Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja po e ndërpret operacionin e saj për të nxjerrë anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi ka thënë se ndërprerja e "Projektit Liri", i cili filloi të hënën, vjen për shkak të siç ka thënë, "progresit të madh" drejt një marrëveshjeje me Iranin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Bazuar në kërkesën e Pakistanit dhe vendeve të tjera, suksesin e jashtëzakonshëm ushtarak që kemi pasur gjatë fushatës kundër Iranit dhe, përveç kësaj, faktin se është bërë një përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit, ne kemi rënë dakord reciprokisht që, ndërsa bllokada do të mbetet në fuqi dhe efekt të plotë, “Projekti Liri” (Lëvizja e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit) do të ndalet për një periudhë të shkurtër kohore për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet apo jo”, ka shkruar Trumpi në Truth Social. 

Sipas "Projektit Liri", SHBA-ja do të udhëzonte anijet përmes Ngushticës së Hormuzit dhe do të ndihmonte në rikthimin e rrjedhës së naftës nga rajoni.

Media shtetërore iraniane thotë se Trumpi është "tërhequr" pas "dështimeve të vazhdueshme" për të rihapur rrugën ujore jetësore për transportin global.

Irani ka shumë të ngjarë ta karakterizojë ndërprerjen e "Projektit Liri" si një fitore, shkruan BBC.

Më parë, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se faza ofensive e luftës me Iranin ka "mbaruar" pasi objektivat e operacionit fillestar janë arritur.

Trumpi optimist se do të arrihet marrëveshje me Iranin

1 j. më parë / 6 maj 2026 23:14
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur optimist se do të arrihet një marrëveshje me Iranin.

Ka thënë se ky optimizëm vjen pas “bisedimeve shumë të mira në 24 orët e fundit”, shkruan BBC.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u tha ai të pranishmëve në dhomë. “Kemi pasur bisedime shumë të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe është shumë e mundur që të bëjmë një marrëveshje”.

Trumpi tha se Irani ka rënë dakord që të mos kenë më armë  bërthamore.

Një deklaratë e tillë nuk është konfirmuar nga pala iraniane.

Macron: Të gjitha palët duhet t’i heqin bllokadat në Hormuz

1 j. më parë / 6 maj 2026 22:04
Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për rikthim të trafikut në Ngushticën e Hormuzit, pasi ka biseduar me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian.  

“Të gjitha palët duhet të heqin bllokadën në ngushticë, pa vonesë dhe pa kushte. Ne duhet të kthehemi në regjimin e lirisë së plotë të lundrimit që mbizotëronte para konfliktit”, ka thënë Macron.

Lideri francez ka inkurajuar të tjerët ta marrin në konsideratë bashkimin në misionin shumëkombësh të propozuar nga Franca dhe Britania që kërkon sigurimin e transportit detar në rrugën ujore.

“Ngjarjet e fundit qartazi tregojnë dobinë që do të kishte një mision i tillë. E kam ftuar presidentin iranian ta shfrytëzojë këtë mundësi, dhe kam ndërmend ta diskutoj këtë çështje me presidentin Trump”, ka shkruar Macron në X.

Macroni ka shtuar tutje se rihapja e ngushticës do të ndihmonte në përparimin e negociatave për çështjet bërthamore.

SHBA-ja qëllon një anije iraniane të naftës në Gjirin e Omanit

1 j. më parë / 6 maj 2026 20:40
Hasna

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se ka qëlluar një anije cisternë nafte me flamur të Iranit në Gjirin e Omanit. 

Në një postim në rrjete sociale CENTCOM ka njoftuar se anija cisternë, M/T Hasna, po përpiqej të lundronte drejt një porti iranian, në kundërshtim me bllokadën amerikane. 

Pas paralajmërimeve të përsëritura, forcat amerikane qëlluan anijen me një top, dhe e çaktivizuan atë, u tha në postim. 

“Bllokada amerikane kundër anijeve që përpiqen të hyjnë dhe largohen nga portet iraniane mbetet në fuqi të plotë”, u tha nga CENTCOM. 
 

