Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për dështimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se vendi po përballet me një tjetër krizë politike që mund ta çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters raportoi se parlamenti i Kosovës dështoi të zgjedhë Albin Kurtin si kryeministër, duke rritur gjasat për zgjedhje të reja pas bllokadës politike që po zgjat nga muaji shkurt.
Reuters thekson se opozita – përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në – votoi kundër kandidaturës së Kurtit, duke refuzuar të bashkëqeverisë me të dhe duke e kritikuar për menaxhimin e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë dhe për veprimet në veriun e tensionuar të vendit, ku jeton pakica serbe.
Në analizën e saj, Reuters kujton se Kurti, një politikani i majtë dhe nacionalist shqiptar, kishte ardhur në pushtet në vitin 2021 kur Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave dhe siguroi një shumicë të qartë në Kuvend.
Agjencia shton se në mungesë të një shumice të re, Kosova mund të përballet me një cikël të ri zgjedhjesh, ndërsa Kurti vazhdon të udhëheqë si kryeministër në detyrë.
Edhe Bloomberg ka raportuar për situatën e tensionuar politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë e re.
Sipas mediumit amerikan, deputetët u mblodhën në orët e fundit të afatit kushtetues për krijimin e kabinetit të ri, por Kurti nuk arriti të marrë miratimin e Kuvendit për përbërjen e tij ministrore.
Bloomberg shkruan se Kurti u kishte bërë thirrje deputetëve të votonin në interes të shtetit dhe qytetarëve, duke paralajmëruar se mungesa e një qeverie funksionale mund të çonte në bllokimin e buxhetit dhe në vonesat e pagave publike, pensioneve, ndihmave për fëmijë dhe furnizimeve mjekësore. Ai kishte theksuar gjithashtu se dhjetëra agjenci shtetërore vazhdojnë të funksionojnë pa mbikëqyrje për shkak të vakumit politik.
Ndërkaq mediumi turk, TRT World, ka shkruar Kurti nuk arriti të marrë votat e nevojshme në Kuvend, pasi partia e tij Lëvizja Vetëvendosje (VV) siguroi vetëm 56 vota, pesë më pak se shumica e kërkuar prej 61 deputetësh. Mediumi turk shkruan se ky dështim ka thelluar paqartësinë politike në vendin më të ri të Evropës.
TRT World thekson se tani presidentja e Kosovës duhet të emërojë një kandidat tjetër për një votim të dytë, ndërsa mbetet e paqartë nëse Kurti mund të rikandidojë apo nëse do të propozohet një përfaqësues nga opozita. Në rast se as raundi i dytë nuk sjell shumicën e nevojshme, vendi mund të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja.