Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar qeverinë e re. Me këtë, ai është bërë mandatari i parë për kryeministër, propozimi i të cilit për Ekzekutiv nuk është kaluar. Opozita e deritanishme e ka akuzuar atë për bllokadë 8 mujore. E pas kësaj, përgjegjësia për veprimet e mëtutjeshme i është kaluar presidentes Vjosa Osmani
Për herë të parë në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, një i mandatuar për kryeministër ka dështuar që ta marrë miratimin e Kuvendit për Qeverinë e propozuar.
Nëntë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ua ka propozuar të dielën deputetëve përbërjen e re të qeverisë, por pa marrëveshje koalicioni, ajo ka dështuar të marrë votat e nevojshme.
Nga 112 deputetë sa morën pjesë në votim, 56 kanë votuan pro, 52 kundër dhe katër kanë abstenuar.
Sinjale për dështim në votim, Kurti ka dhënë qysh në fillim të prezantimit të planit dhe përbërjes së kabinetit qeverisës, në seancën që nisi me mbi një orë vonesë.
“Në këta gjashtë muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme dhe shtetërore. Asnjëra nga partitë parlamentare, të cilave iu bë ftesë, nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar se duhet të kishte një koalicion qeverisës”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se ky votim nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore.
“Pa votimin e qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale, dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publik, pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, furnizimit me barna, funksionimin e organeve të rendit dhe të sigurisë, por edhe të shumë projekteve kapitale që janë në proces e sipër. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”, ka thënë Kurti.
Por, para deputetëve nuk pati një plan-program qeverisës, e as përbërje të kabinetit në letër.
Ndonëse më herët i pati kritikuar partitë e tjera për numër të madh të ministrive, Kurti në planin për mandatin e ri i ka përfshirë 19 sosh, 4 më shumë sesa në atë paraprak.
Në listën e të nominuarve janë përfshirë emra të rinj, teksa janë lënë jashtë ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ministres në detyrë të Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, i ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Për postin e ministrit të Infrastrukturës, Kurti ka propozuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, e nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiqi për ministër për Komunitete e Kthim.
Detyrën për ta udhëhequr ministrinë e re, atë për Familje e Mirëqenie Sociale, ia ka besuar Andin Hotit. E në atë për Kulturë dhe Turizëm ka propozuar aktorin Fatmir Spahiu.
Për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kurti ka nominuar Fitore Pacollin, e cila nuk ka mbajtur post ministror në Qeverinë Kurti 2.
E ministren e deritanishme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka propozuar që ta marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila më parë është udhëhequr nga Albulena Haxhiu, tash nënkryetare e Kuvendit.
Opozita akuzon Kurtin për bllokadë
Në fakt, seanca që nuk ka prodhuar një Qeveri të re është përcjell me akuza nga përfaqësues të opozitës së deritashme në llogari të mandatarit për kryeministër, Albin Kurti.
Në fjalimet para deputetëve, liderë të subjekteve parlamentare kanë mbajtur përgjegjës kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokim të shtetit dhe për sjellje arbitrare, ndërsa ia kanë kujtuar edhe një deklaratë të muajit maj, kur ai pati kërkuar prej tyre që ta testojnë për votat rreth formimit të Qeverisë.
Më se pesë muaj pas kësaj deklarate e tetë muajsh bllokadë politike, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ka ardhur koha që mandatari t’u japë fund fjalëve e të dëshmojë se e ka shumicën për Qeveri në Kuvend.
“Kanë kaluar mbi 8 muaj që jemi të bllokuar nga sjelljet arbitrate të qeverisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve dhe kemi qenë dëshmitar të një fjalamanie kemi apo nuk kemi vota. Andaj sa na përket neve, Parti Demokratike e Kosovës koha e fjalëve ka marrë fund, koha është që të verifikoni atë që keni thënë gjithmonë që keni arritur shumicën parlamentare”, ka thënë Krasniqi.
Dëshminë për numrat e ka kërkuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, teksa e ka përjashtuar nevojën për debat rreth programit e përbërjes së prezantuar të kabinetit qeverisës.
“LDK nuk do të bëjë debat dhe nuk do të dëgjojë fare asnjë debat. Na keni thënë se i keni numrat i keni. Na keni bllokuar për tetë muaj një shtet të tërë. Urdhënoni mateni vetën me numra demokratik nga kjo legjislaturë. Çdo arsyetim tjetër është dërgesë drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme që si duket po shkojmë”, ka theksuar ai.
Edhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka thënë nuk e shohin të arsyeshme që të debatojnë për një program qeverisës, të cilin, sipas tij, Kurti nuk e ka paraqitur.
Ai e pati edhe një akuzë për Kurtin.
“Për mendimin tim, ti je produkt i luftës hibride të armiqve tonë, ty të kanë krijuar, ti e ke ushqyer këtë luftë hibride në vazhdimësi. Ti ke punuar sistematikisht me diskredituar çdo vlerë të këtij vendi, disa prej tyre i vuajnë pasojat sot e drejtësisë ndërkombëtare, e disa më herët dhe si i tillë një ditë po është e vërtet, lufta hibride e hanë atë që e ka ushqyer atë luftë e tash të ka ardhur radha ty”, ka deklaruar Haradinaj.
Plani qeverisës i Kurtit
E në rezymenë e tij mbi planin qeverisës, Kurti u ka bërë thirrje të gjithë ligjvënësve ta votojnë Qeverinë, siç ka thënë, për të mirën e shtetit dhe jo bazuar në qëndrime politike. Ai ka folur për rritje ekonomike e shtrirje të sovranitetit në veri, tek i ka numëruar pesë vendimet e para që do t’i zbatojë në rast se e merr besimin e deputetëve.
“Miratimi i projektligjit të buxhetit për vitin 2026; Vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek rreth 200 mijë pensionistë; Vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50% mbi nivelin aktual që prek rreth 400 mijë fëmijë;
Vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat, gjithashtu prek edhe të rinjtë që janë të angazhuar përmes platformës ‘Superpuna’, si dhe gratë lehona të cilat përfitojnë nga shtesat”, ka premtuar Kurti.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë investimet në sektorin e mbrojtjes.
“Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë një miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do ta shumëfishojmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, dhe do të zhvillojmë dronët luftarakë ‘Made in Kosova’”, ka theksuar ai.
Megjithëkëtë, deputetë të PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës nuk kanë votuan për qeverinë “Kurti 3”.
E pas votimit të pasuksesshëm, kryeparlamentari Basha i ka mbyllur punimet e seancës dhe ka thënë se pas kësaj, përgjegjësia për veprimet e mëtutjeshme kalon në kompetencë të presidentes Vjosa Osmani.
Ajo ka paralajmëruar ditë më parë se në rast të moszgjedhjes së qeverisë do t’i kontaktojë partitë për konsultime për të parë se cila prej tyre i ka numrat.
Osmani brenda 10 ditësh mund të emërojë një mandatar tjetër për kryeministër. E mandatari i dytë, në rast të emërimit, do t’i ketë po ashtu 15 ditë kohë për t’ia propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e saj.
Nëse as kjo përpjekje nuk rezulton me sukses, atëherë presidentka obligohet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e shpalljes.