Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, e ka akuzuar Gjykatën Supreme pasi ajo refuzoi si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 30 nëntor, për qendrat e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
“Gjykata Supreme njëjtë sikur PZAP paska folur me gjuhën e PDK-së dhe LDK-së në ndërmarrjen e përbashkët të tyre për ta luftuar të drejtën e mërgatës për të votuar. Integriteti i zgjedhjeve nuk rrezikohet nga mërgata, por nga opozita dhe gjykatës të tillë të cilët vendimet i bëjnë sipas porosisë pa trohë integriteti dhe transparence”, ka shkruar Krasniqi.
PZAP-ja ka pranuar si të bazuar ankesën e LDK-së ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket qendrave të votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit. PZAP-ja ka vendosur që si qendra të votimit jashtë Kosovës të caktohen vetëm përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe hapësirat e tyre.
Krasniqi ka vlerësuar se në asnjë nen të Ligjit për zgjedhjet dhe as të rregullave zgjedhore nuk ndalohet votimi në hapësirat që mund t’i siguroj përfaqësia diplomatike për votim.
Ai ka thënë se as integriteti i procesit nuk ndërlidhet me faktin se a je në pallat të kulturës apo në zyre biznesesh si përfaqësi.
“Integriteti ndërlidhet me përgatitjet teknike, logjistike, administrative të organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve. Pra, nuk e përcakton integritetin kualiteti i ndërtesës. Me logjikën e trurit të peshkut që këto dy shkallë kanë vepruar i bie që pallati i drejtësisë duhet mbyllur sepse nuk i plotëson kriteret e integritetit për shkak të problemeve teknike, ajri, ashensori, bufeja etj. Në fakt integriteti ndërlidhet se sa i organizuar dhe sa i pavarur është sistemi i drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.