Trumpi thotë se marrëveshja kërkon që Irani t’ia dërgojë rezervat e uraniumit SHBA-së

1 j. më parë / 6 maj 2026 18:44
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se kushtet e një marrëveshjeje potenciale me Iranin do të përfshinin dërgimin e rezervave të uraniumit të pasuruar nga Irani në SHBA dhe zotimin se nuk do të operonte në objektet e tij nëntokësore.

Trumpi është shprehur optimist të mërkurën për përparim në arritjen e marrëveshjes, por pohoi se SHBA-ja e ka kaluar edhe një herë një situatë të tillë.

“Po, mendoj se po, por unë jam ndjerë në këtë mënyrë më përpara me ta, kështu që do të shohim çfarë ndodh”, ka thënë ai për PBS News.

Një plan njëfaqësh po qarkullon mes palëve dhe ende nuk është bërë publik. Dokumenti potencialisht do të shpallte fundin e luftës në Iran duke nxitur një periudhë 30-ditore negociatash për të zgjidhur çështjet kyç, përfshirë atë bërthamore.

Sipas burimeve të CNN-it, plani përfshin një moratorium për uraniumin e pasuruar dhe po ashtu dërgimin e rezervave jashtë Iranit.  

Irani flet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

1 j. më parë / 6 maj 2026 15:38
Ngushtica e Hormuzit

Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit ka lëshuar një deklaratë, duke aluduar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nëse “përfundojnë kërcënimet nga agresorët”. 

Ndonëse uk është menjëherë e qartë se çfarë do të thotë deklarata, e botuar në anglisht, IRGC-ja falënderon pronarët e anijeve për "bashkëpunimin e tyre në kalimin tranzit nëpër Ngushticën e Hormuzit në përputhje me rregulloret iraniane".

"Me fundin e kërcënimeve të agresorëve dhe në hijen e procedurave të reja, do të ofrohet mundësia e kalimit të sigurt dhe të qëndrueshëm nëpër Ngushticë", përfundon deklarata.

Kjo vjen disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se “Projekti Liria” - një operacion i SHBA-së që synon të shoqërojë anijet në mënyrë të sigurt përmes ngushticës, është ndërprerë.

Trumpi më pas ka shkruar në Truth Social për mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin.

Edhe mediat kanë raportuar të mërkurën se SHBA-ja dhe Irani janë pranë përmbylljes së një memorandumi për t’i dhënë fund luftës.

Trumpi flet për marrëveshje të mundshme me Iranin, e kërcënon me sulme më të fuqishme

1 j. më parë / 6 maj 2026 13:57
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se duke supozuar që Irani pranon të japë “atë për të cilën është rëndë dakord”, atëherë operacioni fillestar SHBA-Izrael “Epic Fury” do të marrë fund, teksa bllokada në Ngushticën e Hormuzit do të marrë fund.

Mirëpo në postimin e tij në Truth Social, Trumpi nuk ka sqaruar se çka është rëndë dakord, të cilës i është referuar. 

Ai po ashtu ka paralajmëruar se nëse Irani nuk pajtohet, rifillojnë bombardimet, për të cilat ka thënë se këtë herë do të jenë të një niveli tjetër. 

“Duke supozuar se Irani pranon të japë atë për të cilën është rënë dakord, gjë që është ndoshta, një supozim i madh, 'Epic Fury' tashmë legjendar do të marrë fund, dhe bllokada shumë efektive do të lejojë që Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur për të gjithë, përfshirë Iranin. Nëse ata nuk pajtohen, fillojnë bombardimet, dhe për fat të keq, do të jenë në një nivel dhe intensitet shumë më të lartë se sa ishin më parë”, ka shkruar Trumpi.

Presidenti amerikan ka njoftuar të martën vonë se SHBA-ja ka vendosur të ndërpresë operacionin e nxjerrjes së anijeve të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë Irani ka thënë se dëshiron “marrëveshje gjithpërfshirëse” me SHBA-në.

