Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën e tij në seancën e Kuvednit për shqyrtimin në parim të buxhetit për vitin 2026, teksa e ka arsyetuar faktin që e kanë sjellë në Kuvend projektbuxhetin e vjetër që është miratuar në tetor të vitit të kaluar, ka thënë se do ta sjellin për rishikim buxhetin, pasi ta kenë proceduar programin e Qeverisë së re.
Sipas tij në programin e Qeverisë do të përfshihen premtimet që ai i ka dhënë në ekspozenë e tij me rastin e rizgjedhjes.
“Zotimet që i kemi dhënë në fushatën e fundit, natyrisht që janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë më 11 shkurt, kur u rizgjodha kryeministër. Por, para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri, duhet të vijë tek ju programi qeveritar. Pra, do të ishte jo normale të sillnim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë paraprakisht programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave, nga kronologjia, është ky: zotimet në fushatë, ekspozeja e kandidatit për kryeministër, programi i ri qeveritar dhe më pas rishikimi i buxhetit”, ka deklaruar ai.
Pas fjalës së tij Kurti është larguar nga Kuvendi duke thënë se ka një organizim të Bankës Qendror të Kosovës me atë të Shqipërisë.