Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

KQZ-ja sot certifikon rezultatet e zgjedhjeve, pastaj 30 ditë kohë për seancën konstituive

zgjedhjet 7 qershor

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Supreme i ka hapur rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i refuzuar si të pabazuara të pesë ankesat ndaj rezultateve përfundimtare. Pas vendimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar për në orën 11:00 të së mërkurës mbledhjen e radhës me një pikë të vetme në rend dite – certifikimin e rezultateve

Të mërkurën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura para një muaji.

Rrugën KQZ-së për hapin e fundit – që përmbyll procesin elektoral, ia kanë hapur pesë vendimet e Gjykatës Supreme, ku janë refuzuar po aq ankesa ndaj rezultatit përfundimtar, të shpallur para 10 ditësh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Supremja ka vërtetuar të martën vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të nxjerra javën e kaluar.

Ankesat ishin të dy llojeve: Parti të komuniteteve joshumicë janë ankuar me pretendimin se subjekte të tjera, po ashtu nga pakicat, kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë qytetarë të atij komuniteti që ato përfaqësojnë; dhe dy ankesa ishin nga kandidatët e Partisë Demokratike për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu që kanë kërkuar rinumërimin e të gjitha votave preferenciale të partisë.

Lista Serbe ka pretenduar se partia ZSPO e Nenad Rashiqit, 40% të votave i ka marrë në mjedise ku jetojnë pak ose hiç serbë dhe ka kërkuar anulimin e tyre.

Pretendim i Listës Serbe është se me këtë rezultat i është mohuar një ulëse e garantuar komunitetit serb, por Supremja këtë argument e ka konsideruar kontradiktor.

“Subjekti politik ndaj të cilit ka pasur ankesë ankuesi që është partia apo subjekti që përfaqësohet nga z. Nenad Rashiq që është subjekt politik që përfaqëson komunitetin serb dhe nuk mund të qëndrojë pretendimi se është cenuar vendi i garantuar, sepse cenim të vendit të garantuar do të kishim nëse mandatin do ta merrte apo fitonte një subjekt tjetër joserb dhe jo subjekti serb”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata Supreme ka theksuar se ankesat nuk janë të mbështetura me prova që vërtetojnë manipulime të tilla. Në vendim thuhet se vota është e lirë dhe e fshehtë.

Ankesë të ngjashme kishte bërë edhe Nova Demokrastka Stranka e Emilja Rexhepit – parti që përfaqëson komunitetin boshnjak, ndaj Koalicionit Vakat – që gjithashtu përfaqëson boshnjakët.

NDS-ja pretendonte se Vakati vota ka fituar edhe në vendbanime shqiptare.

Partia e Rexhepit ankesë ka bërë edhe ndaj asaj të Rashiqit. Në të thuhet se në 6 fshatra ku jetojnë vetëm 6 serbë, ZSPO-ja ka marrë mbi 200 vota.

Por sipas Supremes, struktura etnike e popullsisë nuk mund të vendoset si kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit apo të rezultateve zgjedhore.

“Mbrojtja kushtetuese e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre nuk e ndryshon karakterin individual të së drejtës së votës dhe nuk krijon bazë për kategorizimin juridik të votës sipas përkatësisë etnike të votuesit”, thuhet në aktgjykim.

Edhe pretendimet e dy deputetëve të PDK-së, Haxhiut dhe Kryeziut, Supremja i ka vlerësuar si të pabaza.

Në dy vendimet thuhet se rinumërimi i 7.41% të votave nuk ka nxjerr dallime të mëdha në rezultatet për deputetë.

“Nga raporti rezulton se bazuar në natyrën dhe përmasën e këtyre dallimeve, mund të vlerësohet se ato lidhen kryesisht me rikategorizimin e fletëvotimeve gjatë rinumërimit, si dhe me gabime njerëzore gjatë numërimi në QKN”, thuhet në aktgjykim.

KQZ-ja ka thirrur mbledhje për të mërkurën e që në rend të ditës është certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Nga e mërkura deputetët kanë 30 ditë kohë për thirrjen e seancës konstituive.