SHBA-ja dhe Irani po përmbyllin një memorandum njëfaqësh për t'i dhënë fund luftës

1 j. më parë / 6 maj 2026 11:37
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Shtëpia e Bardhë beson se është afër një marrëveshjeje me Iranin për një memorandum mirëkuptimi njëfaqësh që synon t’i japë fund luftës dhe të vendosë një kornizë për negociata më të detajuara bërthamore, ka raportuar Axios të mërkurën, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera të informuara mbi çështjen.

Sipas raportit, SHBA-ja pret përgjigjet e Iranit për disa pika të rëndësishme, brenda 48 orëve të ardhshme. Megjithatë, theksohet se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje, edhe pse palët janë më afër se kurrë që nga fillimi i luftës.

Ndër pikat kryesore, marrëveshja do të përfshinte angazhimin e Iranit për një moratorium mbi pasurimin bërthamor, ndërsa SHBA-ja do të pranonte të heqë sanksionet dhe të çlirojë miliarda dollarë fonde të ngrira iraniane. Po ashtu, të dyja palët do të lehtësonin kufizimet për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Memorandumi njëfaqësh me 14 pika po negociohet midis të dërguarve amerikanë Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner dhe disa zyrtarëve iranianë, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes ndërmjetësve.

Në formën e tij aktuale, memorandumi do të shpallte përfundimin e luftës në rajon dhe fillimin e një periudhe 30-ditore negociatash për një marrëveshje më të detajuar që synon hapjen e ngushticës, kufizimin e programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane.

Sipas Axios, kufizimet e Iranit mbi transportin detar në ngushticë dhe bllokada detare e SHBA-së, do të hiqeshin gradualisht gjatë kësaj periudhe 30-ditore. Një zyrtar amerikan ka thënë se nëse negociatat dështojnë, forcat amerikane do të mund të rikthejnë bllokadën ose të rifillojnë veprimet ushtarake.

Irani kishte deklaruar më herët të mërkurën se do të pranonte një marrëveshje paqeje vetëm nëse ajo do të ishte “e drejtë”, pasi presidenti amerikan Donald Trump pezulloi një mision detar treditor që synonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke vënë në dyshim armëpushimin njëmujor të luftës.

Irani thotë se dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse me SHBA-në

1 j. më parë / 6 maj 2026 09:25
Abbas Araghchi

Photo: Associated Press

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar të mërkurën se Irani do të pranojë vetëm “një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse” në negociatat me SHBA-në për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Deklarata e tij vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, përmendi “progres të madh” në këtë proces.

“Ne do të bëjmë çmos për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime në negociata”, ka thënë Araghchi në Pekin, pas një takimi me diplomatin kryesor të Kinës, Ëang Yi, raportuan mediat iraniane.

“Ne pranojmë vetëm një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, ka shtuar ai.

Ai nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt vendimit të Trumpit për një pauzë në operacionin amerikan për shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, e ofruar më herët si një nxitje për të arritur një marrëveshje mes dy palëve.

Ngushtica është praktikisht e mbyllur që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, duke bllokuar rreth 20% të furnizimit botëror me naftë dhe duke shkaktuar një krizë globale energjetike.

“Ne kemi rënë dakord që, ndërkohë që bllokada do të mbetet plotësisht në fuqi, ‘Projekti Liri’ do të pezullohet për një periudhë të shkurtër për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet”, ka shkruar Trumpi në rrjetet sociale.

Pas postimit të tij, standardi ndërkombëtar i naftës, Brent, ka rënë me 1.2%, në 108.60 dollarë për fuçi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës kanë thënë të martën se Iranit nuk duhet t’i lejohet të kontrollojë trafikun nëpër ngushticë.

Irani e ka bllokuar në mënyrë efektive ngushticën duke kërcënuar të vendosë mina, dronë, raketa dhe mjete të shpejta sulmuese. Shtetet e Bashkuara janë kundërpërgjigjur duke bllokuar portet iraniane dhe duke organizuar kalime të shoqëruara për anijet tregtare.

Ushtria amerikane ka thënë të hënën se kishte shkatërruar disa anije të vogla iraniane, si dhe raketa lundruese dhe dronë.