Arbëri

Hovenier thotë se Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën, Hill pret përparim në dialog

Flamujet e SHBA-se dhe Kosoves

Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë e ka përsëritur se Asociacioni nuk do të paraqesë rrezik në funksionimin e shtetit të Kosovës dhe se nuk do të lejojnë një republikë tjetër serbe. Teksa ka shprehur habi për kritikat e shumta kundër themelimit të Asociacionit, Hovenier ka shtuar se është vetëm Gjykata Kushtetuese ajo që e jep interpretimin për draftstatutin e Asociacionit

Diplomatët amerikanë në Prishtinë e Beograd kanë inkurajuar palët në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, teksa kanë paralajmëruar se viti 2024 do të jetë i rëndësishëm për rajonin.

Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbi bazën e draftit të Bashkimit Evropian, me të cilin janë njoftuar vetëm qeveria dhe opozita. Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

“ShBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta themelojë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, dhe në fakt do të theksoj gjithashtu se mbrëmë në konkluzat e Këshillit të Bashkimit Evropian e ritheksuan edhe atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të ecë përpara me këtë.

Pozicioni i ShBA-së është i qartë. Ne besojmë se një Asociacion i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, se duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hovenier pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë. “Nuk duhet të ketë një nivel të tretë qeverisës dhe se nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Ne nuk duam një Republikë Serbe tjetër, nuk duam diçka që do të ndikonte negativisht në mirëfunksionimin e shtetit kosovar”.

Hovenier ka shtuar se mirëpret reagimet konstruktive rreth draftit por ka shprehur habi ndaj atyre që thonë se drafti e shkel kushtetutën.

“Ndërsa ne mirëpresim reagimet konstruktive, unë jam pak i habitur prej kaq shumë komenteve dhe kaq shumë kritikave për këtë përpjekje. Mendojmë, se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara duke e parë këtë draft të miratuar dhe të kalojë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ka pyetje lidhur me kushtetutshmërinë e tij dhe siç e kam thënë edhe më parë, po e përsërit, është vetëm një organ që është në gjendje të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe çfarë jo dhe ajo është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, por ne besojmë se kjo duhet të ecë përpara madje të ecë shpejt përpara dhe të gjithë ata që kanë folur për rëndësinë e të qenit në sinkron me Shtetet e Bashkuara dhe koordinuar me Shtetet e Bashkuara, Perëndimin dhe Evropën, duhet të shikojnë nga afër faktin se ky draft ka ardhur nga të gjithë miqtë e Kosovës në Evropë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë diplomati amerikan.

Edhe zyrtarë të qeverisë e kanë lënë në dorën e kushtetueses për ta interpretuar draftin. Një ditë më herët, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese. Sipas tij, drafti i sjellë nga ndërkombëtarët duhet të interpretohet nga Gjykata Kushtetuese.

Por, presidentja Vjosa Osmani dhe opozita kanë shprehur shqetësime lidhur me draftin e propozuar.

Për këtë qëllim, Osmani paralajmëroi takime me partitë në pushtet dhe opozitën për të diskutuar rreth Asociacionit. Sipas burimeve të “Kohës”, këto diskutime pritet të zhvillohen javën e ardhshme.

Për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ka folur edhe kryediplomati amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Sipas tij, procesi pritet të përparojë muajt e ardhshëm teksa ka drejtuar një porosi për serbët.

“Serbët duhet të kuptojnë se fati i tyre është në duart e tyre, jo në Uashington, Bruksel dhe Pekin. Viti i ardhshëm do të jetë shumë - shumë i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të shohin zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian. Ka mundësi që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të përparojë në muajt në vijim”, ka thënë Hill.

BE-ja ka paralajmëruar se shpejtësia e procesit të anëtarësimit për Serbinë do të varet nga përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, i cili po zhvillohet nën lehtësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Po ashtu është përmendur mundësia që Marrëveshja Bazë, Serbisë t’i bëhet obligim në kapitullin 35. Duke iu referuar këtyre diskutimeve presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se mund t’u imponohet një zgjidhje e tillë, teksa ka përsëritur se asnjëherë nuk do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Marrëveshje Bazë dhe Aneksi i miratuar më 18 mars në Ohër, kërkojnë prej palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti ka thënë se për zbatimin e Asociacionit palët duhet t’i vënë nënshkrimet mbi propozimin e ri evropian, Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit. Por, deri tash Vuçiqi ka refuzuar nënshkrimin e dokumenteve.

Ndërmjetësit e dialogut Kosovë-Serbi do ta bëjnë edhe një përpjekje të fundvitit për t’i nxitur palët në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit. Emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ditë më parë ka takuar kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa këtë javë do ta takojë edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.