LAJMET E MBRËMJES

Kurti nuk do t’i bëjë ministra të gjithë ata që i prezantoi në tetorin e vitit të kaluar

Albin Kurti

Ndryshime në kabinetin qeverisës “Kurti3” ka paralajmëruar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, parti fituese e zgjedhjeve të fundit, Albin Kurti. Ai ka thënë se po përgatiten që sa më shpejt ta konstituojnë Kuvendin e ta formojnë Qeverinë, pasi vendi ka nevojë urgjente ta miratojë buxhetin e vitit 2026

Emra të rinj pos atyre që u prezantuan vitin e kaluar për Qeverinë Kurti e Konjufca do të ketë kabineti i ri qeveritar. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e qeverisë “Kurti 3”.

Në një deklaratë për mediat pas përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, Kurti ka thënë se megjithatë  shumica e emrave për ministra do të jenë ata që tashmë janë prezantuar.

“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka theksuar Kurti.  

Në listën e të nominuarve nga Kurti ishin përfshirë emra të rinj, teksa ishin lënë jashtë ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ministres në detyrë të Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari, i ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Për postin e ministrit të Infrastrukturës, Kurti pati propozuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha.

Detyrën për ta udhëhequr Ministrinë e re, atë për Familje e Mirëqenie Sociale, ia pati besuar Andin Hotit. E në atë për Kulturë dhe Turizëm e pati propozuar aktorin Fatmir Spahiu.

Në dy raste, pos Kurtit, edhe Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër pati propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19.

Kurti ka thënë se miratimi i buxhetit dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare është prioritet kryesor pas formimit të qeverisë.

“Ne po përgatitemi ta konstatojmë Kuvendin e që sa më shpejt ta formojmë edhe Qeverinë sepse siç e dini i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësish e kemi edhe Planin e rritjes me Bashkimin Evropian që është 882.6 milion euro e që duhet sa me pare t’i miratojmë në Kuvendin e Republikës. Pa harrur natyrisht atë që e kemi më së shumti përgjegjësi obligim por do të thosha edhe preferencë e ky është buxheti i vitit 2026. Ju e dini që me 1/12-ën qeveria në detyrë mund të vazhdoj vetëm edhe në muajin shkurt. Për muajin mars nuk mund të vazhdojmë kësisoj, andaj në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur këtë çështje”, ka deklaruar ai.

Kurti është pyetur edhe për çështjen e presidentit, po ka thënë se së pari duhet të përmbyllen tre hapat e parë.

Më 26 tetor 2025, Kurti pati dështuar të siguronte shumicën në Kuvend, pasi prezantoi përbërjen me të cilën synonte të merrte votën për të qeverisur.

E në zgjedhjet e fundit, të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje mori 51.1 për qind të votave ose 57 deputetë e për të formuar qeverinë i mjafton vetëm bashkëpunimi me pakicat.