Duhet të jemi të kujdesshëm me atë që dëshirojmë, sepse ndonjëherë rrëzimi i një armiku i hap rrugë një armiku më të madh. Regjimi iranian është shtypës dhe i rrezikshëm, por në realitetin politik të Lindjes së Mesme, ai gjithashtu e përfaqëson një pengesë ndaj konsolidimit të një hegjemonie sektare edhe më të rrezikshme. Ndoshta popujt e rajonit duhet të lejohen ta zgjidhin të ardhmen e tyre vetë – pa u bërë terren lufte për përballje perandorake apo eksperimente ideologjike me pasoja shkatërruese
Sead Zimeri
Tani, që pas sulmit të Izraelit ndaj objektivave bërthamore iraniane, përplasja me Iranin është përshkallëzuar në ofensiva të plota ushtarake nga të dyja palët dhe ekziston rreziku real që Shtetet e Bashkuara të përfshihen drejtpërdrejt në konflikt, është e domosdoshme t’i sqarojmë disa dallime që shpesh humbasin në zjarrin e debateve partizane dhe të qëndrimeve të thjeshtuara ideologjike.
Së pari, Irani është një regjim totalitar. Është një shtet teokratik, i drejtuar nga një elitë klerikale, që prej dekadash përpiqet ta eksportojë modelin e tij politik dhe fetar si në botën myslimane, ashtu edhe përtej saj. Por, kjo ambicie nuk është as unike e as e pazakontë. Çdo shtet që e arrin njëfarë fuqie, synon ta shtrijë ndikimin e vet përtej kufijve. Arabia Saudite, për shembull, ka vepruar me të njëjtin vrull, duke e eksportuar versionin e vet regresiv dhe shtypës të islamit – vehabizmin – në çdo cep ku ka pasur terren të lirë.
Ne në Ballkan e kemi përjetuar këtë më thellë nga të tjerët. Jo përmes ndikimit të Iranit, i cili është i kufizuar për shkak të mungesës së një popullsie shiite, por përmes përhapjes agresive të vehabizmit saudit. Ajo që ka hyrë në mesin tonë nuk janë idetë politike të Iranit, por mësime mesjetare, të dhunshme, jotolerante dhe thellësisht mizogjene, që e kanë minuar solidaritetin kombëtar dhe strukturat tona kulturore. Ky vehabizëm nuk përhapet sepse është bindës, por sepse është i pasur. Ai blen përkushtim, blen heshtje, blen autoritet. Organizatat e ashtuquajtura islame në rajon janë tashmë të diskredituara: të korruptuara moralisht dhe të papërgatitura intelektualisht për ta përballuar këtë sfidë. Nuk e kanë as dijen, as dinjitetin, as karakterin për ta ndërtuar një alternativë serioze ndaj kësaj ideologjie të helmuar.
Nuk e them këtë për ta zbutur kritikën ndaj regjimit iranian – përkundrazi, ai është një regjim shtypës dhe destruktiv për qytetarët e vet dhe për rajonin. Por, kjo nuk do të thotë se pala që po e lufton atë, vepron nga shqetësime më fisnike. Dua ta heq çdo iluzion se Izraeli, në ofensivën e tij, është i motivuar nga ndonjë ndjenjë solidariteti me popullin iranian apo nga ndonjë aspiratë për çlirimin e tyre nga tirania fetare. Irani është kërcënim për Izraelin jo për shkak të teokracisë së tij – Arabia Saudite i ngjan shumë në këtë drejtim – por sepse është i vetmi regjim në rajon që ende ka një strukturë ideologjike dhe ushtarake, që i reziston projektit të konsolidimit të hegjemonisë amerikano-izraelite në Lindjen e Mesme.
Të tjerët janë rrëzuar një nga një: Iraku, Siria, Libia, Libani – shtete që dikur përfaqësonin alternativa politike radikale dhe shpesh brutale ndaj Perëndimit – janë neutralizuar ose shkatërruar. Dhe, në disa raste, me të drejtë. Sadami ishte diktator i përgjakshëm, ashtu sikurse Gadafi. Regjimi i Asadit e masakroi popullin e vet dhe e shndërroi Sirinë në gërmadhë. Hezbollahu, me ndihmën e Iranit, e çoi Libanin drejt paralizës dhe e zgjeroi luftën në Siri për ta shpëtuar Asadin. Ndërhyrja e Iranit nuk ishte për drejtësi apo për mbrojtje të civilëve, por për ta ruajtur sferën e vet të ndikimit. Mijëra civilë u vranë në këtë përpjekje për pushtet. Andaj, nuk kam asnjë simpati për këtë regjim i cili ka qenë një katastrofë për iranianët dhe për fqinjët e tij.
Por, nga këndvështrimi i myslimanëve shqiptarë, ky regjim nuk ka qenë ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë. Prania e tij ka qenë periferike, ndërkohë që kërcënimi i vërtetë ka ardhur nga përhapja e ideologjisë vehabiste. Rrëzimi i Iranit, në këtë kontekst, mund të mos jetë aspak lajm i mirë për ne. Mund ta forcojë më tej ndikimin e forcave që tashmë kanë rrënjë në Ballkan – grupe që janë të lidhura me qarqe jashtë vendit dhe që nuk e kanë asnjë ndjenjë për bashkësinë, për drejtësinë apo për interesin publik.
Unë do ta përshëndesja rënien e regjimit teokratik iranian. Por, vetëm nëse kjo nuk sjell në vend të tij diçka më të keqe. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse nuk e mbështes një sulm ushtarak ndaj Iranit. Jo vetëm për shkak të përmasave shkatërrimtare, që një ndërhyrje e tillë do t’i kishte për rajonin – siç kemi parë në Irak, Libi, Siri dhe gjetkë – por edhe sepse nuk jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara do të arrinin të vendosnin një hegjemoni të qëndrueshme në vend të tij. Nëse dështon kjo, vakumi i pushtetit do të mbushet nga aktorë edhe më regresivë – ndoshta Arabia Saudite – dhe kjo nuk është një rrugë që mund të quhet përparim.
Për më tepër, një luftë e tillë do ta gjeneronte një valë të re refugjatësh drejt Evropës, me pasoja të rënda politike dhe sociale: rritje të racizmit, ksenofobisë dhe zhvendosje të mëtejshme drejt autoritarizmit në shtetet perëndimore. Do të kishim përkeqësim të klimës demokratike në Evropë, përfshirë edhe vendet tona.
Duhet të jemi të kujdesshëm me atë që dëshirojmë. Sepse ndonjëherë rrëzimi i një armiku i hap rrugë një armiku më të madh. Regjimi iranian është shtypës dhe i rrezikshëm, por në realitetin politik të Lindjes së Mesme, ai, gjithashtu, e përfaqëson një pengesë ndaj konsolidimit të një hegjemonie sektare edhe më të rrezikshme. Ndoshta popujt e rajonit duhet të lejohen ta zgjidhin të ardhmen e tyre vetë – pa u bërë terren lufte për përballje perandorake apo eksperimente ideologjike me pasoja shkatërruese.