FBI-ja po heton një sulm të mundshëm kibernetik ndaj një databaze kombëtare të zbatimit të ligjit, të cilën e administron vetë agjencia, ka bërë të ditur të shtunën për Associated Press, një person në dijeni të çështjes.
Qendra Kombëtare e Informacionit për Krimet (NCIC) është një databazë e kompjuterizuar me informacione për drejtësinë penale, e cila është në dispozicion të agjencive lokale, shtetërore dhe federale të zbatimit të ligjit. Ajo përmban të dhëna për personat në kërkim, personat e zhdukur, historikun kriminal, pronat e vjedhura dhe çështje të tjera.
FBI-ja ka refuzuar të komentonte të shtunën mbi sulmin e mundshëm kibernetik, për të cilin fillimisht ka raportur CNN dhe i cili është konfirmuar për agjencinë e lajmeve Associated Press nga një person në dijeni të çështjes.
Shtrirja e problemit nuk është ende e qartë.
Lajmi se NCIC-ja ishte shënjestruar vjen në një kohë kur vendi është përballur me një sërë ndërprerjesh të shërbimeve digjitale në sektorin qeveritar dhe atë privat. Zyrtarët e administratës
Trump kanë deklaruar se këto ndërprerje janë shkaktuar nga përpjekjet rutinë për përditësimin e sistemeve kompjuterike dhe korrigjimin e dobësive të tyre, dhe jo nga sulmet kibernetike.
Deri më tani nuk ka asnjë tregues se incidenti në FBI ka lidhje me këto ndërprerje.
Edhe
Rrmoku: Inteligjenca artificiale ua lehtëson sulmet kibernetike grupeve keqdashëse
Historikisht, kjo agjenci ka qenë shpesh objektiv i hakerëve.
Në shtator, FBI-ja ka njoftuar se po hetonte një sulm kibernetik ndaj faqes së saj të internetit për aplikimet për punë, pasi një grup kriminal hakerësh, i njohur si ShinyHunters, pretendoi se kishte siguruar një sasi të madhe të dhënash për punonjësit dhe aplikantët e agjencisë.
Ndërsa në mars, FBI-ja ka bërë të ditur se po hetonte “aktivitete të dyshimta” në një sistem të brendshëm, i cili përmban informacione të ndjeshme lidhur me operacionet e mbikëqyrjes dhe hetimet.