Zgjedhjet lokale

Supremja refuzon ankesat e LVV-së dhe Rufki Sumës për votimet në Han të Elezit

Rufki Suma

Rufki Suma

Gjykata Supreme të premten ka refuzuar ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të pavarur Rufki Sumës lidhur me procesin e votimit në Han të Elezit.

Supremja konstatoi se ankesa e LVV-së është e pathemeltë. Kjo parti kërkoi “të urdhërohet hetim i librave origjinalë të votimit për Komunën e Hanit të Elezit dhe të konstatohet se numri i lartë i rasteve të votimit me asistim përbën shkelje të nenit 10 dhe të parimit të fshehtësisë së votës”, dhe “të urdhërohet përsëritja e votimit aty ku shkeljet janë të verifikueshme dhe ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”.

Një shqetësim të tillë e ka ngritur edhe Sami Kurteshi, anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, duke thënë se 10% e votuesve në Han të Elezit kanë votuar me asistim.

Supremja e konsideroi të pabazuar ankesën e Sumës, i cili pati kërkuar që “të urdhërohet verifikimi i drejtpërdrejtë i librave origjinalë të votimit për Komunën e Hanit të Elezit, si dhe të konstatohet se votimi i personave të burgosur përbën shkelje të ligjit, si dhe përbënë vepër penale në kuptim të nenit 213 të Kodit Penal të Kosovës”.

Zgjedhjet në Han të Elezit i fitoi Mehmet Ballazhi i PDK-së.