Mungesa e agapesë politike prej dy dekadash, me ndasitë identitare partiake ka krijuar një marrëdhënie ambivalente ndërmjet personave politikë dhe qytetarëve, duke krijuar kështu edhe një marrëdhënie antagoniste, duke krijuar zhgënjim të madh tek qytetarët për shkak të gënjeshtrave pamasë e korrupsion të të gjitha ngjyrave, e gjitha për shkak të mungesës së agapesë dhe karakterit jopolitik
Kosova e pasluftës krijoi hartë të re të identiteteve politike, e gjithë rezistenca u ngrit mbi akronimet të majtët, të djathtët, properëndimorët e të tjerë... dhe e gjithë beteja triumfuese ishte një lloj mjaftueshmërie sipërfaqësore. Shpresa e pasluftës ishte thirrja më e fuqishme mbi frikët dhe dyshimet rreth kapërcimit të errësirave të kohës dhe përjetimeve të zbehura të rrethanave të pasluftës.
Përgjatë këtij çerekshekulli u krijua një dallim i bollshëm brenda hapësirës gjeografike politike, mbi identitetet politike por jo edhe me agape, megjithatë dallimet politike janë formësuar me transformimin e betejave por në mungesë të agapesë politike. Këto identitete politike nuk patën për fokus shoqërinë organike dhe të bashkëveprimit e cila po ashtu do të fokusohej tek emancipimi politik, tek debati mbi zhvillimin e shoqërisë, si për temat konservatore të së djathtës, të socialdemokratëve apo edhe ato liberale sepse nuk kishte agape.
Narrativat e ndryshme në tregun politik fituan pranueshmëri e dominim në kohë të caktuara por ndarjet thelbësore u vunë tek idetë politike të së djathtës apo të majtës, përkundër që, akoma nuk ka profilizime të sakta për pasojë të gjendjes ekonomike sociale të qytetarëve të vendit. Çfarë ka ndodhur është kur qytetarët e vendit vlerësojnë në nivelin agape se nuk i përkrahin liderët si drejtues subjektesh vetëm, por sepse u pëlqejnë kauzat politike, qëndrimet dhe mënyrat se si i trajtojnë temat me interes kombëtar e shtetëror. Pra, agape a ka mundësuar t'i pëlqejmë veprat madhore, edhe ato politike.
Pa dyshim, pas shpalljes së mëvetësisë më 2008, ndodhi një zhvendosje e vëmendjes politike kur graviteti i betejave politike u përqendrua tek procesi i privatizimeve të aseteve shoqërore, në emër të ekonomisë së lirë të tregut. Por, për rezultat, u thelluan dallimet e rivalitetet ndërmjet grupeve të interesit ("oligarkëve") të cilët rendoheshin pas subjekteve politike, të cilat më pas shpërfaqnin beteja politike për dominancë interesash, të cilat ofronin premtime pamasë e natyrisht gënjeshtra për qytetarin me thasë. Dallimet e rivalitetet u perceptuan pikërisht si nevojë për dominancë interesash politike, të cilat u thelluan aq sa të ndodhnin konflikte politike jokonvencionale. Ndikimet e mëdha të grupeve të interesit tek subjektet politike krijuan një arenë konfrontimesh identitare politike, si dhe një ndasi gjeografie e cila lehtësisht u mundësonte ta mobilizonin bazën e votuesve, por, fatkeqësisht, këto beteja krijuan një ndalim konsolidimi të pushtetit institucional në mbarë territorin e Republikës. Thellësia e shumë ndarjeve identitare u nënkuptua si pluralizëm i sistemit politik, por mbi gjeografinë politike të vendit, shërbeu si adut populist për drejtuesit politikë të kohës që nuk qenë në gjendje ta ndanin forcimin e rendit shoqëror në tërë territorin nga ekonomia dhe rishpërndarja e aseteve shoqërore përmes privatizimeve tek grupet e lidhura me politikën, e gjitha paagape.
Ndryshe do të mendonte Martin Luther King, konceptin agape e përkufizonte si besim njerëzor për ta njohur dhe pohuar të mirën, për mirëqenien dhe zgjidhjen e problemeve njerëzore nga politika përmes politikave publike, agapen politike si krejt spontane, të motivuara nga njerëzorja me bazë krijuese vetëm për të mirën e përgjithshme.
Mungesa e agapesë politike prej dy dekadash, me ndasitë identitare partiake ka krijuar një marrëdhënie ambivalente ndërmjet personave politikë dhe qytetarëve, duke krijuar kështu edhe një marrëdhënie antagoniste, duke krijuar zhgënjim të madh tek qytetarët për shkak të gënjeshtrave pamasë e korrupsion të të gjitha ngjyrave, e gjitha për shkak të mungesës së agapesë dhe karakterit jopolitik.
Agape politike bazohet mbi veprat në kohë, mbi krijimet dhe jo stisjet, mbi të vërtetat që i prevalojnë dogmat dhe jo në propagandat që kanë turbulluar gjeografinë politike për dy dekada. Meqë jetojmë në një rajon ku patriotizmi është dominuar nga nacionalizmi politik, atëherë pashmangshëm na duhet të edukohemi me agape politike për dashurinë ndaj vendit, me zemrën e mendjen dhe njerëzoren, për të afërmit sikur për vetën; me agape të vullnetshme, të pakushtëzuar e të pambaruar, gjithëpërfshirëse, për të mirën prosperuese dhe të madhërishmen e vendit e Republikës.
(Autori është njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)