Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA: Asociacioni nuk do t’ia shtojë Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv e legjislativ

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes një kolumne dërguar ekskluzivisht KOHËS, kanë theksuar domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor kanë thënë se Asociacioni nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Po ashtu, sipas tyre, është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik.

Është theksuar se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së ka vënë në pah se ekzistojnë 14 aranzhime të ngjashme brenda Bashkimit Evropian – asnjëri nga to nuk cenon sistemet evropiane të qeverisjes efektive”, theksohet në qëndrimin e SHBA-së.

Gjithashtu theksohet se brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj.

“Si vendi më prokosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet”, theksohet tutje në qëndrim.

Edhe SHBA-ja rithekson domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit Arbëri SHBA-ja rithekson domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit

Sipas SHBA-së, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe, ër t’i bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si: arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse.

“Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, theksojnë Chollet e Escobar.