Rezultati i kandidatëve të Listës Serbe është miratuar me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kjo është bërë pasi që PZAP-ja e ka miratuar ankesën e këtij subjekti, teksa ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor për të mos ia certifikuar rezultatin është bërë pa arsyetim të duhur ligjor. Ndërkohë, PZAP-ja ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka miratuar ankesën e Listës Serbe, me të cilën ajo e sfidoi moscertifikimin e rezultateve përfundimtare për kandidatët e saj, ndërkaq ka refuzuar të gjitha ankesat e tjera.
Në PZAP kanë vlerësuar se në vendimin e nxjerrë, KQZ-ja nuk ka ofruar arsyetim ligjor për refuzimin e certifikimit të rezultatit për kandidatët e zgjedhur deputetë nga Lista Serbe.
“Nga shqyrtimi i vendimit të ankimuar, PZAP konstaton se KQZ nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, për subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e saj. Vendimi i KQZ-së është i mangët, jo i plotë dhe nuk i ka trajtuar çështjet thelbësore, as faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për shpalljen e rezultatit përfundimtar. Në mungesë të një arsyetimi të mirëfilltë ligjor, vendimi si i tillë nuk përmban as vlerësimin e duhur të fakteve në raport me dispozitat ligjore të LZP-së, dhe me Rregulloren nr.13/2024 rezultatet zgjedhore”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Paneli i gjyqtarëve të PZAP-së ka vendosur ta ndryshojë vendimin e KQZ-së, duke e bërë miratimin e rezultatit përfundimtar të subjektit që i përfaqëson serbët e Kosovës, e që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Duke u bazuar në këtë dispozitë ligjore, PZAP-ja ka vendosur të aprovojë ankesën e subjektit politik Lista Serbe, duke shpallur rezultatin përfundimtar për këtë subjekt politik dhe kandidatët e saj. Në këtë mënyrë, vendimi në fjalë siguron respektimin e procedurave ligjore dhe garanton zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të barabartë për subjektin politik që ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara me ligj”, thuhet në vendim.
Moscertifikimi i rezultatit të Listës Serbe nxiti reagim nga faktori ndërkombëtar. Një ditë pas Shteteve të Bashkuara, në Bashkimi Evropian dhe në organizata si OSBE-ja shprehën shqetësim për çështjen.
E anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, në emisionin “60 minuta” në KTV ka shprehur pakënaqësi për vendimin e së martës të PZAP-së.
Kjo instancë refuzoi të martën gjashtë ankesa, përfshirë atë të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, lidhur me 23 mijë pakot me fletëvotimeve të ardhura nga jashtë, si dhe ato të tri subjekteve të komuniteteve joshumicë – NDS, PAI-PDAK-LPB dhe të Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës.
Pas vendimit të PZAP-së, palët kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme. E vetëm, nëse edhe Supremja i refuzon, atëherë hapet rruga për certifikim të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.