Vështrime

Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Nga: Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë vënë theks të ri integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen transatlantike. Në shkurt të vitit 2022, presidenti Biden dhe kancelari Scholz deklaruan se janë të përkushtuar “për të përmbyllur çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor... që më në fund të realizohet një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe”.

Ndër qëllimet tona më të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor është të ndihmojmë në krijimin e kushteve për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për t’i inkurajuar të dyja palët që ta pranojnë propozimin e BE-së për të dyja vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, ta ndërpresin ciklin e krizave dhe konfrontimit dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë.