Arbëri

Ish-gjyqtari i PZAP-së: Patriotët e LVV-së në KQZ s’mund ta përjashtojnë Listën Serbe

Ish-gjyqtari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Hasan Shala, e ka quajtur të politizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Shalës, dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje më shumë shprehin qëndrime politike sesa ligjore.

Shala në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka kërkuar që ata të merren nën përgjegjësinë e presidencës sepse ka konsideruar që po e ulin imazhin e KQZ-së.

“Është një fatkeqësi e madhe që KQZ-ja tani për tani është e politizuar. Këta anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje më shumë mbajnë qëndrime politike sesa ligjore. Është e disata herë që në mënyrë të njëanshme e të paargumentuar votuan kësisoj diçka të pamundur. Me ligj e kushtetutë ne ua kemi dhënë të drejtën komunitetit serb andaj nuk mund t’ua ndalosh këto të drejta pa argumente e prova. Këta dy patriotët e LVV-së i përsërisin sërish veprimet e pabaza. Do të duhej të merreshin në përgjegjësi nga presidenca sepse po e ulin imazhin e KQZ-së”, ka deklaruar Shala.

Sipas Shalës kanë përgjegjësi edhe anëtarët e partive të tjera të cilët po abstenojnë në vendime, siç i quajti – të kundërligjshme, pasi po rrëzohen qysh në shkallën e parë, duke iu referuar PZAP-së. 

Shala ka thënë se duhet fillimisht që Lista Serbe të shpallet si organizatë terroriste në mënyrë që KQZ-ja ta përjashtojë.

“Duhet të bëhen hetime të mëdha nga institucionet e larta të drejtësisë karshi anëtarëve të Listës Serbe dhe pastaj të shpallet si organizatë terroriste, kësisoj KQZ-ja mundet menjëherë ta përjashtojë. Mirëpo në këtë formë jo, nuk funksionon sepse duhet të ketë prova kundër tyre. Do të mjaftonte vetëm një vendim i formës së prerë. Sami Kurteshi nuk mund ta vendosë përjashtimin e një partie”, ka theksuar Shala.

Duke komentuar hetimet në nivel vendi ndaj dyshimeve për manipulim me vota, ish-anëtari i PZAP-së ka thënë se nuk është hera e parë që vidhen votat brenda partive.

Shala ka bërë të ditur se sa ka qenë anëtar i PZAP-së iu kishin thënë kandidatëve për deputetë të bëjnë ankesë mirëpo siç deklaroi – iu mungonte guximi.

“Vjedhja e votave brenda partisë nuk është hera e parë që ndodhë. Kemi pasë shumë informacione edhe si anëtarë të PZAP-it që individë kanë ardhë dhe kanë treguar por nuk ka pasur guxim të zhvillohen procedura e të hetohen këto çështje. Ka pasur mungesë të guximit nga ana e kandidatëve dhe partive politike iu ka konvenuar kjo hajni brenda partisë. Iu kemi thënë kandidatëve për deputet bëjeni ankesën në PZAP e pastaj të hetohet por iu mungonte guximi”, ka deklaruar Shala.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor të vitit që shkoi, ndërsa procesi i numërimit ka përfunduar më 3 janar. Por, më 13 janar, KQZ-ja filloi procesin e rinumërimit pasi një mostër prej 2% të votave të verifikuara shpërfaqi manipulime tek votat e kandidatëve. Kështu, hetimet vazhduan në shumë komuna të Kosovës, duke filluar nga ajo e Prizrenit.