Arbëri

Supremja refuzon ankesën e VV-së lidhur me qendrat e votimit jashtë Kosovës

Supremja

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 30 nëntor, për qendrat e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. 

PZAP kishte pranuar si të bazuar ankesën e LDK-së ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket qendrave të votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit. PZAP kishte vendosur që si qendra të votimit jashtë Kosovës të caktohen përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe hapësirat e tyre. 

Ndaj vendimit u ankua Lëvizja Vetëvendosje. Por, Supremja e ka refuzuar ankesën. Ajo ka vlerësuar se vendimi i PZAP-së për të lejuar votimin vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës. 

“Kundër vendimit të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se vendimi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore si dhe duke propozuar që Gjykata Supreme ta aprovojë ankesën e saj. Gjykata Supreme e Kosovës, nga shqyrtimi i shkresave, erdhi në përfundim se ankesa e ankuesit është e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm Gjykata Supreme mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës. Paneli, me të drejtë, vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë””, thuhet në vendimin e Supremes.