duhen ndryshuar, për shkak se për ndryshimin vetëm duhet vullnet politik, pushteti i atëhershëm thoshte: “ky është një raport real”, dhe më pas nuk ndërmerrte gjë për ta bërë ndryshimin.

Tash përgjigjja është: “Jemi të varfër, veç kemi qenë më të varfër”. Nuk ka lidhje që nuk po mund ta kapërcejmë përkufizimin e të qenit të varfër dhe që e jetojmë një jetë që kemi mundur ta kishim shumë më të mirë.

Kjo i bie si në olimpiadë, kur del i (para)fundit: “me rëndësi është pjesëmarrja”.

Por çka t’i bëjmë që jeta nuk është sport dhe se zgjidhja e problemeve të një shoqërie nuk është punë fuqie fizike, por punë mendjeje.

* * *

Pra, në vazhdën e deklarimeve e veprimeve populiste, ndodh edhe ai i javës së shkuar që quhet “masa për përballjen e inflacionit”... disi kështu. Dhe sipas vendimit, aktualisht nga inflacioni vuajnë vetëm punëtorët e sektorit privat me nën 1000 euro rrogë; studentët; lehonat; pensionistët. Ata të tjerët që kanë vuajtur prej inflacionit muajin e kaluar, janë rehatuar me një rrogë ekstra, pavarësisht se i kanë rrogat mbi 1000 euro. Po get inflacioni me të cilin ata duhen të përballen është dyfish më i madh.

Qejfi i shpërndarjes së parasë së gatshme në këmbim për votat i kushtoi buxhetit të Kosovës nja 105 milionë (nëse nuk e kam dallash, se krejt pakoja i ka nja 200 milionë të ndara, por nuk e di cili do të jetë grupi i përzgjedhur herën tjetër...). Ndërkohë, për shkak të hajgareve gjithëpopullore në regjinë e të gjitha partive inatçore politike të Kosovës, që na çojnë në zgjedhje sa herë që dikujt nuk i plotësohet dëshira për pak pushtet, Kosova i humb 90 milionë nga mjetet e BE-së. Kjo, sepse nuk ka shans teorik që ratifikimi për këto mjete të përfundojë para datës 30 qershor. Tashmë e dimë se numërimi i votave në Kosovë merr minimum nja tri javë a katër (shyqyr që s’jemi sa India, se gjithë vitin e kishim kaluar në numërim e sipër)...

Pra, një vend që i humb 90 milionë e që më pas i shpërndan edhe nja 100 të tjera që me siguri do të përfundojnë në mall të importuar, apo edhe do të eksportohen në Shqipëri a Maqedoni – është i varfër, jo vetëm materialisht.

Për kapak, para disa ditësh u ndanë edhe nja 2 milionë për të subvencionuar kompanitë e fluturimeve që sjellin udhëtarë në aeroportin e Prishtinës, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve.

Nuk po më kujtohet të kem dëgjuar se bujqve u është subvencionuar nafta për punët në fushë, që nga koha kur fluturuan çmimet në hava. Nejse, është punë prioritetesh: më së pari votat, mandej patatet e domatet.

* * *

Pra, nisën tubimet me qytetarët.

Sinqerisht nuk e di nëse ata që mblidhen aty shkojnë spontanisht, apo dikush i sjell aty me transport a me pagesë.

Pse do të duhej dikush të shkonte në shesh a sallë sportesh, për t’i parë fytyrat e njëjta, e për t’i dëgjuar fjalimet e njëjta, premtimet e njëjta, gënjeshtrat e njëjta?

Nuk e kam të qartë çka të re do të thonë, e që nuk e kanë thënë para gjashtë muajsh – krejt sillet kah paraja – rrogat, pensionet (pra para të gatshme të buxhetit), energjia (nuk mbet njeri, pavarësisht partisë politike, që nuk hapi kompani për tregtim me energjinë elektrike), investimet kapitale të papërcaktuara... mbase edhe ndonjë raketë... edhe pse këtë të fundit ende nuk e kemi dëgjuar.

E megjithatë, sallat plot, apo bukur të kamufluara që të duken plot.

Ata që nuk mbajnë tubime, për shkak se kanë anëtarësi minimale dhe kanë numër minimal të kandidatëve për zgjedhje qendrore janë PSD-ja. Përfundimisht, janë më energjikët në kuptimin e fushatës që po e bëjnë në rrjete, dhe nuk po merren me VV-në, fraksion i së cilës janë, por merren me LDK-në, PDK-në dhe Osmanin.

Dhe po, po janë të drejtpërdrejtë në kritikat që ia bëjnë opozitës. Dhe po, shumë shpesh po kanë të drejtë. Dhe prandaj tash po kjo opozitë refuzon të dalë në debate me përfaqësuesit e PSD-së. E refuzimi i ballafaqimit me këdo, tregon për dobësi – se edhe mendjemadhësia është dobësi. E bëhet superdobësi, kur ajo të kthehet bumerang me vota më pak.

Nuk e di se sa vota do të mund t’i mbledhin kandidatët e PSD-së. Por e di se janë duke përçuar një mesazh që duhet marrë seriozisht: Kosova ka nevojë për ndryshime (PSD-ja jo domosdo kualifikohet këtu) edhe te njerëzit e edhe te idetë.

* * *

Ka shumë vjet që fytyrat politike ndryshojnë pak. Ka shumë vjet që nuk dëgjohet diçka më kreative sesa “do t’i rrisim rrogat” (natyrisht të sektorit publik). Ka shumë vjet që nuk u jepet zgjidhje problemeve sistemore, për shkak se nuk as vullnet e as dije.

Se po të kishte vullnet, dija do të gjendej.

Qe gjashtë vjet dëshmitarë të një lufte politike sui generis në Kosovë.

Një parti që veten e quan lëvizje u ndërtua e forcua me vite, por kur erdhi në pushtet e humbi rastin, ashtu siç po vazhdon ta humbë atë, për ta sjellë ndryshimin dhe njëmend zhvillimin ekonomik.

Me qasjen që ka, është duke e mbytur shtresën e mesme dhe është duke i kontribuar krijimit të shtresës së parazitëve të painteresuar për çfarëdo në jetë.   

Nga ana tjetër janë partitë e opozitës, që dikur mbanin pushtetin dhe abuzuan me të deri në skaj. Prandaj edhe e humbën pushtetin. E humbën edhe kreativitetin. I humbën idetë.

Tash janë reduktuar thjesht në kopjues të dobët dhe formacione që kanë shumë gjasa për fraksione të mëtejme.

Shikues vazhdon të jetë populli.

Që vazhdon të dalë në zgjedhje.

Që ende nuk e ka kuptuar se kë duhet dënuar më së pari për që jemi kështu çfarë jemi.

[email protected]